Sejko: Konsumatori dhe biznesi nuk po dalin nga pesimizmi

Gent SejkoGuvernatori tha se Brexit na prek nga ndikimet indirekte.

BSH-ja, gati planin shtesë për 36 korporatat problematike

Ekonomia e Shqipërisë mbetet imune nga Brexit, por biznesi dhe konsumatori nuk po dalin nga pesimizmi. Deklarata është bërë nga guvernatori Sejko, i cili ka shpjeguar për Brexit, se ekspozimi tregtar është i papërfillshëm, investimet direkte nga Britania janë në kuota shumë të ulëta dhe bankat shqiptare nuk kanë ekspozim në Britani. Sejko tha se Shqipëria mund të preket nga ndikimet indirekte, nëpërmjet partnerëve të ngushtë tregtarë. Por ai beson se materializimi indirekt do të jetë i ulët dhe nga ana tjetër, ekonomia dhe sistemi bankar shqiptar ndihet edhe më i përgatitur, nisur nga precedenti Grexit i vitit të kaluar.

Guvernatori

Por, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi zhvillimet e politikës monetare të gjashtëmujorit të parë të vitit, tha se besimi i bizneseve dhe konsumatorëve ka shfaqur luhatje edhe në tremujorin e dytë të vitit. Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë në 1.25%, po ashtu dhe normat ndërmjetëse. Sejko shtoi që besimi i ulët mbi perspektivën e ekonomisë po mban nën presion ecurinë e kërkesës së brendshme, duke ndikuar kështu negativisht të gjithë zinxhirin e ekonomisë. “Investimet private në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti kanë përfituar nga likuiditeti i bollshëm dhe normat e ulëta të interesit, duke shfaqur rritje pozitive”, tha guvernatori, duke vënë në dukje se deficiti tregtar është zgjeruar në gjashtëmujorin e parë, për rrjedhojë, shkëmbimet me jashtë nuk do të kontribuojnë në rritjen ekonomike. Zhvillimet buxhetore u bazuan në të ardhura më të mira dhe shpenzime më të ulëta, por investimet publike janë alokuar nën planifikime. “Ne presim që shpenzimet kapitale të rriten. Një shpërndarje më e mirë e tyre do të ndihmonte ekonominë dhe tregjet”, tha Sejko. Nga ana tjetër, likuiditeti paraqitet në kuota të bollshme dhe ecuria e bankave mbetet e qëndrueshme. Kredia për ekonominë u rrit 2.8% deri në prill, por ecuria e tij mbetet nën objektivat e Bankës. Inflacioni vjetor arriti 0.7 në maj dhe po shkon në krahun e pritjeve të Bankës së Shqipërisë. Informacioni i ri nuk i ka ndryshuar pritjet për rritjen ekonomisë, duke i lënë projeksionet të njëjta për periudhën afatmesme. Banka e Shqipërisë pret përmirësim progresiv të ekonomisë në periudhën afatmesme. Efektet e politikës monetare vijojnë të transmetohen në përshtatje me objektivat e Bankës. Ndaj Këshilli i Mbikëqyrjes vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit dhe normat e tjera ndërmjetëse.



Plani shtesë

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë i ka raportuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se ka gati një plan të detajuar se si do të trajtohen 36 korporatat e mëdha që zotërojnë rreth 65 për qind të huave me probleme. Plani synon të jetë finalizuar në fund të këtij viti, nëse ligji i ri për falimentin do të mund të hyjë në fuqi para vjeshtës. Pas vënies në zbatim të planit të përgjithshëm për trajtimin e kredive me probleme, Banka e Shqipërisë ka si pjesë më të vështirë të zbatimit të planit, trajtimin e 36 kompanive, ndërmjet tyre ARMO, Kurum dhe disa kompani në industrinë përpunuese e ndërtim. Mes kredimarrësve të mëdhenj problematikë janë edhe biznese në sektorin e arsimit. Plani i detajuar për 36 korporatat nis me miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit. Tashmë ligji është depozituar në Kuvend dhe pritet të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti. Ligji i ri i falimentit lejon miratimin e përshpejtuar të planeve të riorganizimit, dhe siguron mbrojtjen më të lartë mbi të drejtat ekonomike dhe qeverisëse të kreditorëve të siguruar dhe të pasiguruar. Banka e Shqipërisë ka tashmë gati disa masa rregullative që synojnë përshpejtimin e uljes së kredive me probleme përmes ristrukturimit të borxhit jashtë gjykatës. Gjithsesi burimet nga Banka e Shqipërisë kanë bërë me dije se falimenti për rreth 17 kredimarrësit e mëdhenj është i pashmangshëm. Huat me probleme kanë shënuar një tjetër rritje në muajin prill, duke u ngjitur sërish në nivelin e 20%, sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave. Në mars, ky tregues ishte 19.3%, ndërsa në dhjetor 2015 kishte zbritur në 18.2%, si rrjedhojë e një procesi të fshirjes së huave nga bilancet e bankave që kishim më shumë se 3 vjet që nuk ktheheshin. Pavarësisht se sistemi bankar fshiu rreth 23 miliardë lekë hua të humbura në vitin 2015 (sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë), kredi të tjera kanë kaluar në këtë kategori (huat klasifikohen në të humbura kur vonesa e pagesës së principalit ose e interesave i kalon 365 ditë). Në prill, kjo kategori është rritur me 2.7 miliardë lekë, apo rreth 3%, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të kredive me probleme. Një pjesë e huave të dyshimta (181 deri në 365 ditë vonesë) kanë kaluar në prill si hua të humbura. Në total, huat e humbura, që nuk ka shumë shpresë të rikuperohen nga bankat ishin 60 miliardë lekë (430 milionë euro), apo 10.3% e totalit të stokut të kredisë të dhënë për bizneset e individët. Në dhjetor 2015, niveli i kredive të humbura ndaj totalit zbriti në 9.8%.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.