PËRSE RAMA I DUHET BASHËS, DHE ANASJELLTAS!

Arben MANAJ

Arben Manaj

Fituesi tashmë dihet, Rama dhe Rilindja, Humbesi, Basha dhe “Republika e Re”. Por humbësi më i madh i pushtetit është Meta dhe ish-Partia e tij. Në një plan më afatgjatë, gjithesesi.

Siç ndodh në kësi rastesh, kërkohen koka. Ndaj Bashës nuk u prit as të gdhihej e nesërmja e rezultati bazohej në tendencë, e cila natyrisht konfirmohet.

Në një vend normal, Basha do duhet të jepte dorëheqjen, ashtu sic nuk e dha dikur Rama, pas mandatit të parë si udhëheqës i opozitës, edhe pse në kontekste dhe rrethana të tjera.

Padyshim, Basha, nuk pritej të fitonte ballëpërballë Ramës dhe PS, pasi historikisht partia e tij, me ndonjë përjashtim kurrë nuk ka fituar, dhe është më e vogël numerikisht se e majta shqiptare.

Basha andaj edhe u fut në cadër dhe pikërisht për këtë arsye, pra për të shtuar shanset e ringjalljes përmes Rilindjes, doli prej andej, duke ndjekur dukshëm një plan ndërkombëtar, të cilit vetëm koka i duket ende.

Plani është ai i disa reformave të thella dhe vendimtare  që Shqipëria të ecë më shpejt drejt integrimit evropian dhe demokracia shqiptare të vetëkorrigjohet nga klientelizmi mbytës, që con në deformime të mëdha të vullneteve politike reale.

Ndaj Basha, me marrëveshjen e sponsorizuar ndërkombëtare, luajti bukur politikisht dhe “dha besën” duke riskuar pushtet në emer te berjes se shtetit, permes ndryshimeve të mëdha kushtetuese dhe elektorale të pritshme qe do duan medoemos një bashkëpunim mjaft të madh parlamentar me opozitën.

Zgjedhjet i prishën deri diku planet sa i përket shifrave, që mund të jetë një gjë e mirë për Ramën, dhe në vartësi të këndvështrimit, jo e shëndetshme për demokracinë parlamenetare dhe pushtetin absoulut të cdo kryeministri me shumica të këtilla.

Por Rama i ka borxh Bashës , paradoksalisht mbijetesën e tij të metëjshme politike dhe të partisë më të madhe të opozitës dhe të dytës më të madhe shqiptare; Partisë Demokratike.

Nëse realisht ai do donte dhe nëse do duhet ta detyrojnë të bëjë megakoaliconin, Basha do duhej të qëndronte në krye të PD-së, për shume aryse; qofshin edhe kohore, por edhe përmbajtësore.

Basha do ishte për Ramën interlokutori më i besueshëm dhe me i pabezdisshëm në cdo marrëveshje politike. Për më tepër,  do e nxirrte Ramën, një politikan modern dhe evropian në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo, pasi, ai do i ofronte Uashingtonit dhe Brukselit, një Shqipëri që për interesa madhore di të jetë e unifikuar politikisht dhe në unison ndërparlamentar, pozite-opozitë.

PD-ja do jetë partia më e madhe politike opozitare në 4 vitet e ardhshme, dhe cdo ide për një bashkëpunim të tille,( ku ideale do ishte në një qeveri koalicioni me PD-në), sesa me një LSI e President ende te pabetuar, parti e “paparë”,  që “ende ka parë gjë akoma…,” do ishte, sic thone anglezet, “more of the same sh…”!

Rama e deklaroj se kërkon që LSI të shkoj në klinikë rehabilitimi për t’u detoksikuar dhe bipolarizimi është preferencë e tij dhe e Bashës. Një arsye më shumë, për të mos qënë LSI, pjesë e këtij ekuacioni, që përcaktoj deri diku edhe marrëveshjen e 18 Majit.

Basha mund të kritikohet për shumë gjëra sa i përket menaxhimit të PD-së, pasi një pararadhësi si Berisha, por ai dhe demokratët gjerësisht besonin  në besën e dhënë, jo publikisht, por të mirëkuptuar dhe nënkuptuar, se ata do ishin bashkë “politeknikisht” në pushtetin e ardhshëm me PS, pas zgjedhjeve.

Një mospjesëmarrje e PD-se në zgjedhjet, përpara marrëveshjes së 18 majit, do kishte qënë katastrofë për imazhin politik dhe demokratik të Shqipërisë, ndaj në këtë këndvështrim Bashës i detyrohet argumentueshëm dhe pa partizanllëk partiak, Rilindja, në një farë mase.

Thënë kjo, Basha ka humbur në një pjesë të konsiderueshme edhe për shkak të abstenimit dhe minimit nga të vetët brënda partisë, për shkak të qejfmbetjeve për listat, ç’ka është e kuptueshme që ai do i ndryshonte pavarësisht sesa ja qëlloi, pasi me gardën e vjetër përgjegjëse për humbjen e 2013-ës, nuk është se kishte më shumë shanse fitoreje.

Por kjo nuk ka qënë arsyeja kryesore dhe e vetmë. Arsyeja dominante, ka qënë perceptimi i një koalicioni të ardhshëm, pa harruar edhe mjeshtërinë e Ramës në mënyrën sesi e shiti mandatin e parë të rrugëtimit me makinën me dy shoferë dhe pa kontroll në timon.

Ashtu si edhe në rastin e Ramës, PD-ja e vërtetë dhe Basha i vërtetë do duket në zgjedhjet e ardhshme, pas mandatit të dytë opozitar, siç edhe Rama, gjë që unë e kam shkuar që para disa vjetësh kur kam kërkuar një mandat të dytë për Bashën në nje shkrim po në këtë gazetë.

Basha do mbijetoj përmes Ramës dhe Berishës, ku ky i fundit  do jetë vendimtar ne pozicionimin e ardhshëm të PD-se, politikani tutkall i kësaj force politike në prag zhdukje egzistenciale.

Ndërkohë që reformat në shtetbërje janë primare për Ramën, për Bashën  reformat janë po aq, edhe brënda forcës së tij politike, përmes një hapje dhe koorektimi më të guximshëm me ata që kanë realisht vlera dhe janë të pranueshëm për elektoratin gri brenda Partisë Demokratike.

Rama dhe Basha kanë nevojë për njëri-tjetrin, kush më shumë e kush më pak, kush për sytë  e botës, e të dy, për interesa të tyre partiake afatgjata, por edhe kombëtare, që kalojnë dhe bëhen më të lehta përmes bipolarizmit politik alla-amerikan.

26 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.