Ambasadori i Zvicrës: Përballja me Shqipërinë, një ndeshje historike

Zvicra1Intervista

Graf: Për herë të parë, dy vëllezër kundër njëri-tjetrit

Rudina Hoxha

Në prag të ndeshjes së shumëpritur të futbollit midis Shqipërisë dhe Zvicrës me datë 11 qershor në kuadër të Kampionatit Europian të Futbollit 2016, ambasadori zviceran në Shqipëri, Christoph Graf, ka ndarë mendimet e tij me lexuesit e gazetës “Shqip” rreth pritshmërive për këtë “ndeshje historike” siç do ta quante ai.

“Ndeshja është historike: për herë të parë, dy vëllezër do të luajnë kundër njëri-tjetrit në dy skuadra të ndryshme në një tur të një niveli kaq të lartë. Dhe mos të harrojmë se kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet për një kampionat të një niveli të lartë. Është një arritje e madhe!”, tha Graf.

Me ketë rast, ambasadori nënvizon se Ambasada Zvicerane në Tiranë do të organizojë edhe shfaqjen e ndeshjes në një ekran të madh për një rreth miqsh. “Është një mundësi unike për të festuar marrëdhëniet e afërta dhe miqësinë midis Shqipërisë dhe Zvicrës”.

Por përveç kësaj, ambasadori Graf komenton në këtë intervistë edhe çështjet më të nxehta politike dhe ekonomike që shqetësojnë vendin aktualisht.

  1. Ambasador, Kampionati Europian 2016 po afron shpejt. A është futbolli një nga pasionet tuaja? Kush është skuadra juaj e preferuar e futbollit?

Më pëlqen shumë futbolli. Unë jam një tifoz besnik i një skuadre zvicerane që quhet Young Boys nga Berna. Deri dy vite më parë isha një mbështetës i rregullt në stadium bashkë me djalin tim. Më pëlqen futbolli, sepse është një lojë për popullin. Si lojtarët ashtu edhe spektatorët ndajnë gëzimin, pavarësisht moshës, statusit shoqëror, kulturës apo origjinës: zyrtarë të lartë dhe shefa kompanish krah për krah me punëtorët dhe të rinjtë. Futbolli është gjithashtu një lojë skuadre. Mund të fitosh vetëm bashkë me të tjerët, varesh nga kolegët e tu. Humbjet i duron si grup dhe fitoret i feston bashkë me të tjerët. Jam i bindur se kjo sjellje rrezatohet gjithashtu edhe në sfera të tjera të jetës.

A po flasin zviceranët shumë mbi ndeshjen që po pritet midis Shqipërisë dhe Zvicrës? Çfarë emocionesh keni kur shihni pritshmëri të mëdha për këtë ndeshje në Shqipëri?

Në Zvicër, si dhe midis zviceranëve që jetojnë në Shqipëri ka një interes të madh mbi ndeshjen e të shtunës. Tek ambasada zvicerane në Tiranë ne po organizojmë një shfaqje në ekran për miqtë. Është një rast i veçantë për të festuar lidhjet e ngushta dhe miqësinë midis Shqipërisë dhe Zvicrës. Kjo ndeshje është historike: për herë të parë dy vëllezër luajnë kundër njëri-tjetrit në skuadra të ndryshme në një përballje të këtij niveli. Dhe të mos harrojmë që kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet për një kampionat të nivelit të lartë. Kjo është një arritje e madhe!

Një delegacion parlamentar zviceran mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që u zhvillua në Tiranë për herë të parë (28-30 maj, 2016). Cili ishte qëndrimi dhe idetë e Zvicrës mbi këtë ngjarje të rëndësishme?

Zvicra është një vend asnjanës dhe ne mbështesim planin e sigurisë së NATO-s si anëtar të “Partneritetit për Paqe”. Kjo marrëveshje fleksibël e bashkëpunimit me NATO-n i përshtatet si vendeve anëtare të NATO-s ashtu edhe Zvicrës. Për shembull, në tre të ashtuquajtura “Qendra të Sigurisë” në Gjenevë Zvicra ofron platforma ndërkombëtare për dialogun mbi çështjet e politikave të sigurisë.

Në mes të debateve mbi reformën në drejtësi, ambasada zvicerane dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë zhvilluan një forum interesant –  “Të Investosh në Shqipëri: Sfidat dhe Mundësitë”. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ajo që u diskutua dhe nga përfundimet? Si e shohin investitorët zviceranë Shqipërinë?

Ky aktivitet i organizuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe i mbështetur nga Zvicra debatoi mbi mundësitë dhe sfidat që investitorët kanë në Shqipëri. Unë vura re se kishte shumë pjesëmarrës “institucionalë” si AIDA, dhomat e tregtisë, shoqata, por jo shumë sipërmarrës dhe investitorë. Një investitor zviceran foli mbi përvojën e tij 10-vjeçare në realizimin e një projekti madhor turistik në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ai grumbulloi rreth 40 kg letër nga lejet, vërtetimet dhe dokumentet ligjore. Kjo tregon se barra administrative është ende shqetësim për investitorët. Ai është i pasionuar pas vendit dhe ndau me të pranishmit se nevojitet këmbëngulje dhe durim për të investuar këtu. Për biznesin privat sfida më e madhe mbetet sundimi i duhur i ligjit: investitorët kanë nevojë të ndihen të sigurt, ata duan të bëjnë biznes në një mjedis të parashikueshëm. Në këtë kontekst, reforma e drejtësisë është urgjente, por në të njëjtën kohë miratimi i saj në Parlament është vetëm hapi i parë; zbatimi do të kërkojë përpjekje të mëdha dhe mbështetje të besueshme politike.

‘Shija’ zvicerane duket më e fortë në Shqipëri kohët e fundit. A ka ndonjë arsye për këtë? Jeni i kënaqur me nivelin aktual të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Zvicrës?

Zvicra është e interesuar për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të përparuar që shkon drejt integrimit më të ngushtë me Europën. Futbolli në këtë rast ndihmon duke sjellë Shqipërinë në hartë dhe më afër Europës! Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Ato ende fokusohen në projekte zhvillim e bashkëpunimi. Zvicra mbështet popullin shqiptar me rreth 20 milionë euro në vit përmes rreth 25 projekteve. Unë do të isha shumë i kënaqur që të shihja të zhvendosej ky fokus nga grantet e bashkëpunimit drejt shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Por kjo varet shumë nga përmirësimet e klimës së biznesit në Shqipëri.

Pak kohë më parë ju krijuat tituj në media me deklaratën ‘Mos prisni mrekulli nga Zvicra’. Në pikëpamjen tuaj, çfarë duhet të ndryshojë në mendësinë e institucioneve dhe njerëzve në Shqipëri për sa i përket metodës së punës?

Janë shqiptarët ata që duhet të formojnë dhe të vendosin mbi reformat për të ardhmen. Komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të mbështesë. Shqipëria ka bërë përparim në 25 vitet e fundit. Pyetja është: a mund të përparoni më shpejt dhe me thellë? Më shpejt duke hequr polarizimin e panevojshëm në marrjen e vendimeve politike, dhe më thellë duke konsultuar me qytetarët në një formë më të gjerë, duke qenë më gjithëpërfshirës. Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se çfarë duan dhe çfarë është mirë për vendin. Unë i nxis politikanët të dëgjojnë më me kujdes zërat e njerëzve dhe nxis njerëzit që të kërkojnë më shumë transparencë dhe llogari. Ligjshmëria dhe besueshmëria e institucioneve të shtetit janë thelbësore në një demokraci funksionale. Një tjetër çështje që vërej: shqiptarët shpesh i bazojnë pozicionet e tyre mbi thashetheme, perceptime dhe madje teori komplotesh, në vend të fakteve dhe shifrave. Ka shumë rëndësi që të dhëna të besueshme, burime të pavarura, dhe anketimet të jenë të disponueshme për publikun.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, së fundmi njohu meritat e bashkëpunimit zviceran në zbatimin e modeleve të biznesit nga poshtë-lart në fushën e turizmit. Si e karakterizoni bashkëpunimin dypalësh në këtë dhe fusha të tjera?

Bashkëpunimi zviceran ndjek qasjen nga poshtë-lart, duke forcuar konsultimet, duke dëgjuar zërat e njerëzve. Besoj se një pronësi më e gjerë sjell rezultate të qëndrueshme. Le të marrim si shembull reformën territorial-administrative. Ai proces pati një shkallë relativisht të gjerë të konsultimeve. Zvicra mbështet mekanizma gjithëpërfshirës në marrjen e vendimeve, qoftë në fushën e turizmit, në qeverisjen vendore apo në shëndetësi.

Zvicra është një shtet federal më katër gjuhë dhe grupe të ndryshme etnike. Megjithatë ka arritur të zhvillojë dhe të ruajë harmoninë pavarësisht ndryshimeve etnike, gjuhësore dhe kulturore. Cili është sekreti i kësaj?

Ne e shohim diversitetin si pasuri dhe si kapital. Ne na duhet të merremi me mënyra të ndryshme të të menduarit dhe me vlera të ndryshme çdo ditë. Kjo është një sfidë e vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë pasuruese; ne mësojmë nga të tjerët. Shqipëria gjithashtu ka një kulturë të pasur dhe me fe të ndryshme. Diversiteti fetar në Shqipëri është ndërtuar mbi një recetë të ngjashme me diversitetin gjuhësor në Zvicër. Fjala kyçe është toleranca. Mos lufto kulturat e tjera, por merru me to dhe mëso prej tyre. Ndërtoni mbi avantazhet që keni dhe vazhdoni t’i ushqeni ato.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.