Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Vetting-u, PD: Përkthimi i deformuar në detajet kyçe, ja provat

vetinguNjë ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, që linte të kuptohej se PD po e vonon ligjin e Vetting-ut nga frika, partia më e madhe e opozitës ka reaguar duke u shprehur e palëvizshme nga qëndrimi i saj për dërgimin e përkthimit të gabuar të ligjit në Komisionin e Venecias.

Në një konferencë për shtyp, deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka paraqitur një seri provash “kokëforta”, të cilat vërtetojnë sipas tij se teksti i Vetting-ut është deformuar në mënyrë të qëllimshme.

“Që në momentin kur u miratuan amendamentet për Kushtetutën, PD e ka mbështetur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Por kjo nuk bëhet duke manipuluar përkthimin, duke bërë që Komisioni i Venecias të hyjë në drejtim të gabuar. Ka një tentativë që të bëhet e mundur që ligji i Vetting-ut të mos konsiderohet si një ligj që ka probleme të rënda. Kushtetueshmëria nuk arrihet me deformimin e ligjit dhe as me etiketimin e atyre që e kanë konstatuar”, ka thënë Bylykbashi.

Në vijim provat e publikuara nga deputeti Bylykbashi:

“Gjykata Kushtetuese, më 25 tetor, pati presion nga mazhoranca për ta cuar pa asnjë vonesë ligjin në Komisioni i Venecias. Më 25 tetor u mor vendimi, më 28 tetor është dërguar nga gjykata në Venecia përkthimi i ligjit.

Nga kontaktet zyrtare me Gjykatën Kushtetuese, përkthimi i dërguar është i bërë nga Euralius. Komisioni i Venecias ka publikuar më 16 nëntor tekstin e Kushtetutës dhe ligjit.

Me dokumentat e publikuara online, Komisioni i Venecias ka bërë një transparencë të plotë: ka tekstin e Kushtetutës, ligjin me tekstin e gabuar, si dhe ligjin e përkthyer dhe të dërguar më pas. Ndërkohë, web site të tjera, përfshirë EURALIUS, i kanë hequr përkthimet e mëparshme që ishin në faqet e tyre.

Ekspertët e PD e zbuluan më 25 nëntor këtë deformim duke verifikuar përkthimin e tekstit kushtetues dhe të ligjit në faqen e Komisionit të Venecias. Kjo ju bë prezente Gjykatës Kushtetuese, që pranoi faktin se përkthimi është i EURALIUS, që i është dërguar KV dhe mori përsipër të bëjë përkthimin zyrtar me ekspertë të liçencuar nga Ministria e Drejtësisë.

Gjykata mori përsipër faktin se ka dërguar ligjin, por jo tekstin e Kushtetutës. Nga verifikimet e mëtejshme, as Kuvendi dhe as Ministria e Drejtësisë, si dy autoritete shtetërore kompetente, nuk e kanë dërguar. Mbetet për t'u sqaruar kush e ka dërguar, sepse sipas shënimit që ka dokumenti zyrtar në faqe, në footnote-n e parë, teksti i Kushtetutës është dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare. Duhet të kuptohet kush ishte ky autoritet shtetëror që donte të çonte në drejtim të gabuar, me një përkthim me gabime shumë të rënda. Dhe fakti që gjenden gabime tek nenet e diskutuara tregon qartazi vetëm një qëllim: aspak në përputhje me Kushtetutën. Kemi vënë në dijeni KV.

Më 30 nëntor, Gjykata Kushtetuese ka dërguar zyrtarisht, përkthimin zyrtar, që gjendet në faqe dhe është korrekt dhe KV e ka publikuar këtë variant, pa hequr atë të vjetrin. Ka edhe një fakt tjetër të rëndë. KV tregon se versioni i parë i ligjit nuk daton as datën 28 tetor e as 16 nëntor që është në web site, por datën 16 tetor.

Pra, varianti me gabime është dërguar 9 disa ditë para se të vendoste gjykata dhe 12 ditë para se ajo të dërgonte variantin e parë të gabuar. Pyetja që shtrohet është: kush kishte interes të çonte KV në drejtim të gabuar?

Sepse ka ndryshim të përmbajtjes substanciale, për ta bërë versionin shqip të duket më pak i rëndë në anglisht. Janë deformime të rënda dhe mangësi të tjera”.

Në përfundim të deklaratës, Bylykbashi ka shprehur gatishmërinë e opozitës që gjërat sa i takojnë reformës në drejtësi të marrin rrugën e duhur.

“Ne presim që jo vetëm të ekzekutohet vetting-u, por të ngrihet menjëherë SPAK, që kryeministri dhe ministrat e tij të mos bëjnë më deklarata në simpoziume kundër korrupsionit, por të bërballen me drejtësinë për dosjet skandaloze të korrupsionit që janë përpara prokurorisë”, ka thënë Bylykbashi.

Më pas deputeti demokrat u është përgjigjur pyetjeve të mediave.

Top Channel: Ju pyesni se kush gënjen. Ambasadori Lu thotë se gënjen PD dhe se e ka stisur përkthimin dhe citon kreun e Gjykatës Kushtetuese që thotë se “ndryshimet nuk janë thelbësore”. Keni një përgjigje për këtë?

Oerd Bylykbashi: Faktet tregojnë cila është e vërteta. Këto janë dokumenta që janë dërguar nga autoritetet shqiptare në Venecia. Problemin me këto fakte e të vërteta duhet ta zgjidhë kushdo në mënyrë individuale, por ato nuk lënë vend për interpretime. Përkthimi i dërguar më 16 tetor në Venecia nga një autoritet shtetëror është ai që vërteton edhe Gjykata Kushtetuese, se është përkthimi i EURALIUS. Duhet ta gjejnë ata që e kanë dërguar se kush është pas këtij manipulimi. Ne kemi konstatuar faktet, kemi pritur më shumë se një javë që kësaj çështjeje t’i jepet zgjidhje dhe meqë ka një tentativë të fortë që publikisht dhe nën rrogozë të manipulohet opinioni publik se PD po përdor një version të vjetër, kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini se PD i ka marrë vetëm 24 orët e fundit, para miratimit, draftet në shqip dhe kurrë në anglisht. Këto janë fakte që duhet t’i investigoni ju.

Top Channel: A keni menduar se çfarë interesi ka ambasadori Lu të manipulojë Venecian dhe opinionin publik?

Oerd Bylykbashi: Nuk është kjo çështja që duhet të zgjidhim ne dhe që na preokupon. Këto dokumenta janë dërguar nga autoritete që kanë interes që ligji të kalojë në mënyrë anti-kushtetuese. Pra, të qëndrojë në fuqi ashtu siç është, me këto shkelje. Përkthimi zbut anti-kushtetueshmërinë e tekstit në shqip duke i hedhur hi syve të Komisionit të Venecias. Më pas, kushdo që ka një opinion ndryshe me këtë është problemi i tij.

Top Channel: Ju  thatë që EURALIUS ka hequr çdo përkthim nga faqja, keni kontaktuar me ta për sqarim?

Oerd Bylykbashi: Ne këto verifikime për dokumentacionin i kemi bërë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Venecias. Aktualisht kreu i këtij misioni nuk është në Shqipëri dhe një person tjetër është ai që jep informacione lidhur me draftet që janë publikuar dhe kur janë publikuar, por ky nuk është problemi ynë. Fakt është se në këtë moment në faqen e këtij misioni nuk ka një përkthim në anglisht. Po ashtu mbetet fakti i pohuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese se përkthimi është i EURALIUS. Kaq janë në dispozicionin tonë si fakte e që mjaftojnë për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

6 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)/TCH

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore