Kushtetuesja refuzon PD-në për mandatin e Leskajt

Deputetja e PS, Valentina Leskaj, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar ne lidhje me ndryshimin e marreveshjes se koncesionit me shoqerine "Tirana Airport Partners", e cila synon ti hape rrugen ndertimit te aeroporteve te reja ne Shqiperi. /r/n/r/nLawmaker, Valentina Leskaj, speaks during a parliamentary session.Gjykata vendos moskalimin për shqyrtim të mandatit të deputetes socialiste: Nuk kemi juridiksion

HERION MESI

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot mosshqyrtimin e mandatit të deputetes Valentina Leskaj. Sipas Kushtetueses, kërkesa për Leskajn nuk plotëson kushtet për të vënë në lëvizje gjykatën, pasi nuk ka juridiksionin për shqyrtimin e çështjes. Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk plotëson kushtet për vënien në lëvizje të gjykatës, në kuptim të përmbajtjes se nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, si përfundim, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në bazë të nenit 31 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, për Organizimin dhe funksionimin Gjykatës Kushtetuese vendosi “moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Argumentimi i Gjykatës

Kolegji, bazuar në materialet shoqëruese të kërkesës, vëren se në rastin konkret është kërkuar konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës  dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367/2005, për shkak se dy fëmijët (djemtë) e deputetes Valentina Leskaj kanë përfituar të ardhura që burojnë nga fondet publike si pasojë e lidhjes së kontratave me institucione shtetërore. Sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj, kurse sipas nenit 21/1 të ligjit nr.9367/2005: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e Gjykatës së Shkallës së Parë e në atë të Apelit dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik”. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve te të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për vënien në lëvizje të Gjykatës, në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në bazë të nenit 31 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi “Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”- thuhet në vendimin e zbardhur të datës 17 maj. Në datën 27.10.2015, një grup prej 22 deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kanë paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën me objekt konstatimin e mbarimit të mandatit të deputetes Valentina Leskaj, me pretendimin se e ka ushtruar mandatin në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 70 të Kushtetutës. Sipas tyre është provuar se shoqëria tregtare ku është pronar djali i kësaj deputeteje është shpallur fituese e një kontrate publike koncesioni, për pasojë janë përfituar fonde nga buxheti i shtetit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e saj, veprim që përbën shkelje të nenit 70/2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike” (ligji nr.9367/2005).  Kërkesa e paraqitur nga grupi i deputetëve i referohet procedurës së koncesionit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, nga ku rezulton se është shpallur fitues i procedurës koncesionare për një afat 25 vjet bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Nga të dhënat e QKR-së rezulton se shoqëria “Matrix Konstruksion” sh.p.k. është në pronësi të njërit prej djemve të deputetes Valentina Leskaj, shtetasit A.L.

 

Mandati i Koço Kokëdhimës i kalon Edmond Lekës

Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja do të miratojë edhe projektvendimi “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun Vlorë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë”, pas heqjes së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. KQZ pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe dëgjoi diskutimet e përfaqësuesve të partive politike, vëren se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Albana Shtylla, ka njoftuar KQZ-në se, Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 23 datë 3.06.2016 ka vendosur “Konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima”. Sipas nenit 71, pika 2, germa c, e Kushtetutës, konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin, shkakton ndërprerjen e këtij mandati. Me njoftimin e mbarimit të mandatit të deputetit Kokëdhima, KQZ ka detyrimin ligjor të marrë vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të listës shumemërore regjistruar sipas nenit 67 të Kodit Zgjedhor. Sipas listës shumemërore të PS-së për Qarkun Vlorë, kandidati i radhës është Edmond Dhimitraq Leka, i cili renditet i shtati në këtë listë. Në këto kushte Leka, duhet të depozitojë formularin e vetëdeklarimit në KQZ, si organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksionin publike

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.