Brexit nuk na rrezikon, FMN: Kujdes nga borxhet e reja të prapambetura

FMN PERMBYLL VIZITEN NE TIRANE - Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Gent Sejko, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe Shefja e Misioni i Fondit Monetar Nderkombetar, Anita Tuladhar, gjate nje konference shtypi, pas vizites 2 javore ne vendin tone te Misionit te Fondit Monetar Nderkombetar./r/n/r/nAHMETAJ IN CONFERENCE WITH TULADHAR - Governor of the Bank of Albania, Gent Sejko, Minister of Finance, Arben Ahmetaj and Head of Mission of the International Monetary Fund, Anita Tuladhar, during a press conference, after 2-week visit in our country of the Mission of the International Monetary Fund.Konferenca

Ministri Ahmetaj: Paketa e re fiskale, gati në korrik

Qeveria shqiptare nuk duhet të lejojë krijimin e detyrimeve të reja te bizneset. Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga shefja e Misionit të FMN-së, që ka përmbyllur vizitën në Tiranë, ndërkohë që ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ekonomia shqiptare po konfirmon stabilitet, ndërsa qeveria i mbetet besnike parashikimit për rritje 3.4% për vitin 2016. Kjo rritje do të jetë pozitive, sipas Ahmetaj, pavarësisht ndonjë ndikimi që mund të vijë nga faktorët e jashtëm.

Përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë, Anita Tuladhar, tha se ekonomia shqiptare do të rritet brenda parashikimeve dhe se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në përgjithësi janë në përputhje me parashikimet e bëra në buxhet, duke konfirmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra. “Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë mbi politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e tetë të EFF-së. Programi ekonomik i vendit po ecën përgjithësisht në drejtimin e duhur, duke shënuar ecuri të mirë në çuarjen përpara të reformave strukturore në fusha si legjislacioni për falimentimin dhe duke përmbushur të gjitha kriteret sasiore të performancës të përcaktuara nga programi. Megjithatë, rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore. Po ashtu, ka pasur vonesa në miratimin e planit të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Po ashtu, Ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin 2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3,4%, mbështetur nga një fluks i madh investimesh të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjetik dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme, ndërkohë që politika monetare vijon të jetë lehtësuese. Inflacioni pritet të mbetet në nivele të ulëta, duke u rritur gradualisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016, për të shënuar 1,8% në fund të vitit, orientuar nga një rimëkëmbje graduale të çmimeve të naftës dhe ushqimit”, deklaroi FMN.

Më tej, Tuladhar tha se buxheti i vitit 2016 synon të arrijë një suficit primar prej 0,3% të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet ishin në përputhje me objektivat e vendosura gjatë pesë muajve të parë të vitit 2016, pavarësisht çmimeve jo të qëndrueshme të naftës dhe inflacionit të ulët, duke reflektuar pjesërisht rezultatet e para të përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e të ardhurave nga tatimet. Sidoqoftë, performanca e dobët e taksave vendore thekson se sa urgjente është vendosja e tatimit mbi pronën bazuar në vlerën e saj. Për të siguruar një konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës tatimore si edhe forcimi i administratës tatimore. Po kështu, qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve. “Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për politikë monetare lehtësuese mbetet i duhuri dhe është në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Zbatimi i shpejtë i strategjisë për zgjidhjen e çështjes së kredive nënstandarde do të jetë me rëndësi për fuqizimin e huadhënies për sektorin privat, edhe nëpërmjet përmirësimit në ekzekutimin e kolateralit. Sektori bankar mbetet tejet likuid dhe i kapitalizuar mirë”, deklaroi FMN.

Kurse ministri Ahmetaj vuri në dukje se qeveria është e angazhuar në përpjekjet e saj për të ulur nivelin borxhin publik. Sipas tij, për biznesin do të ketë thjeshtim për procedurat tatimore dhe doganore, duke ruajtur performancën e qëndrueshme të të ardhurave. Ministri Ahmetaj sqaroi se kuadri fiskal po diskutohet me FMN dhe se Paketa e re Fiskale do të kalojë në qeveri për miratim brenda korrikut. Sipas tij hiqet frika e biznesit për rritje taksash dhe konsolidohet sistemi.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë fjalës së tij tha se banka ka qenë e angazhuar me misionin e radhës të FMN, si dhe në përcaktimin e politikave mbështetëse për ekonominë shqiptare. Sipas tij, ambienti i jashtëm nuk është shumë pozitiv për ekonominë e vendit. “Lidhur me Brexit ekspozimet e bankave tona janë pothuajse të papërfillshme. Por ne po monitorojmë dhe bankat mëma të këtyre bankave. Nuk kemi një efekt të qenësishëm direkt. Ndikimi i Brexit në ekonominë tonë është i papërfillshëm”, tha Sejko. Sipas guvernatorit, ekonomia do të vazhdojë të performojë me pozitivitet dhe se plani konsistent mbështet politikat monetare. Ai tha se do të ketë përmirësim progresiv për ritmet e rritjes ekonomike. Guvernatori theksoi se mbajtja e inflacionit brenda objektivave do të jetë graduale dhe në periudhë afatmesme. Sejko tha se bankat duhet të kenë qasje më pozitive ndaj kreditimit dhe se duhet të përshpejtohen reformat strukturore.

Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e tetë në gusht 2016. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e 28,65 milionë SDR (rreth 35,94 milionë euro). Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014.

 

Reagimi 

PD: Ahmetaj shpif, panik nga alternativa e opozitës

Pas deklaratave të ministrit Ahmetaj për programin ekonomik të opozitës reagoi PD. Selia blu thotë se ministri i Financave zgjodhi të keqpërdorë dhe deformojë programin e PD për taksat, në përpjekje të dëshpëruar për të frikësuar 623 mijë të punësuarit se, gjoja të gjithë ata do të paguajnë 110 milionë dollarë më shumë taksa me prezantimin e taksës së sheshtë prej 9%. Kjo sipas demokratëve është një mashtrim i ulët nga paniku që kanë prej alternativës së PD.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.