Rregullat e Bankës së Shqipërisë për transportimin e vlerave monetare

banka e shqiperiseSiguria dhe masat. Rregullorja u miratua pak javë para supergrabitjes

Rregullorja për sigurinë dhe transportin e vlerave monetare nga Bankat u rishikua nga Banka e Shqipërisë vetëm një muaj para se të ndodhte vjedhja në ambientet e Aeroportit të Rinasit. Kjo rregullore, e cila tashmë është në fuqi, përcakton kërkesat minimale për sigurinë në ambientet në të cilat ushtrohen veprimtaritë bankare, si dhe për transportin e vlerave monetare, me qëllim zhvillimin normal dhe në mënyrë të sigurt të këtyre veprimtarive. Subjekte të kësaj rregulloreje janë bankat, degët e bankave të huaja, zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jobanka, që kryejnë veprimtari financiare me sportel dhe/ose me agjentë. Rregullorja e re lejon bankat në vlerësimin e tyre të marrin edhe masa për sigurimin e jashtëm të ambienteve në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre, gjatë dhe pas orarit të punës, në varësi të nivelit të rrezikut të perceptuar. Edhe në këtë rast, masat e sigurimit kryhen me punonjës të certifikuar sipas ligjit nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”. Rregullorja e re nuk është se ka ndryshuar thelbësisht kërkesat për transportin e vlerave monetare. “Bankat marrin masat e nevojshme për transportimin në mënyrë të sigurt të vlerave monetare. Transporti i vlerave monetare realizohet në përputhje me kërkesat e parashikuara në ligjin nr. 75/2014, datë 10.07.2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, si dhe të akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij. Transporti i vlerave monetare realizohet me punonjës shërbimi të SHPSF-së, me licencë të kategorisë “I.3.B” përcaktohen në rregulloren e re të bankës. Aty thuhet se në çdo degë dhe agjenci të bankës caktohet një punonjës, i cili krahas detyrave të tij, është përgjegjës edhe për zbatimin e procedurave dhe masave për sigurinë. Banka rishikon në mënyrë periodike dhe përditëson procedurat dhe masat për sigurinë. Banka ushtron veprimtaritë në ambiente, të cilat kanë hapësirat e nevojshme dhe kushte të përshtatshme për mirëmbajtjen e dokumentacionit, si dhe të vlerave monetare dhe kanë miratimin nga shërbimet e MZSH-ve përkatëse për masat e marra ndaj zjarrit. Ambientet duhet të jenë të arritshme nga njësitë e specializuara të sigurisë dhe transportit të vlerave monetare dhe të kenë qartësisht të ndara në zonën e pritjes së klientit, zonën e arkëtarëve, si dhe zonën e ruajtjes së vlerave monetare fizike dhe zonën ku vendosen sistemet e teknologjisë dhe informacionit. Sipas rregullores, zona ku vendosen sistemet e teknologjisë dhe të informacionit duhet të jetë një zonë plotësisht e ndarë nga zonat e tjera, të kenë procedura të miratuara për lëvizjet në këtë zonë, të ketë mbrojtje elektronike me: sensorë lëvizjeje, sensorë tymi, të ketë sistem monitorimi me telekamera për: hyrjen për në këtë zonë dhe në ambientin e brendshëm të saj. Banka për sigurinë e ambienteve me anë të sistemeve elektronike, ka telekamera, të cilat filmojnë në mënyrë të pandërprerë: sipërfaqet e jashtme të fasadës në hyrjen për në ambientin e brendshëm; zonën e qëndrimit të konsumatorëve; sportelin, veprimet në ATM; rrugëkalimet dhe ambientet brenda bankës, ku kryhen procedurat e marrjes dhe dorëzimit të vlerave monetare.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.