Sulmi në Francë, vdes polici, Macron: Ra si hero

Oficeri i policisë, i cili u vetëofrua për tu shkëmbyer me një nga pengjet dje në pengmarrjen që ndodhi në Francë, nuk arriti tu mbijetojë plagëve të marra.

Ai ndihmoi t’i jepej fund sulmit terrorist në supermarket, ku mbetën të vrarë 3 persona. Presidenti Emmanule Macron e cilësoi oficerin një hero me kurajo të madhe.

“Nënkoloneli Arnaud Beltrame, 45 vjeç, ra si hero dhe tregoi një kurajo të jashtëzakonshme”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Teksa njoftoi vdekjen të oficerit të policisë në “Twitter”, ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha se ai dha jetën për vendin e tij. “Franca nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën që bëri”, u shpreh ai.

Më herët, Macron kishte bërë të ditur se nënkoloneli Beltrame kishte pësuar plagë të rënda dhe se po luftonte me vdekjen në spital. Në total 16 persona u plagosën, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, në atë që Macron e përshkroi si një akt të terrorizmit islamik.

Terroristi, i identifikuar më pas si 25-vjeçari Redouane Lakdim u vra nga policia. Ai raportohet të jetë radikalizuar dhe gjatë pengmarrjes kishte deklaruar se ishte një ushtar i bindur i Shtetit Islamik.

24 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)







Comments are closed.