I PASHOQI TONI BLER

ARBEN MANAJ

Arben ManajLe të biem dakord të mos biem dakord, është një aksiomë e njohur britanike, me të cilën dua të qetësoj të gjithë ata që do të lexojnë këtë opinion timin, për njeriun që unë me bindje e kam thënë privatisht, dhe po e them edhe publikisht, që nuk i vjen më këtij vendi, Britanisë, ku jetoj dhe i them vendi im i dytë prej më shumë se 23 vjetësh.

Këto ditë ka një fushatë të pritshme ndaj figurës dhe trashëgimisë politike të Toni Blerit, njeriut që edhe unë kam shkruar, po në këtë gazetë, për çështjen e vullnetarizmit të tij në këshillimin zyrtar ndaj qeverisë aktuale shqiptare, të cilin e kam vënë në dyshim, deri në momentin e bindjes faktike të publikimit të të ardhurave të tij dhe deklarimit të taksave për të konfirmuar ose jo skepticizmin tim për “pro-bonizmin” e tij, ekskluzivisht shqiptar.

Përpara se të kaloj te “patatja e nxehtë” e Irakut, më duket e pandershme, cinike dhe djallëzore tërë ajo fushatë ndaj “pasurimit të Blerit” në median britanike, për konsulencën e tij për qeveri të ndryshme, pas largimit nga posti i Kryeministrit të Britanisë.

Karta e moralitetit e përdorur nga një amalgamë kundërshtarësh të tij politikë e mediatikë, në ekstremet e së majtës dhe të djathtës politike britanike, ziliqarësh dhe naivësh, nuk pi ujë, kur i kërkojnë Blerit, të veprojë sikur ka ardhur nga një planet tjetër, e të mos shesë, në fund të fundit, ekspertizën e tij, lidhjet e tij politike dhe influencën, për t’u pasuruar për veten dhe familjen.

Kjo është shumë më e ndershme që ai ta bëjë përmes një transparence të admirueshme përgjithësisht thjesht tipike për politikën britanike, sesa të vetëpasurohej në kohën kur ishte në “10 Downing Street”.

Sasa pak ujë mban argumenti moral, është referimi p.sh., që Britania mban marrëdhënie diplomatike dhe jo vetëm, me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe jo më larg se këtë të hënë tabloidi Daily Mail, habitet se përse Bler i kërkoi vendit të pasur me naftë 35 milionë sterlina, për konsulencën për të shtuar reputacionin dhe influencën e këtij shteti në botë!

Në fund të fundit, Bleri, si çdo individ në kapitalizëm, thjesht po vë në funksion të mirëqenies së tij private dhe familjare një aftësi dhe ekspertizë specifike, siç vëmë të gjithë ne, të ditur apo jo, në fushat tona respektive.

Ai, nuk është as i pari dhe as i fundit, që fiton kur këshillon një qeveri tjetër, tani që është jashtë politikës zyrtare, apo kur mban fjalime, i ftuar kundrejt pagesave, siç bëjnë shumica dërmuese e politikanëve ndërkombëtarë, që ua kërkojnë mëndtë për çështje që kanë nevojë për brilancën e tyre politike.

Kështu ka bërë dhe bën edhe Gordën Brauni, e shumë e shumë politikanë të tjerë në Britani dhe në mbarë botën demokratike. Shrëderi i Gjermanisë me Gazpromin rus, është një tjetër shembull.

Por më e paprinciptë është lufta politike që i bëhet Blerit, për rastin e fillimit të luftës në Irak, sidomos nga njerëz që kanë qenë krahu i djathtë i tij, siç ishin goditjet nga ish- zëvendëskryeministri i tij, John Prescot apo ish-ministrja e tij për Zhvillimin Ndërkombëtar, Clare Short, a thua se këta nuk ishin në një dhomë kur merreshin vendime të tilla politike që ishin në thelb kolektive, pasi po qe se do të kishin qenë personale, siç pretendohet sot, “pas pilafit”, do të kishte qenë më e ndershme që ata të kishin dhënë dorëheqjen që në atë kohë, sa ishin në kabinetin e qeverisë së Blerit, pa folur që zonja Short, e cila mbulonte ndihmat britanike për botën, e dukshëm nuk ka pasur plane sesi do zhvillohej dhe rindërtohej Iraku pas luftës, çka ishte prerogativë e saj.

Në këtë aspekt, edhe pse nuk kam ndonjë respekt të veçantë, për të mos thënë hiç fare, për udhëheqësin aktual të Laburistëve, Jeremy Corbyn, një fosileje historike politike, sërish kam më respekt për të, që ka qenë që në atë botë, kundër luftës në Irak dhe Kosovë, sa për dijeni, kur ishte deputet laburist, sesa për ata që i kanë ndenjur në krah Blerit, e tani e godasin dhe bëjnë pseudo-autokritika, që i vënë një pikëpyetje të madhe të qenët më së pari, politikanë.

Toni Bler, faktikisht dhe fatkeqësisht, nuk është në gjendje të vetëshpjegohet publikisht për shkak të asaj që quhet “të qenët politikisht korrekt”, dhe vetë kodeve të politikës dhe diplomacisë, dhe kurrë nuk ka për ta pranuar publikisht sa të jetë gjallë, arsyet e vërteta të shkrirjes së Britanisë në luftë përkrah amerikanëve.

Thënë troç, ajo që ai nuk e thotë dot, është se Britania shkoi në luftë, jo për të mbjellë farën e demokracisë në Irak, pasi kjo farë nuk mbin në ato toka të shkretuara, ku shkurret e despotizimit, absolutizmit dhe totalitarizmit, nuk lënë hapësira për filiza të reja për një mijë e një arsye historike, psikologjike, fetare etj., etj.

Toni Bler shkoi në luftë për naftën e atyre zonave. Kjo është e vërteta dhe bindja ime absolute.

Në këtë aspekt, ai u soll për hir të interesave të vendit të tij, një shtetar i madh, që i shërbeu më së miri interesave të tij kombëtare, siç bënë amerikanët.

Kush mendon se luftërat janë njësoj si “lojërat e luftërave” (War Games), me të cilat argëtohen të rinj e të rritur në Playstation, e Bush e Bler po argëtoheshin në ranch-in e Bushit në Teksas, se nuk kishin tjetër me çfarë të merreshin, është e kot dhe kohë e humbur ta bindësh për të kundërtën.

Argumentueshëm, kjo mund të shkaktojë debat përgjithësisht nga naivët dhe ata që kanë qejf në Perëndim a Lindje, të ndezin makinat e të fluturojnë me avionë që funksionojnë me naftë e superbenzinë të përballueshme, por që mbeten të pafjalë dhe pa argument, kur në kohë krizash, radhët e makinave përpara pikave të karburantit shkojnë me kilometra në rast të mungesës së këtij burimi energjie, pa të cilin çdo ekonomi ngec në vend.

Padyshim, kjo nuk është idealja si qasje, por a nuk ka qenë bota historikisht e tillë?! A nuk kanë vepruar perandoritë që nga lashtësia e deri më sot, me të tilla parametra dhe qasje?!

Historikisht, dhe deri sa të ketë jetë në këtë planet, pa pasur asnjë iluzion, “peshku i madh ka për ta ngrënë peshkun e vogël”, sado që do të donim të mos ishte kështu.

Edhe Rusia, për ta bërë më të qartë argumentin, kudo ku ka shkuar dhe është përfshirë ushtarakisht, e ka bërë jo për parime të pastra morale, por për interesa të pastra gjeopolitike e gjeostrategjike, siç veproi në Siri apo në konfliktet e mëparshme të viteve të Putinit, por edhe Andropovëve & Co.

Nafta ka qenë një faktor vendimtar në rastin e Irakut, përpos interesave të tjera gjeostrategjike në atë rajon me naftë dhe gaz.

Interesant është fakti që në mediat botërore rrallë, për të mos thënë hiç fare, nuk lexon se çfarë ndodh në zonat dhe fushat naftëmbajtëse të Irakut, ku nuk ka luftë e dhunë, dhe çuditërisht ka “oaze paqe”.

E po në këto media, nuk ka asnjë lajm për ndarjen e këtyre fushave naftëmbajtëse nga Fuqitë e Mëdha dhe kompanitë e naftës të këtyre vendeve dhe as sasitë naftës që gjenerohen çdo ditë prej tyre!

Në botën e ndërvarësisë së pashmangshme ekonomike dhe të burimeve dhe resurseve energjetike, luftërat dhe ndërhyrjet e nëndheshme apo të mbidheshme, janë të pashmangshme.

Ndaj Toni Bler pati parasysh këto interesa të vendit të tij, por edhe aleancën historike me amerikanët, që i ka siguruar Britanisë, atë pozicion ndërkombëtar që ka pasur dhe ka.

Në këtë aspekt, thjesht për interesa të pastra britanike, atij i duhet ngritur monument, përkrah Çurçillit e Theçerit.

Por, nga ana tjetër, Toni Bler ka treguar se di të ndërhyjë dhe japë kontribut për paqen, edhe pa pasur këto interesa të sipërpërmendura në mendje. Rasti i luftës në Kosovë është shembulli më i qartë, të cilin kritikët e tij nuk e përmendin, tinëzisht.

Toni Bler, padyshim, që nuk është qelibar; se asnjë politikan në botë nuk është i tillë dhe nuk mund të pretendohet të jenë të atillë, por ai edhe sot që nuk është aktiv në politikën e brendshme britanike, sërish me idetë dhe ndërhyrjet e tij në momente vendimtare, dëshmon se është shumë larg të tjerëve dhe i mungon dhimbshëm politikës britanike, fatkeqësisht për mua dhe fatmirësisht për kundërshtarët e tij.

Por këto punët e opinioneve, qofshin edhe subjektive, si ky imi, i zgjidh historia, e cila figura të tilla i kalon përmes disa procesesh përbaltjesh në fillim e lartësimi në piedestalet e saj më vonë, kurdo qoftë ajo kohë, sipas kontributit dhe meritave të tyre.

Edhe Toni Bler nuk bën përjashtim.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Bashkim says

    Vec naftes duhet të kemi parasysh edhe tre faktore të tjere qe cuan ne happen e luftes ne Irak
    Sadam Hussein ishte nje sponsorizues I terrorizmit nderkombetar Kujtoni cekun 25000 dollar per familjet e xhihadisteve palestineze
    Sadami kishte perdorur lendet kimike dhe kishte dhe nje Ministri Kimike pa pasur industri kimike të mirfillte
    Sadami kishte organizuar vrasjen e Presidentit G H Bush

Comments are closed.