Pranga mjekut që shoqëronte viktimën, dyshohet se prishi provat e vrasjes

lokali1Vrasja. Arrestohet 31-vjeçari Redjan Rraja. Policia e akuzon se fshehu çantën e viktimës Elton Çiça, ku ishte një pistoletë. Dyshimet për vrasësin dhe motivet

ÇËSHTJA

Mjeku – Mjeku Redjan Rraja, 31 vjeç, dyshohet se fshehu çantën e viktimës, ku mendohet se ishte edhe një armë zjarri pistoletë

Vrasësi – Nga hetimet paraprake, rezulton se ekzekutori ose është vrasës me pagesë, ose ka shërbyer më herët në polici

Motivet – Përpos hasmërisë për grabitjen në Tepelenë, policia po heton edhe për prishjen e pazareve të kokainës jashtë vendit 

Mariglen Mullai

Mjeku që shoqëronte Elton Çiçën, 36-vjeçarin që u vra dy ditë më parë, u arrestua dje nga Policia e Tiranës, sepse sipas saj ka prishur provat dhe po pengon zbardhjen e së vërtetës. Sipas bluve kryeqytetas, 31-vjeçari Redjan Rraja akuzohet se ka fshehur armën që mbante me vete viktima. Nga ana tjetër, rreth autorit të vrasjes në lokalin “De Niro” ende nuk ka asnjë të dhënë, përveç dyshimeve se është vrasës me pagesë ose ish-polic. Deri më tani po ndiqet pista e hakmarrjes, si pasojë e grabitjes së çiftit të moshuar në Tepelenë (prindërit e viktimës), por hetimet janë shtrirë edhe në ndonjë prishje të mundshme të pazareve të drogës. Për shkak se Çiça udhëtonte me një makinë të blinduar dhe mendohet se mbante armë me vete, ekspertët e policisë kanë hedhur dyshime se eliminimi fizik i tij mund të ketë lidhje edhe me trafikun e drogës (mendohet për shitje kokaine jashtë vendit).

Arrestimi i mjekut

Policia e Tiranës njoftoi se mjeku Redjan Rraja, që gjendej në tavolinë me Elton Çiçën, kur 36–vjeçari nga Tepelena u qëllua me tre plumba mbrëmjen e së dielës, është vënë në pranga. Akuza që rëndon mbi 31-vjeçarin nga Kruja ka të bëjë me veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Nga burime të policisë mësohet se Rraja ka fshehur disa sende, që viktima i kishte në çantën që mbante me vete. Veprimet e mjekut janë zbuluar nga vëzhgimi i pamjeve të kamerave të sigurisë se lokalit. Në momentin që klientët që ndodheshin në lokal, janë larguar nga frika e të shtënave, ai dyshohet se ka marrë çantën e viktimës. Elton Çiça, sipas policisë, mund të ketë pasur me vete sende të paligjshme, përshirë një armë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur ndonjë armë, siç konfirmoi edhe Dorian Muça, zv/drejtor i Policisë së Tiranës. Para se mjeku të mbërrinte në lokal, më herët në atë tavolinë ndodheshin dy persona, një gazetar aktualiteti i një televizioni kombëtar dhe një oficer policie i një komisariati në Tiranë, ish-shef Antidroge, të cilët kanë lidhje shoqërore me njëri tjetrin. Më pas tavolinës i bashkohet edhe Rraja, me profesion mjek, i cili kishte njohje vetëm me oficerin e policisë. Ai dyshohet se fshehu çantën e viktimës, pasi ndodhi vrasja.

Vrasësi dhe hetimet

Pas orës 22.20 të së dielës në derën e lokalit “De Niro” në ish-bllok, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” hyn një person me trup të mbushur, me kapele në kokë, syze dhe rroba sportive. Ai kishte mbërritur me një makinë tip “Ford” dhe zbret nga pjesa e pasme e tij pranë lokalit. Atij i duhet të përshkruajë 8 hapa për të arritur në tryezën ku ndodheshin 4 personat. Pasi arriti atje, vrasësi e pyeti viktimën për emrin, në kohën kur ky i fundit po shkruante një mesazh në celular dhe pasi u sigurua që ishte ai e qëlloi 2 herë në kokë. Vrasësi kishte me vete dy pistoleta. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan goditjet e armës dhe se vrasësi nuk e kishte përdorur silenciatorin. Në ikje e sipër ai shtyhet nga një klient dhe arrin të largohet pa lënë gjurmë. Referuar dëshmive në vendin e ngjarjes dhe nga kamerat e bizneseve të tjera, pasi kryen krimin, ai largohet në këmbë, në fillim drejt shkollës “11 Janari”. Më pas ndryshon drejtim dhe humbet gjurmët në bllokun e pallateve pranë urgjencës së Tiranës. Lorenc Sallaku, pronari i lokalit u shoqërua nga Policia e Tiranës, me akuzën e nxjerrjes së sekretit hetimor. I shoqëruari tjetër ishte Ervis Imeri, një biznesmen duroalumini, i cili i shpëtoi një shpërthimi me tritol korrikun e vitit të kaluar. Ai bashkë me Robert Ramën ishin të dyshuarit e parë për grabitjen e 5 mijë eurove në banesën e çiftit të moshuar në Tepelenë. Policia e ka pyetur në lidhje me vrasjen e 36-vjeçarit Çiça. Tre të shoqëruarit e tjerë janë kushërinjtë e Ramës, me banim në Laç. Sipas policisë edhe ata u pyetën nëse kanë dijeni për vrasjen e Çiçës, ndërsa mësohet se kanë justifikuar shumicën e lëvizjeve të tyre, ashtu si Imeri. Policia po vazhdon hetimet në pistën e hakmarrjes dhe implikimit të mundshëm të viktimës në trafiqe. Bashkë me mjekun Rraja, policia shoqëroi 28 persona të tjerë, përfshirë edhe 4 personat që u shoqëruan fillimisht, por ata u lanë të lirë. Nga hetimet paraprake, nisur edhe nga lëvizjet dhe reagimet në vendin e ngjarjes, rezulton se ekzekutori ose është vrasës me pagesë, ose ka shërbyer më herët në Policinë e Shtetit.

 

Zanafilla e hasmërisë mes dy fiseve, grabitja dhe atentatet-horror me tritol

Në lagjen “Demokracia” në Tepelenë, katër persona të maskuar e të armatosur, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, grabitën banesën e të moshuarit Naim Çiça. Morën 5 mijë euro dhe disa sende me vlerë dhe ikën me makinë. Policia thotë se 31-vjeçari Ervis Imeri ka qenë një nga grabitësit, ndërsa Çiça njihej edhe për faktin se ai ishte daja i kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi. Pronari i mjetit, me të cilin u larguan, Robert Rama, 31 vjeç nga Laçi, u vra më 8 qershor të vitit 2015, në Durrës. Më 8 korrik 2015, Ervis Imeri i vendoset një sasi prej 600 gramë tritol në makinë, që nuk shpërtheu. Më 9 dhjetor, hidhet në erë makina e Elton Imerit, vëllait të Ervisit, i cili humbi gjymtyrët e poshtme.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.