Arta Marku zgjidhet Kryeprokurore e Përkohshme mes tymueseve

Mes kaosit dhe tymueseve në sallën e Kuvendit dhe me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, Arta Marku është votuar Kryeprokurore e Përgjithëshme e Përkohëshme, duke zëvendësuar Adriatik Lllallën.

Arta Marku ka bërë në Kuvend betimin si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Pas leximit të formulës së betimit nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Marku u shpreh “Betohem!”, mes tensionesh në sallë me deputetët e opozitës.
Megjithatë, më herët situata u tensionua brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit. Protestuesit e opozitës tentuan të hyjnë në oborrin e Kuvendit, ku janë hedhur edhe tymuese me ngjyrë.

Protestuesit po shtyjnë kordonin e policisë, ndërkohë që deputetët e PD-LSI-së ndodhen jashtë ambienteve.



Pak minuta më vonë, deputetët e PD-së kanë hedhur tymuese drejt foltores dhe vendit ku janë kryeministri e ministrat.

Por pavarësisht kësaj kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ka vijuar me votimin e rendit të ditës.

Kush është Arta Marku – Arta Marku 41-vjeçarje u diplomua në shkollën e magjistraturës në vitin 2001. Një vit më pas u emërua në Prokurorinë e Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme, që nga shefe e njësisë task forcë në 2006 e deri zëvendës drejtuese deri në 2016.

Zonja Marku e ka nisur karrierën e saj në kohën kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja, ndërkohë që prej 16 vitesh dosjet e hetuara prej saj dhe të përfaqësuara në Gjykatë kanë qenë fare të pakta. Një ndër to është dosja ndaj pedagogut Fran Qafa, i cili më pas mori pafajësinë në Gjykatë.

Në fakt për numrin e pakët të dosjeve të hetuara, zonja Marku u pyet edhe nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilëve iu përgjigj se ajo kishte firmosur mjaft dosje të hetuara prej kolegëve dhe të përcjella në Gjykatë.

18 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.