Koreja e Veriut do të mbyllë vendtestimin bërthamor në maj

Baza e testimit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut do të mbyllet në maj. Lajmin  historik e ka njoftuar zyra e presidentit të Koresë së Jugut.

Një zëdhënës tha se mbyllja e bazës së Punggye-ri do të bëhet në praninë e ekspertëve të huaj. Ekspertë nga Koreja e Jugut dhe SHBA do të ftohen për të parë ecurinë e punimeve për mbylljen e saj.

Zëdhënësi presidencial Yoon Young-chan tha se Kim kishte deklaruar se “do të realizojë mbylljen e bazës së testimit bërthamor në maj”.

Yoon shtoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut kishte thënë gjithashtu se ai “së shpejti do të ftonte ekspertë të Koresë së Jugut dhe SHBA-ve për të ndjekur nga afër procesin me komunitetin ndërkombëtar me transparencë”.

Zyra tha gjithashtu se Koreja e Veriut do të ndryshojë zonën e saj kohore – aktualisht gjysmë ore ndryshe – në mënyrë që ajo të përputhet me atë të Jugut.

Koreja e Veriut deri tani nuk ka bërë komente publike për këtë çështje.

Por çfarë dihet rreth bazës së testimit? E ndodhur në një terren malor në veri-lindje, ajo mendohet të jetë objekti kryesor bërthamor i Veriut.

Testet bërthamore kanë ndodhur në një sistem tunelesh të gërmuar poshtë malit Mantap, pranë vendit të Punggye-ri.

Gjashtë teste bërthamore janë kryer atje që nga viti 2006. Pas testimit fundit, në shtator 2017, një seri pasojash goditën vendin dhe sizmologët besojnë se u shemb një pjesë e brendshme e malit.

Ndërkohë vetë Kim bëri një referencë të dukshme ndaj këtyre raporteve, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut.

“Disa thonë se po i mbyllim objektet pasi nuk funksionojnë, por do të shihni se ato janë në gjendje të mirë”, citohet të ketë thënë kreu i Koresë së Veriut. Informacioni rreth bazës bërthamore është mbledhur kryesisht nga imazhet satelitore dhe gjurmimi i lëvizjes së pajisjeve në lokacion.

Të premten, kreu i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Mun ranë dakord të punonin për të realizuar denuklearizimin e Gadishullit Korean, ndërsa samiti erdhi si derivat i disa muajve të mbushur me retorikë luftarake nga veriu.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump ndoshta do të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut “gjatë tre ose katër javëve të ardhshme” dhe do të diskutojnë për denuklearizimin e gadishullit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.