PA TELEFONUAR TRAMPI, NUK KA SHPRESË PËR REFORMË

ARBEN MANAJ

Arben ManajÇ’ne Trampi me reformën në drejtësi?, do thotë dikush kur lexon titullin. Në pamje të parë, edhe mund të ketë të drejte, por po të shikojë se si po lëpihen ndërkombëtarët me politikanët shqiptarë, fatkeqësisht ai mbetet shpresa.

Është e frikshme dhe qesharake, katandisja dhe poshtërimi që politikanët transgresivë dhe lehtësisht të identifikueshëm si të korruptuar shqiptarë, u bëjnë një nga sfidave më të mëdha të vendit, sipas parullës tashmë vetëdemaskuese, të bërjes së “Shqipërisë si gjitha Europa”, pikërisht nga ata që e përdorën atë si logo të kredos së tyre politike.

Drafti i reformës në drejtësi është projekt amerikano-europian dhe sfida e kundërshtimi i tij është haptazi qëndrim anti-amerikan e anti-europian, pavarësisht nga motivi dhe makthi i ndëshkueshmërisë dhe pasioni konstant i kapjes së shtetit. Por, që amerikanët e administratës së sotme në Uashington, e pas tyre europianët, të katandiseshin deri në të tillë derexhe sa të qurraviten pas Berishës, për t’i marrë atij OK-in e reformës, është hakmarrja e ish-presidentit shqiptar të ‘97-s, për atë që amerikanët suportuan në atë botë.

Vetëm naivët besojnë se aktorët kryesorë të politikës së sotme shqiptare janë imunë ndaj mos-ekspozimit të aferave dhe korruptimit të tyre financiar e rekordeve korresponduese të përkthyera në dosje, apo llogari e asete në emrat e tyre a të pinjollëve e grave të tyre afaristë të suksesshëm.

Amerikanët që kanë ndryshuar botën dhe e kanë përshtatur atë në çdo kontinent, më të lehtë e kanë pasur në republikat banane si kjo e jona; kanë gjithë infrastrukturën dhe inteligjencën sekrete për të ushtruar presion absolut tek ata që ende shijojnë nën hundën e tyre, frytet e këtij shteti disfunksional dhe kësaj drejtësie që nuk jep drejtësi, por mbron kleptokratët dhe oligarkinë politiko-financiare në vend.

Por administratat demokrate amerikane, historikisht kanë qenë më të buta dhe të dobëta, për motive ideologjike më shumë, për të bërë atë që republikanët e pakorruptuar, kanë bërë në çdo cep të botës – edhe me arrogancën e policit botëror, do të argumentonte dikush – kur u është dashur të merren me autokratët e pseudo-demokratët.

Andaj në këtë kontekst, hyn Trampi në lojë, pasi frika ime është se kjo administratë amerikane është e pakëllqe (për te mos thënë ndonjë fjalë më të drejtpërdrejtë në shqip), për t’u treguar vendin njerëzve si Berisha e soji i tij, që edhe pse “dhi e qelbur e bishtin përpjetë”, sërish vazhdojnë të bëjnë sfidantin.

Për europianët, as nuk ia vlen t’i fusësh në ekuacion, pasi dihet impotenca e tyre historike, që nuk është në gjendje të bjerë dakord e në një mendje kolektivisht, për gjëra më serioze për mbijetesën e Unionit te tyre, e jo më për punët e Shqipërisë, që ia ka lënë në dorë ndonjë anonimi europiano-lindor, që më shumë e njohin në Shqipëri se në vendin e vet të origjinës.

Edhe pse thellësisht do të doja që demokratët të vazhdonin administrimin e Amerikës, thjesht për shkak të afeksionit të njohur që kandidatja demokrate për President ka për shqiptarët dhe kombin tonë, sërish me dhimbje hidhem në krahët e dëshpërimit, për shkak të impotencës së tyre, për të hedhur sytë nga Donald Tramp, i cili sipas retorikës së tij politike dhe elektorale ka futur frikën në shumë modele politike, si ai i berishizmit të pavdekshëm shqiptar.

Nëse amerikanët do të lejojnë vazhdimësinë e drejtësisë aktuale të dështuar shqiptare, me ndonjë retushim të lehtë, rrjedhojë e pazareve politike të politikanëve shqiptarë, që në thelb nuk është se u leverdis një drejtësi e kulluar dhe perëndimore në praktike, pasi do të ishte rrezik esencial për ta, pavarësisht pretendimeve se ne jemi më të mirë se ata që zëvendësuam, do të ishte më mirë të mos e certifikonin dhe vulosnin variantin e tyre të holluar në dhallë juridike, pasi nuk do humbte shpresa se, në këtë vend do ketë drejtësi një ditë e njerëzit do të jenë të barabartë si në letër. Kjo do të jetë më mirë edhe për imazhin e amerikanëve, sepse nuk do të poshtërohen nga Bin Ladeni i tyre politik shqiptar, që dikur e kanë sponsorizuar politikisht dhe jo vetëm.

Uashingtoni nuk ka përse shndërrohet dhe ta ulë stekën në nivelin e organizmave të tilla qesharake e të papërgjegjshme, si Komisioni i Venecias, kësaj gondole të shpuar juridike, që është bashkë-mëkatare përmes delegimit të zgjidhjes për reformën, politikës shqiptare; delegim që vetëm dekurajon shqiptarët se edhe ata, janë të kapur në naivitetin e tyre, në variantin më të pafajshëm, njësoj si shteti i tyre, nga politika e ditës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. ediasllani says

    sa per rikujtese z. mane ishin republikanet ata qe ne vend te vinin ne pushtet ne 2005 ndonje figure tjeter te pd zgjodhen berishen dhe vetem berishen kam pershtypjen se edhe corbat e..97 jane product berisho amerikan Juve si analist politik besoje se I keni kuptuar qellimet e asaj corbe

Comments are closed.