Basha bën thirrje për luftë: Durimi ka sosur, ngrihuni dhe bjerini me grusht!

Në ditën e shtatë të protestës së opozitës përpara sheshit të Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë më i ashpër në deklaratat e tij.

Ai u ka bërë thirrje protestuesve të ngrihen e të reagojnë dhe ka paralajmëruar se nëse qeveria kërkon luftë, luftë do të ketë.

“Ky është sistemi kriminal, kasta kriminale, republika kriminale që duhet përmbysur me çdo kusht dhe varrosur për t’i hapur rrugën një republike të drejtësisë, demokracisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jo kriminelët, jo kodoshbiznesmenët dhe politikanët e korruptuar, kjo nuk është thjesht një protestë, një luftë që ka nisur mes shumicës dërrmuese të shqiptarëve që kanë vendosur ta marrin fatin e tyre në duart e tyre duke marrë zgjedhjet në duart e tyre dhe një pakice që do ta mbajë Shqipërinë peng e të burgosur, duke mbajtur peng zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha.


Basha shtoi se popullit i ka ardhur durimi në fund. “Nëse duan luftë, luftë do të ketë. Shpojini gomat, thyejuni dyert e dritare dhe nxirrini jashtë! Momenti po vjen, ku nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të ngrihet. Ju bëj thirrje të gjithëve të marrim përgjegjësitë tona, të reagojmë orë e minutë për çdo padrejtësi, mos ktheni faqen tjetër, por qëllojini me grusht”, tha Basha.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se i ka mbyllur çdo hapësirë biznesit të ndershëm dhe i ndaj fitimet me një grup të vogël pushtetarësh të korruptuar.

“E ka shkatërruar me gjoba abuzive, e ka shkatërruar me ushtrinë e taksidarëve dhe inspektorëve që janë aty për të mbushur xhepat e tyre dhe të shefave të tyre. E ka kthyer Shqipërinë në mjedisin më të zymtë në Ballkan. Biznesi këtë e di shumë mirë. Prandaj nuk ka vende të reja puna, – u shpreh Basha. – Investimet e huaja preferojnë çdo vend tjetër në Ballkan përveç Shqipërisë, sepse këtu është më e vështirë për të marrë një kredi apo të zgjerosh një biznes”.

Sipas Bashës, “në Shqipëri ecin përpara vetëm 4-5 kodoshë biznesmenë që populli u thotë oligarkë, të cilët nga zyra e Edi Ramës marrin çdo ditë, thelat e mishit që është buka e gojës që u hiqet shqiptarëve. 4 ose 5 oligarkë thërret Rama për çdo koncesion dhe pasuri kombëtare dhe së bashku ndajnë thelat e pushtetit dhe pasuritë e shqiptarëve, ndërkohë që vendi zhytet në mjerim. Çdo kush tjetër konsiderohet si armik”.

24 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. jurgen says

    nje deklarate si kjo duhej qe ti tregoj ksaj qeverie kriminele se sa serioze eshte kjo proteste qe qytetaret po bejne per nje kauz te drejte qe se fundi po aprovohet dhe nga femijet e qeveritareve

Comments are closed.