Duma: 8 ton drogë kalojnë në Durrës, e grabitje kudo, Ramës s’i bëhet vonë

Sekretarja e marrëdhënieve me publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma, gjatë një deklarate për media, i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 18 shkurtit për të ndaluar krimi. Sipas Dumës, qytetarët ndiejnë pasiguri dhe frikë në rrugë, banesa e kudo sepse krimi ka pllakosur vendin.

“Krimi, pushteti i krimit po dominon rrugët, po dominon shtëpitë, po dominon edhe aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit, edhe portin e Durrësit.

8 tonë drogë kanë kaluar në portin e Durrësit duke bërë sikur nuk i ka vënë re njëri, por në fakt realiteti s’mund të jetë kurrë i tillë. 8 tonë drogë nuk mund të kalojnë pa i dalluar askush por kalojnë me bekimin e shefave, të cilët sigurisht në këtë aferë dhjetëra miliona euro kanë marrë pjesë e tyre. Në aksin Tiranë-Rinas, në pikun e trafikut janë vjedhur me grabitje të armatosur jo pak por tre milionë euro.

Mbrëmë kryeqyteti pësoi një tjetër grabitje me armë në një supermarket. Në Elbasan një karburant u grabit me armë, një shtëpi u grabit me armë. Çfarë ndjejnë qytetarët? Pasiguri, jo rend, jo siguri për jetën e tyre dhe asgjë tjetër e cila mund t’i mbrojë. Ku është rendi? Ku është qeveria?

Sigurisht në këtë tablo në të cilën të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë që e drejta e tyre për rend, për siguri dhe për tu mbrojtur është dhunuar, del Tahiri i Ramës që na thotë se e kanë fajin gjithë të tjerët. E ka fajin shoqëria, e kanë fajin kalimtarët, e kanë fajin edhe populli, e ka fajin kultura.

Në fakt mund ta ketë fajin edhe videoklipet, u ka bërë thirrje edhe artistëve e këngëtarëve të mos përdorin armë nëpër videoklipet e tyre, por ata nuk kanë asnjë faj.

Populli e kupton qarte se kjo është përgjegjësi e Ramës, dhe se atij nuk i bëhet vonë për sigurinë dhe rendin e qytetarëve. Jemi sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve realitetin e përmbledhur të një kaosi, të një kaosi i cili nuk është një kaos i pazot, por është një kaos i dirigjuar që krimi dhe pushteti të dominojë jetën e shqiptarëve.

Shqiptarët e dinë që legjitimiteti dhe e drejta e tyre për të qenë të sigurt në jetën e tyre të përditshme është një e drejtë themeltare.

Shqiptarët e dinë këtë dhe për këtë arsye mblidhemi me 18 shkurt të gjithë bashkë e ngrihemi të gjithë bashkë. Jemi përballë një vendimi të madh që më 18 Shkurt të fillojë një erë e re në të cilën shteti i krimit dhe shteti kundër qytetarëve duhet të rrëzohet”, tha Duma.

11 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.