Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë

Mërgim Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë në Bundesligën gjermane. Ky sezon ka qenë me të vërtetë fantastik për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili pasi shkëlqeu me fanellën e Kolnit në 16 ndeshjet e para të kampionatit, në muajin Janar bëri një hap të madh përpara në karrierë duke u transferuar te Hamburgu, klubi i vetëm që nuk është rrëzuar asnjëherë nga kategoria në të gjithë historinë e futbollit gjerman. Tashmë Mavraj është përfshirë në 11-shen më të mirë të fazës së parë nga sajti zyrtar i Bundesligës, duke u rreshtuar në prapavijë përkrah emrave të tillë si David Alaba, Sokratis Papasthopulos dhe Philip Lahm. 30-vjeçari shqiptar fitoi konkurrencën për një vend në qendër të mbrojtjes me emra shumë të rëndësishëm si dyshja e Bayern-it dhe kombëtares gjermane, Mats Hummels dhe Jerome Boateng, lojtarin e Leipzigut Willi Orban si dhe talentin e Realit të Madridit Jesus Vallejo që luan si huazuar te Eintracht-i i Frankfurtit.

Për sa i përket qendërmbrojtësve që kanë bërë më mirë në pjesën e parë të kampionatit gjerman, Mavraj ishte lojtari i dytë më i preferuar nga tifozët duke grumbulluar 26% të votave, vetëm 1% më pak se greku i Dortmundit Sokratis që ishte më i votuari. Me 30 mijë e 452 vota në total, ish lojtari i Kolnit la pas me rreth 500 vota, Mats Hummels-in. Në 11-shen më të mirë të fazës së parë në Bundesligë, në portë është vendosur Manuel Neuer, në mbrojtje Alaba, Sokratis, Mavraj dhe Lahm. Mesfusha përbëhet nga dy talentet e Borussias së Dortmundit, Pulisic dhe Dembele si dhe Thiago Alcantara i Bayernit, ndërsa në sulm Aubameyang-Lewandowski dhe Modeste e kanë merituar plotësisht falë golave që kanë realizuar të jenë pjesë e kësaj 11-sheje.

31 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)



©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.