PD vijon me akuzat ndaj Veliajt, Bashkia publikon axhendën

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike Grida Duma ka deklaruar se Erion Veliaj thelloi skandalin e fluturimit me çarter dy ditë më parë, duke mos bërë transparencë, por duke mashtruar publikisht. Ajo ngre një sërë pyetjesh në lidhje me udhëtimin, që sipas saj është i dyshimtë.

Deklarata e PD                                                                                  

Erjon Veliaj thelloi skandalin e fluturimit me çarter dy ditë më parë, duke mos bërë transparencë, por duke mashtruar publikisht.

Ne e pyetëm sot në mesditë për motivin e vizitës me çarter në Paris, me datën 16 Janar, dhe i kërkuam të sqaronte se kush është biznesmeni që ka paguar këtë fluturim luksoz, dhe a ka ai interesa në bashkinë e Tiranës.

Veliaj përgjigjet duke përmendur vizitën që ka bërë me 17 janar, në Itali, pra vizitën që ka bërë dje. Kështu, ai e thellon skandalin, sepse i fshihet carterit të dy ditëve më parë, nuk bën transparencë dhe mundohet të hedhë mjegull duke përmendur një fluturim tjetër, të një dite më parë.

Dy ditë më parë, të hënën, në orën 9 e 20 të mengjesit është ulur në Rinas një avion çarter i kompanisë AVCON-JET. 40 minuta më pas, ky avion është rinisur për në Paris dhe në bord ishin 3 pilotë, Erjon Veliaj, Arbër Mazniku, Juli Dhamo dhe biznesmeni që erdhi, i mori e i shoqëroi në Paris, Artan Sheqeri.

Përse Erjon Veliaj e mohon këtë udhëtim? Pse fluturon me carter për në Paris me kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter? A e pagoi biznesmeni Sheqeri këtë udhëtim?

Cfarë interesash ka biznesmeni Sheqeri me bashkinë? A është i lidhur biznesmeni i çarterit me biznesin e plehrave ku u vra Ardit Gjoklaj?

Menjëherë pas deklaratës së Dumës ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës. Në njoftim zyrtar, Bashkia ripërsërit se atë ditë kryebashkiaku Veliaj ka qenë në Tiranë dhe kjo tregohet edhe nga aktivitetet publike.

Deklarata e Bashkisë

Ditë pas dite, në sytë e opinionit publik Partia Demokratike po faktohet si një parti, e cila po lundron në kufijtë e qesharakes.

Në përgjigje të Partisë Demokratike, po e ripërsërisim se ditën e Hënë, datë 16 Janar 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë në krye të detyrës dhe nuk ka udhëtuar në asnjë moment jashtë Tiranës, e jo më drejt Parisit. Kjo faktohet shumë lehtë, duke qenë se z. Veliaj ka pasur dy aktivitete publike atë ditë, vizitën në shkollën “4 Dëshmorët”, si dhe mori pjesë në konferencën “Ngritja e kapaciteteve të Shërbimit Social Shtetëror në kuadër të sistemit të ri të shërbimeve”, organizuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në “Hotel Doro”.

Gjithashtu, ditën e Hënë, z. Veliaj ka pasur edhe dy takime të rëndësishme me dy Ambasadorë të akredituar në Tiranë: Ambasadorin e OSBE-së, z. Bernd Borschardt dhe ambasadorin e Austrisë, z. Johan Sattler.

E sfidojmë Partinë Demokratike ta provojë qoftë me drejtuesit e shkollës “4 Dëshmorët”, qoftë me dy ambasadorët e nderuar Borchardt dhe Sattler, qoftë me Ministrin Klosi, për takimet në fjalë.

Na vjen keq që një parti, e cila kërkon të qeverisë vendin nesër, sot është përpjekur dy herë të mashtrojë opinionin publik.

Kjo luftë qesharake me Bashkinë e Tiranës për punë që ndodhin çdo ditë e që i prekin të gjithë, vetëm sa tregon sa poshtë ka rënë Partia Demokratike në prag të humbjes së saj spektakolare në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

18 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.