Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Reforma, ministri gjerman për Europën: Kaloni "Vetting"-un

Gjermani2Michael Roth, ministri i gjerman i Shtetit për Çështjet e Europës, i këshillon si qeverisë ashtu edhe opozitës që të ndërmarrin në mënyrë të përgjegjshme rolin e tyre konstruktiv në zbatimin e ligjit të Vetting-ut.

Në një intervistë për Top Channel, Roth thotë se shteti ligjor dhe pavarësia e drejtësisë janë kolonat e Bashkimit Europian, ndaj edhe Vetting-u është i rëndësishëm për ecjen e Shqipërisë  në rrugën e integrimit.

Top Channel: Zoti Roth, cili ka qenë qëndrimi i Gjermanisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm?

Michael Roth: Gjermania është në fakt një partner mjaft i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e integrimit të vendit tuaj drejt Bashkimit Europian. Ne me keqardhje konstatuam që në Këshillin e Përgjithshëm të Bashkimit Europian nuk mundëm të gjenim konsensusin. Në fakt, bllokada u bë nga një shtet, Austria dhe ne për fat të keq nuk ia dolëm dot që ta kapërcenim atë, por kjo nuk ka të bëjë aspak me Ballkanin perëndimor apo Shqipërinë. Për fat të keq nuk arritëm të dilnim në konluzione të përbashkëta, pasi pati këndvështrime të ndryshme lidhur me Turqinë. 27 vende anëtare që mendonin në një mënyrë dhe një vend në një mënyrë tjetër, mirëpo për këtë qëndrim nevojitet unanimiteti. Por unë kam ardhur me shumë kënaqësi në Tiranë, pikërisht për të shprehur edhe njëherë vlerësimin tim lidhur me hapat e mëdha reformativë që ka ndërmarrë Shqipëria këtë vit, në mënyrë të veçantë ajo që i përket reformës në sistemin e drejtësisë, e cila është një hap mjaft i rëndësishëm në rrugën e vendit tuaj drejt Bashkimit Europian. Nëse Shqipëria do të vazhdojë të ecë po me këtë vendosmëri dhe entuziazëm në rrugën e reformave, jam plotësisht optimist që ne, në momentin më të parë të mundshëm do të hapim në mënyrë zyrtare bisedimet e anëtarësimit.

Top Channel: Zoti ministër, a ka një diferencë qëndrimesh nga qeveria gjermane dhe Bundestagu, nisur nga deklaratat e kancelares Merkel dhe deputetit Krichbaum që  erdhi në Shqipëri dhe vuri 7 përparësitë?

Michael Roth: Unë këtu përfaqësoj pozicionin e qeverisë federale, i cili është një dhe i bashkuar. Është pikërisht shprehja e respektit për reformat dhe progresin e arritur në Shqipëri në këtë periudhë dhe Gjermania është një partner i ngushtë i Shqipërisë në këtë drejtim dhe në këto përpjekje. Pikëpamjet e veçanta të deputetëve të veçantë, të partive të veçanta, sikurse mund të jetë edhe CDU-ja, nuk do duhej të mbivlerësoheshin.

Top Channel: Të enjten Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim për Vetting-un, për të cilin të gjithë thonë se është një ligj shumë i rëndësishëm. Cilat janë pritshmëritë e Gjermanisë për këtë vendim?

Michael Roth: Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë në këtë drejtim. Komisioni i Venecias ndërmori, sikruse e dimë, verifikimet e nevojshme të cilat u përmbyllën në mënyrë pozitive, ndaj unë do të thosha që zbatimi i ligjit të Vetting-ut do të duhej të niste pa vonesë. Unë mund t’iu këshilloj të gjitha palëve, sikurse qeverisë ashtu edhe opozitës parlamentare, që të ndërmarrin në mënyrë të përgjegjshme rolin e tyre konstruktiv në zbatimin e këtij ligji, pasi shteti ligjor dhe në mënyrë të veçantë pavarësia e drejtësisë janë kolonat thelbësore dhe kryesore të sistemit të vlerave demokratike që dhe Bashkimi Europian përfaqëson. Dhe në këtë kontekst do duhej të fillohej sa më shpejt me ligjin e Vetting-ut, i cili luan një rol qendror në këtë drejtim. Unë personalisht jam optimist për këtë.

21 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)/TCH

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore