Aksidenti i “EC 145”, Eurocopter ndërpret prodhimin dhe fluturimet

helikopterHetimet. Firma prodhuese urdhëron të gjitha vendet që u ka shitur modele të ngjashme të pezullojnë të gjitha veprimtaritë. Prokuroria: Ekspertimi në Gjermani, nga një komision i përbashkët

Pezullohen helikopterët – Kompania “Eurocopter” ka dërguar shkresa zyrtare në të gjithë vendet e botës, që kanë në përdorim helikopter të tillë, mes tyre edhe Shqipërisë që të pezullojnë fluturimet me këtë lloj helikopteri deri sa të zbardhet shkaku i rrëzimit të tij në Shqipëri

Shoqëria franceze “Eurocopter” ka urdhëruar pezullimin e të gjitha fluturimeve të helikopterëve “EC 145”, modele të ngjashme me mjetin që u rrëzua para pak ditësh në liqenin e Shkodrës, ku humbën jetën dy pilotët. Firma prodhuese ka marrë kontakt edhe me Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare, duke e urdhëruar që të pezullojë për një afat të pacaktuar të gjithë lëvizjet e helikopterit tjetër “EC 145”. Burime nga prokuroria thanë për gazetën “Shqip” se ekspertimi në Gjermani i pajisjes së kamerës do të bëhet nga një komision i përbashkët, një anëtari të “Eurocopter”, një përfaqësuesi të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe një prokurori. 





Pezullohet fluturimet

Një javë pas aksidentit ajror në të cilin dy pilotë ushtarakë humbën jetën, kompania franceze “Eurocopter” u kërkon autoriteteve shqiptare ta mbajnë të bllokuar dhe të mos e përdorin helikopterin tjetër derisa të zbardhen shkaqet e tragjedisë në Shkodër. Burime pohuan se për këtë kërkesë janë vënë në dijeni Ministria e Mbrojtjes dhe Prokuroria, e cila po zhvillon hetime sipas nenit 83 dhe 46 të Kodit Ushtarak, për shkelje të rregullave të fluturimit ajror dhe lëvizje pa të drejtë e trupave ushtarake. Kompania ka njoftuar të gjitha vendet ku ka helikopterë të këtij lloji të ndërpresin fluturimet deri sa të dalë shkaku i vërtetë i aksidentit. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka vijuar me hetimin administrativ nëse janë zbatuar apo jo rregullat e fluturimit ajror. Burime bëjnë me dije se janë verifikuar kartelat mjekësore të dy piloteve ku ka rezultuar se ata e kanë kryer kontrollin një ditë para fluturimit dhe kanë rezultuar në kushte të mira shëndetësore. Nga verifikimi ka rezultuar se mjetit i është bërë kontrolli teknik ku ka rezultuar në rregull. Po në përputhje me parametrat ka rezultuar edhe karburanti, një mostër e të cilit i është dërguar edhe prokurorisë. Nga ana tjetër, prokuroria ka vijuar kontaktet me ekspertët gjermanë për të bërë shkodimin e kamerës së helikopterit, e cila do të hedhë dritë mbi shkaqet e aksidentit.

Ekspertimi në Gjermani

Prokuroria e Shkodrës miratoi kërkesën e ekspertëve francezë dhe gjermanë të kompanisë së prodhimit të helikopterëve “EC 145” që të dërgojnë në Gjermani për ekzaminim kartat e memories së kamerës së sigurisë. Mësohet se me miratimin e drejtuesit të akuzës së Shkodrës, Granit Shahu, është vendosur që kartat e regjistrimit të kamerës së sigurisë të dërgohen në Gjermani me anë të letër-porosisë, për të marrë edhe cilësimin e provës materiale. Mësohet se asnjë ekspert shqiptar nuk ka kapacitetin e nevojshëm teknik dhe programet e kompanisë për hapjen e kësaj kamere. Burimet thonë se hapja dhe rikuperimi i pamjeve me figurë dhe zë, do të bëhet nga një komision, me anëtarë të kompanisë së prodhimit të helikopterëve, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe në prani të një prokurori që do të dërgohet nga Shqipëria. Ky komision, thonë burimet, do të asistojë në momentin që ekspertët e kompanisë franko-gjermane do të bëjnë hapjen dhe rikuperimin e pamjeve të regjistruara nga kamera.

Lëvizjet e helikopterit

“Eurocopter”, sipas burimeve nga prokuroria, është zotuar se krahas rikuperimit të zërit dhe figurës së filmuar, do të paraqesë në 3D të gjithë lëvizjet e helikopterit dhe manovrat që pilotët kanë kryer që nga momenti i nisjes deri në rrëzimin e tij në liqenin e Shkodrës. Ky ekzaminim, thonë burimet, do të bëhet shumë shpejt, por duke mos përcaktuar kohën. Por është vetë kompania, thonë burimet, që këmbëngul që ky ekzaminim të kryhet sa më shpejt, për shkak se është pezulluar prodhimi i këtyre helikopterëve “EC 145”. Nga ana tjetër, burimet thonë se prokuroria, përveç sekuestrimit të së gjithë praktikës së ndjekur nga regjimenti i helikopterëve në Farkë, për fluturimin e “EC 145” me dy pilotët në bord, ka sekuestruar edhe komunikimet me radio të pilotëve me Kullën e Trafikut në Farkë ditën e ngjarjes. Mësohet se është marrë në pyetje personeli ushtarak që ka komunikuar ditën e ngjarjes me dy pilotët, personat që kanë miratuar planin e fluturimit, si dhe komandantin e regjimentit të Helikopterëve në Farkë. Për dy pilotët Florian Deliu dhe Donald Hoxha që humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit më datë 6 prill, Ministria e Mbrojtjes kërkon nga Presidenti i Republikës që të dekorohen me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

 

Ministrja

Kodheli: Solidaritet për familjet e Dëshmorëve të Atdheut

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shprehur mirënjohje për solidaritetin e treguar në këto ditë të vështira për familjarët e “Dëshmorëve të Atdheut”, kapiten Floran Delia, dhe toger Donald Hoxha. “Dua t’ju falënderoj të gjithëve për solidaritetin e treguar në këto ditë të vështira për familjarët e ‘Dëshmorëve të Atdheut’, kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Mesazhet ngushëlluese dhe mbështetëse të qytetarëve të zakonshëm, ato të homologëve të vendeve aleate dhe atyre partnere, deputetëve, ambasadorëve, atasheve të mbrojtjes, e shumë e shumë miqve të shqiptarëve, kanë qenë vërtet inkurajuese” shkruan ministrja.





Comments are closed.