RAMA, TRAMPI DHE KAMERUNI

Arben Manaj

Arben ManajVendimi i fundit i Dejvid Kamerunit për të urdhëruar diplomatët britanikë në Uashington që të vendosin sa më shpejt kontakte me kampin e kandidatit ende jo zyrtar për President të Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, në rast se ai fiton zgjedhjet presidenciale, e rikthen edhe njëherë debatin shqiptar për deklaratat e Ramës, në lidhje me kandidaturën e Trampit.
Kameruni i cilësoi vitin e kaluar deklaratat e Trampit “përçarëse, idiote, dhe të gabuara”, kur ai fliste për ndalimin e myslimanëve për të hyrë në Amerikë.
Por tashmë, britanikët të cilët shquhen për nuhatje dhe informacione paraprake, kanë frikë se “marrëdhëniet special” mes Britanisë dhe Amerikës, do të mbesin të ngrira në rast se Trampi hyn në janar ne Shtëpinë e Bardhë.
Kjo është arsyeja që Sir Kim Darroch, ambasadori britanik në Uashington është urdhëruar nga Londra, që të ketë si prioritet vendosjen e lidhjeve me këshilltarët e politikës së jashtme ne ekipin e Donald Trampit.
Ka pasur shumë debat në Tiranë për deklaratat e Ramës, qoftë në Tiranë qoftë në Uashington për kandidaturën e Trampit dhe rreziqet e perceptuara, jo vetëm prej tij, dhe aq më pak fillimisht prej tij, për botën trampiste.
Rama e ka justifikuar ndërhyrjen e tij diplomatike në punët e brendshme të demokracisë amerikane, (më në fund u barazuam edhe ne me Rajersonin e viteve ’90) me argumentin se qëndrimet e Trampit për Kosovën në veçanti kanë qenë antishqiptare. Dhe vërtetë të atilla kanë qenë.
Ka pasur shumë insinuate dhe spekulime se Rama ua ktheu “nderin” demokratëve amerikanë për mundësinë që i ofruan për një vizitë me Obamën, edhe pse në fund të mandatit të dytë të tij.
Madje, të tjerë thanë se “jack pot” nuk ishte vetëm politik i Ramës, por edhe i ndonjë natyre tjetër për lobuesit e tjerë amerikan afër Presidentit.
Asnjë nga këto argumente nuk përjashtohen, po të analizosh ftohtë dhe ndershmërisht sesi funksionon lobimi politik dhe diplomatik në Shtetet e Bashkuara, një praktikë tashmë e verifikuar historikisht, dhe jo vetëm me rastin e Shqipërisë.
Dhe kjo praktikë, nuk është se turpëron kënd në Uashington.
Por ky element nuk është thelbi i problemit.
Çështja është se si mund të mbrohen marrëdhëniet e veçanta me një partner strategjik si Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kë përzgjedhin amerikanët e thjeshtë apo të sofistikuar, që të jetë njeriu nr. 1 i tyre?
Në fund të fundit, kjo është demokracia dhe kjo është tërësisht punë e tyre e brendshme e një demokracie që funksionon në parametrat më perfektë që njihen deri më sot.
Nisur nga ky parakusht, të qenët diplomat dhe politikan i përgjegjshëm, duke pasur parasysh interesat, jo vetëm të ditës, por edhe ato afatgjata të kombit, dhe të kalkulosh se si duhet sjellë diplomatikisht dhe politikisht, aq më tepër me ata që vendosin për punët e botës në tërësi, dhe të botës shqiptare veçmas, merr rëndësi akoma më të madhe për një vend që është në fund të listës.
Do të ishte naive të mos mendoje në çdo kohë dhe nën çdo presidencë amerikane se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit janë vitale për Shqipërinë më shumë sesa për Shtetet e Bashkuara.
Do të ishte naive po ashtu të konsideroje se një ndërhyrje shqiptare në fushatën elektorale amerikane me deklaratat anti-Tramp, është një nder i madh dhe mbijetues për politikanët aktualë amerikanë, të cilët ia kërkojnë kryeadministratorit zyrtar të shtetit shqiptar.
Dëmi i panevojshëm i shkaktuar nga deklaratat publike të Ramës kundër Trampit është bërë tashmë.
E rëndësishme është që ashtu si Kameruni, të riparohet sa të mundet diçka.
E nëse britanikët për një mijë e një arsye kanë më shumë mundësi, leva dhe kapacitete diplomatike dhe politike, për t’i riparuar këto marrëdhënie, dhe t’i dalin të keqes më para sesa ne, në riparimin e lidhjeve mes Londrës dhe Uashingtonit, Shqipëria ka aftësi diplomatike shumë më të pakta.
Por më e pakta që mund të bëj, është që Kryeministri, tash e tutje, të mos angazhohet më publikisht, aq më tepër që vizita u krye, pavarësisht nga dëshirat e brendshme dhe personale, që i kam edhe unë si Rama e shumë shqiptar, kundër Trampit.
Por, bota duhet marrë ashtu siç është, ose ashtu siç ka gjasa të jetë, sadopak mundësi të ketë një gjë e tillë.
Një Zot e di, sesi këshilltarët diplomatikë apo politikë të Ramës, do të mund ta kenë këshilluar, (edhe pse e di që ashtu si Berisha edhe Rama, kanë pak ose aspak respekt për këshilltarët, ose i kanë formalë në shumicën e rasteve, pasi ende janë ballkanas në kësi punësh,) se cilat do të jenë marrëdhëniet e Tiranës me Uashingtonin në rast të një Presidenti Tramp dhe cilat do jenë pasojat e Shqipërisë nga një president antishqiptar ose akoma më antishqiptar, për shkak të këtyre deklaratave.
Nuk besoj se në marrëdhëniet me Amerikën hipotetike trampiane, Rama do aplikojë të njëjtin model si me Britaninë, ku punët i zgjidh përmes Blerit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
A mund t’ia falë dot Shqipëria Ramës, një kosto të tillë, të një naiviteti diplomatik dhe arrogance provinciale, të një vendi me udhëheqës historikë të bindur se jetojnë në një vend fanar ndriçues në punët e botës?!
Kujtoj se serbi Vuçiç nuk ka bërë ndonjë deklaratë, jo e jo anti-Tramp, sepse e shikon si pro-serb, por as anti-Klinton, edhe pse e sheh si pro-shqiptare.
I vetmi shans për të mos pasur dëm kolateral diplomatik janë shembulli britanik në politike dhe diplomaci për vetëkorrigjim siç është lëvizja e fundit e Kamerunit, si dhe vullneti demokratik i votuesve amerikanë, për të identifikuar risqet për Amerikën dhe botën, të një Presidenti Tramp.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. refree says

    Po ne kemi Trupin tone ketu, c’na duhet ai i Amerikes?

Comments are closed.