Laboratori i drogës në Skrapar, përjashtime dhe procedime në radhët e policisë

Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në policinë e shtetit, Altin Qato në një deklaratë për mediat bëri me dije sa pas zbulimit të laboratorit të drogës në fshatin Guak të Skraparit  janë proceduar duke u larguar nga detyra 3 efektivë të këtij komisariati, ndërsa ka nisur procedimi disiplinor për 8 të tjerë.

“Sot me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e Policisë në strukturat vendore të Drejtorisë Policisë Berat, si dhe Komisariatit të Policisë Skrapar.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të Policisë në Komisariatin e Policisë Skrapar për të cilët në bazë e për zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat si më poshtë:

  1. Nënkomisar Sokol Çeçaj, me detyrë Specialist për Krimet, në Seksionin për Krimet, në Komisariatin e Policisë Skrapar, për shkelje të rëndë u përjashtua nga Policia.
  2. Inspektor Xhelil Seferasi, me detyrë Ndihmës specialist, SPZ në Seksionin për Rendin në Komisariatin e Policisë Skrapar, për shkelje të rëndë u përjashtua nga Policia.
  3. Inspektor Leonard Lajthia, me detyrë Ndihmës/specialist, SPZ në Seksionin për Rendin në Komisariatin e Policisë Skrapar, për shkelje të rëndë u përjashtua nga Policia.

Filloi hetimi disipilinor për punonjësit e policisë si më poshtë vijon:

Nën komisar Krenar Capollari me detyrë Shef Seksioni / specialist ne Seksionin për rendin në Komisariatin e Policisë Skrapar.

Komisar Ibrahim Maksuti , me detyrë Shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar.

Kryekomisar Ferdinand Dusho me detyrë Shef Komisariati i Policisë Skrapar .

Nënkomisar Artan Musaj me detyrë Shef seksioni / specialist në Seksiosin për Hetimin e Narkotikëve DVP Berat.

Komisar Enea Kaci me detyrë Shef Sektori/specialist, në sektorin për krimet në D.V.P Berat.

Komisar Erdit Hazizaj me detyrë Shef Sektori / specialist në sektorin për Hetimin e trafiqeve dhe Narkotikëve DVP Berat.

Drejtues Ferdinand Zera me detyrë Zëvendësdrejtor në DVP Berat.

Drejtues i Parë Fatmir Lleshaj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Sipas Qatos, Policia e Shtetit, si një nga institucionet kryesore për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ka hartuar dhe po zbaton plane konkrete.

“Krahas sensibilizimit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të takimeve me drejtues të organeve të qeverisjes vendore, institucioneve të tjera shtetërore dhe grupe qytetarësh, paralelisht ka filluar kontrollin e territorit nga muaji janar dhe në vijim, duke u përqendruar kryesisht në verifikimin e objekteve, të cilat mund të shfrytëzohen nga grupet kriminale për kultivimin e fidanëve si: depo, magazina, tunele, ish depo të rezervave të shtetit, sera etj., si dhe në kontrollin e zonave të identifikuara me risk të lartë gjatë vitit 2016.

Deri tani, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë ushtruar 14.858 kontrolle në sera, tunele, ish depo të rezervave të shtetit, magazina, etj.

Për këtë vit, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e kanabisit, i kemi kërkuar Ministrisë së Brendshme të Italisë dhe kemi marre dakordësinë e saj që procesi i monitorimit ajror me avionë specialë, të fillojë më herët se vitet e tjera.

Gjithashtu, po koordinojmë masat në drejtim të shkëmbimit të informacionit me institucionet e tjera ligjzbatuese, në veçanti me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në këtë kuadër, Shërbimi ka vënë në dispozicion të publikut linjën e gjelbër 0800.90.90 për çdo informacion mbi rastet e implikimit apo favorizimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, nga punonjës Policie dhe jo vetëm.

Çdo e dhënë apo informacion do të vlerësohet nga SHÇBA, duke ruajtur e garantuar anonimatin dhe për çdo shtetas që do të ofrojë informacion të vlefshëm, është vënë në dispozion një fond shpërblimi, i cili për nga rëndësia dhe vërtetësia e informacionit do të shkojë deri në 300 mijë lekë”, tha Qato.

13 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.