Vjedhja e Thesarit, kërkohet dëshmia e Ermelinda Meksit  

MeksiGjykata thërret si dëshmitare anëtaren e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në procesin ndaj Elivar Golemit, që akuzohet për shpërdorim detyre. Do pyetet edhe Teuta Baleta, ish-kryeinspektorja e BSH-së

Vjedhja e Thesarit të Shtetit nuk është mbyllur përfundimisht, pavarësisht se dy organizatorët Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia janë në qeli, dhe Ardian Fullani është shpallur i pafajshëm. Gjykata vazhdon procesin gjyqësor ndaj Elivar Golemit, ish-kryeinspektorja e Përgjithshme e BSH-së, e cila akuzohet për shpërdorim detyre. Gjykata ka bërë dhjetëra seanca, por pa mundur dot të mbyllë shqyrtimin gjyqësor. Në seancën e fundit, e mbajtur më 30 qershor, gjykata ka thirrur për dëshmi ish-deputeten e PS-së, Ermelinda Meksi, si person që ka dijeni për ngjarjen.

Gazeta “Shqip” ka siguruar procesverbalin e seancës në fjalë, ku është vendosur të dëshmojnë Meksi dhe Teuta Baleta, ish-kryeinspektorja e BSH-së. “Seanca e datës 30 qershor shtyhet për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve. Gjykata e ndodhur në këto kushte vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për më datë 11.07.2016 ora 13.00 me qëllim njoftimin e dëshmitarëve të kërkuar nga prokurori. Të përpilohet një shkresë për oficerin e policisë gjyqësore, Klevis Çifliku, i cili duhet të lajmërojë dhe shoqërojë në gjykatë dëshmitaret Ermelinda Meksi dhe Teuta Baleta. Palët prezent, prokurori Ndini Tavani, e pandehura Elivar Golemi, avokatët Fatos Shanaj dhe Vladimir Meçe, morën dijeni”, thuhet në këtë procesverbal.



Sipas dosjes së prokurorisë, Prokuroria e Tiranës pretendon se ka zbardhur shkeljet e ish-kryeinspektores, Elivar Golemi. Akuza thotë se Elivar Golemi rezulton se në asnjë rast nuk i ka raportuar periodikisht Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka audituar Departamentin e Emisionit e konkretisht, arkën për veprim dhe arkën stok që konsiderohen si pika rreziku. “Edhe për këto arka nuk është kryer audit që nga viti 2011 duke i lënë dorë të lirë vjedhjes së shumave të parave nga këto arka. Pra nuk janë respektuar kërkesat e ligjit dhe udhëzimeve të Këshillit Mbikëqyrës”, thuhet në dosje.

Sipas saj, duke vlerësuar provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, deklarimet e dhëna nga shtetasi Ardian Bitraj, i cili shpjegon se ka realizuar vjedhjen si rezultat i mungesës së rregullave dhe akteve nënligjore në departamentin e emisionit, mosmarrja e masave për aktet rregullative, moszbatimi i udhëzimeve të miratuara, refuzimi i rekomandimeve të inspektorit të përgjithshëm për mirëfunksionimin e departamentit të emisionit, pasqyrojnë faktin se mosveprimet e të pandehurës Elivar Golemi janë kryer me dashje dhe kanë lejuar vjedhjen e parave nga arkat e departamentit të emisionit.

Vjedhja e Thesarit të Shtetit u konsiderua një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në Shqipëri. Megjithatë, ngjarjet që e pasuan duket se e sfumuan, pasi në vendin tonë, skandalet nuk zgjasin as tri ditë. Në atë kohë, prokuroria ngriti akuzë ndaj disa zyrtarëve të BSh-së, përfshirë edhe ish-guvernatorin Ardian Fullani. Çështja shkoi në gjykatë, por që u nda copa-copa. Fullani u shpall i pafajshëm, ndërsa Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia u dënuan, si organizatorë. Të tjerë punonjës u dënuan me disa muaj burg, ndërsa enigmë mbeten paratë. Ku shkuan? Kush i përvetësoi? A gënjeu Ardian Bitraj kur tha se i ka luajtur bixhoz? Këto pyetje, por edhe shumë të tjera, mbeten ende pa përgjigje, ndërsa i vetmi proces që mund të hedhë sadopak dritë me vjedhjen e Thesarit është pikërisht gjyqi ndaj Elivar Golemit.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.