Kampi i Tepelenës drejt muzealizimit

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, bën me dije mbi ecurinë e projektit të muzealizimit të Kampit të punës së detyruar në Tepelenë.

Autoriteti me Vendimin nr. 54, datë 10.08.2017 ka miratuar realizimin e Projektit të kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës “Për kërkimin e dokumentacionit arkivor për kampin e Tepelenës dhe krijimin e një memoriali për përkujtimin e datës 30 gusht, si Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve”, bazuar në ligjin nr. 45/2015 dhe ligjin nr. 9154, dt. 06.11.2003 “Për arkivat”, mbi përgatitjen dhe hapjen e ekspozitave dokumentare. Po ashtu, në zbatim të ligjit nr. 9802, datë 13.9.2007 “Për Ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”.

Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi. Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste.

Projekti është miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë nr. 40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, konfirmuar në datë 14.12.2017 nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër. Projekti i kujtesës është përfshirë në programin qeverisës 2017-2021, në kapitullin kushtuar kulturës dhe edukimit përmes saj, ku thuhet: “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë, që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës, si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”.

Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj. Për mbledhjen e dokumenteve zyrtare që faktojnë periudhën e ekzistencës së Kampit të Tepelenës është bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

Në këtë kuadër, projekti është mbështetur nga Bashkia e Tepelenës dhe partnerë të AIDSSH, si PNUD (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 32, datë 01.02.2018), OSBE (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 46, datë 06.07.2017) e institucione të tjera, publike, akademike dhe të kërkimit shkencor. Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet.

Marrëveshja me PNUD-in, për programin ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: (i) konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë rregjimit komunist përmes një qasje historiko – juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe (ii) fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata do te shtrihet në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave.

Po ashtu, marrëveshja me OSBE-në, për projekte hulumtimi dhe pune shkencore me të rinj e kërkues të interesuar për njohjen me të shkuarën dhe përballjen e shoqërisë me të vërtetën; marrëveshja me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për bashkëpunim në projekte komplekse që hedhin dritë në Shqipërinë e diktaturës (mes të cilëve puna për kampin e Tepelenës); me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, që mundësoi listën me të dënuarit me punë të detyrueshme në këtë kamp, 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë. Autoriteti ka miratuar me Vendim dhe me pas ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Institutin e Historisë dhe Universitetin e Tiranës për njohjen e thelluar të së shkuarës dhe trajtimin profesional të saj.

Brenda kuadrit ligjor mbi të cilin AIDSSH mbështet punën e vet duke pasur në themel vlerat e transparencës, integritetit, bashkëpunimit, të mësuarit dhe angazhimit: Ndërgjegjësimin e publikut përmes të mësuarit të vazhdueshëm si një mënyrë për të inkurajuar angazhimin demokratik dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale që bashkërendojnë hapat për realizimin e objektivave të kalendarit të kujtesës 2018, me mbështetjen e Bashkisë së Tepelenës, e cila ka miratuar projektin e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar, si objekt prioritar për Zhvillimin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale për Artin dhe Kulturën, për vitin 2018. Ndërkohë, projektideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës është ende në zhvillim.

Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin. Shqiptarët kanë nevojë për vende të tilla të kujtesës për të dënuarit e ndërgjegjes, si institucionet e burgimit apo internimit, që e kaluara të mos harrohet, të shërbejë për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen në baza më solide. Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, kampi i Tepelenës spikat për disa arsye:

– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë. – Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto–Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës, etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë.

Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit. Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë nga arkitekti Gjon Radovani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams dhe zv. /ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias.

4 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.