Gentjan Dema tregon sfidën: Artistët, pjesë e “Shpresë për Shqipërinë”

Gentian Dema“Shpresë për Shqipërinë” është një ndër projektet që organizohen në mbarë kombin tonë. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i njerëzve për të qenë dhurues vullnetar të gjakut, duke iu ardhur në ndihmë fëmijëve të sëmurë me Talasemi, i cili organizohet nga artisti Gentjan Dema.

Si lindi ideja e realizimit të koncertit “Shpresë për Shqipërinë”?

Si ide më ka lindur në universitet, pasi gjithmonë jam marrë me organizimet e aktiviteteve të shkollave, si në të mesmen, ashtu edhe në të lartën. Gjithmonë kisha dëshirë që të bëja një event social, ku unë mund t’ju vija në ndihmë disa shtresave në nevojë të shoqërisë sonë dhe kështu lindi ky event.


Nga kush u përkrahët fillimisht dhe si u prit nga publiku?

Edicioni i parë ka qenë vërtet shumë i vështirë, pasi asnjëherë nuk mundet të të besojë njeri për çfarë ti mund të bësh në të vërtetë. Gjithmonë të duhet një “CV” e kompletuar që të bëhesh i besueshëm për palën tjetër, e sidomos te bizneset ku ata duhet të më besonin mua logon e biznesit të tyre. Hera e parë ka qenë plotësisht investim i imi personal, sepse doja me çdo kusht ta realizoja edhe sikur vetëm një herë të vetme.

Cila është arsyeja e organizimit të këtij evenimenti?

Zanafilla e saj u nis si një event lokal, por nga edicioni i dytë, fillova të projektoja një projekt gjigant, ku në brendësi të saj të ishte e gjithë shqiptaria, kudo që ndodhej. Doja ta titulloja “Shpresë për Shqipërinë”, sepse çdo gjë që do bënim, të ishte një rreze shprese për secilin individ ku ne mund të jepnim nga vetja gjënë më të shtrenjtë, “dhurimin e gjakut”. Çfarë dua të arrij me këtë event, është sensibilizimi i të gjithë njerëzve për të dhuruar gjak vullnetarisht dhe gjithashtu të bëjmë bamirësi në kuptimin e saj të plotë, me aq pak mundësi sa kemi për të arritur qëllime të mëdha, tek sa shikon fytyra të qeshura dhe jetë të shpëtuara nga gjesti yt shumë i vogël human.

Domethënë, gjithçka bëhet për t’u solidarizuar me personat me aftësi të veçanta?

Ky event bëhet një herë në vit, por në fakt jehona e tij zgjat shumë, pasi vetë artistët lënë shumë gjurmë tek admiruesit e tyre dhe ky është edhe qëllimi final i saj. Falë mediave dhe rrjeteve sociale, ne mund t’i shikojmë në çdo kohë fotot ku artistët kanë qenë pjesë e këtij eventi, e kështu që fansat mund të bëjnë çfarë idhulli i tyre bën me vepra, (në rastin tonë te “Shpresë për Shqipërinë”). Ky event organizohet çdo datë 8 Maj, pasi siç njihet edhe si “Dita Botërore e Talasemisë” (Ata fëmijë që ju duhet të kryejnë transfuzion gjaku 1-2 herë në muaj).

Një pjesë e madhe e artistëve ju dolën përkrah. Edhe sivjet do të ndodhë ashtu?

Pa diskutim! Nuk kam fjalë t’i falënderoj artistët tanë shqiptarë, pasi kanë një zemër të madhe humane që nuk hezitojnë asnjëherë për t’u bërë pjesë e këtyre eventeve humaniste. Gjithmonë i kam pasur të gatshëm, por shkaku i të mos qenët ndonjëherë prezent ka qenë thjesht fakti i ndonjë aktiviteti tjetër që ka qenë mbyllur si kontratë më përpara. Por, di të them që kam pasur edhe artistë që e kanë anuluar koncertin e tyre duke e shtyrë në një datë tjetër, vetëm e vetëm që të mos mungojnë këtu.

A mund të na e përshkruani me pak fjalë evenimentin e sivjetshëm?

Ky vit ka arritur pjekjen maksimale të profesionalizmit dhe të audiencës. Ky vit do të ketë emra të mëdhenj të televizionit dhe të artit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Me pak fjalë, do të ketë shoë dhe emocione të forta humanizmi.

Ju përgëzojmë për këtë, sepse jeni i vetmi që po bëni një mrekulli të këtillë!

Dua të them që “Shpresë për Shqipërinë” nuk është vetëm i Gentit, por i të gjithëve që kanë dëshirë të sensibilizojnë apo të ndihmojnë shtresat e varfra dhe me nevoja të ndryshme jetike, ndaj unë jam gjithmonë i hapur për bashkëpunime si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo. Unë thjesht e nisa këtë ide duke e sjellë deri këtu, tashmë mund të suportoj me emrin tim shumë evente sociale.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.