Sulm terrorist me kamion në Jerusalem, 4 persona të vdekur

Si pasojë e një sulmi me një kamion në Jerusalem janë vrarë të paktën katër ushtarë izraelitë. Mjekët në spitalet e Jerusalemit kanë konfirmuar se katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi të sotëm që ka ndodhur me një kamion në perëndim të kryeqytetit. Bëhet e ditur se sulmi ka ndodhur me një kamion i cili është futur me shpejtësi në një grup ushtarësh.

Policia ka kumtuar se si pasojë e një “sulmi të mundshëm terrorist” janë vrarë dhe plagosur shumë persona. Autoritetet nuk kanë kumtuar deri tani asgjë për identitetin e shoferit të kamionit, i cili siç thuhet, është “neutralizuar”. Muajt e kaluar në Jerusalem ka pasur disa raste të tjera të sulmeve me thikë ndaj forcave izraelite të sigurisë. Gjatë sulmeve janë përdorur edhe makina dhe armë të zjarrit.

Zëdhënësja e policisë, Luba Samri deklaroi se një kamion në jug të Jerusalemit ka ndërruar drejtimin e lëvizjes duke u përplasur në një grup ushtarësh nga të cilët 15 kanë mbetur të lënduar.  Sipas saj, sulmuesi, shoferi i kamionit është “neutralizuar”, ndërkohë që dy prej ushtarëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Të dhënat e para flasin se katër persona kanë vdekur, ndërkohë që informacione shtesë pritet të publikohen brenda ditës.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)







Comments are closed.