BERZH: Pabarazia është rritur

Edhe pse statistikat zyrtare tregojnë se pabarazia ka rënë, qytetarët perceptojnë të kundërtën. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cilësoi rritjen e pabarazisë së perceptuar një rrezik jo vetëm për ekonominë, por edhe stabilitetin politik.

“Njerëzit mendojnë se gjatë 4 viteve të fundit pabarazia është rritur edhe pse statistikat zyrtare thonë se ajo ka rënë. Ky tregues vlen shumë. Perceptimet e publikut janë më të rëndësishme sesa ajo që tregojnë statistikat zyrtare në formimin e besimit të individëve, në formimin e institucioneve ekonomike dhe politike, por mbi të gjitha ato ndikojnë mënyrën sesi votojnë qytetarët”, thotë Francesca Dalla Pozza nga BERZH.

Zhvillimi i pabarabartë mes shtresave të ndryshme të popullsisë është një fenomen që ka prekur të gjitha ekonomitë e ngjashme të rajonit, ku rritja ekonomike ka shkuar kryesisht tek një grup i vogël i popullsisë

“Raporti i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim evidenton se pabarazia në ekonomi, në mundësi dhe përfshirje financiare është rritur duke ndikuar negativisht mirëqënien ekonomike të vendeve në tranzicion. Gjetja e rrugëve të zgjidhjes është një sfidë e vështirë, ku edukimi financiar dhe përfshirja financiare vlerësohen si mundësi për të adresuar këtë problematikë”, deklaroi kreu i BSH, Gent Sejko.

Sipas Bankës Botërore, pabarazia u rrit veçanërisht gjatë krizës, e cila goditi më fort shtresat më të varfra. Por sipas ekspertëve të BERZH, lajmi i mirë është se periudha më e vështirë tashmë ka kaluar edhe në Shqipëri.

“Ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme prej 3 vitesh. Ne presim që kjo tendencë të vazhdojë edhe gjatë këtij viti me rritjen ekonomike që parashikohet të shkojë 3.5 përqind, e ndihmuar edhe nga projekti TAP. Por ajo nuk është e bazuar vetëm tek ky projekt, është një rritje me bazë të gjerë dhe kjo është inkurajuese”, u shpreh Peter Stanfey i BERZH-it.

27 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.