NISHANI DHE “BUKA E LEPURUSHIT”

ARBEN MANAJ

Arben ManajPingpongu me ligjin e sigurisë apo kamerave të sigurisë, për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin, që Presidenti Nishani ka rikthyer në Parlament, s’di sesi, por më kujtoi vetëtimthi batutën te filmi “Përballimi”, me bukën e lepurushit dhe frikën e Aretos për përdorimin e miellit të dezinfektuar, e më pas gatimin e tij, nga i cili askush nuk pësoi asgjë, të paktën në film.

Shqetësimet e tij për privatësinë e qytetarëve janë një argument antik në botën e sotme, edhe pse duket paradoksale në pamje të parë.

Shoqëritë post-moderniste, jo vetëm e kanë domosdoshmëri sigurinë e shtuar, në kushtet e sfidave të mëdha që vijnë nga terrorizmi, dhe jo vetëm, por ndihen të sikletosura, nëse do të argumentonin privatësinë, përpara ekzistencës fizike.

Duke qenë se jetoj në një qytet “Big Brother” si Londra, ndoshta kryeqyteti më i filmuar në botë, për shkak të mijëra kamerave të sigurisë, ose atyre me qark të shkurtër, të njohur si ÇTV, sa nga privatët, aq edhe nga shteti, debati i stisur dhe i sforcuar për të vënë përpara privatësinë e diskutueshme përpara sigurisë publike, më irriton edhe më tepër pasi, të vendos në një pozitë surrealiste të të ndjerit idiot, si individ dhe si banor i një mega-qyteti si Londra.

Pyetja vetvetiu të shpërthen; si ka mundësi që Nishani ngre probleme dhe kërkon gjëra që një shoqëri kaq e avancuar sa ajo britanike e ka pranuar si të mirëqenë dhe e ka mirëkuptuar në shumicë absolute?!

Kush është më katolik se Papa në këtë mesele?

Londra ia ka parë hajrin kësaj praktike, dhe pse çdo banor i saj fotografohet rreth 200 herë në ditë, nëse shkon në qendër të kryeqytetit nga cilado zonë e saj prej 6 rrathësh ndarës të saj. Personalisht nuk e kam aspak problem një fakt të tillë, dhe nuk besoj se dikush do të ishte aq naiv të mendonte se unë nuk shqetësohem për privatësinë time personale. Normalisht që po, por këto kamera nuk i kam brenda në banesën dhe dhomën time të gjumit. Ato janë dhe shyqyr Zotit, që janë, sepse ma bëjnë më të lehte përditshmërinë dhe sigurinë personale ndaj çdo keqbërësi dhe terroristi-aspirant.

Këto kamera, dhe e them me bindje profesionale, nga kapaciteti im freelance në marrëdhënien me punët e sigurisë dhe të rendit publik në këtë vend, prej më shumë se dy dekadash, janë një nga faktorët kryesorë në zbulimin dhe luftën ndaj çfarëdo lloj forme të krimit në këtë vend, që i ri bukur shprehja “e kap lepurin me qerre”.

Këtë përvojë britanike dhe perëndimore në përgjithësi, ku më shumë e më pak se Britania, nuk e kanë frenuar ato institucione policore të cilave u referohet Presidenti në argumentimin e tij për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Parlament. Kjo përvojë lipset të implementohet sa më shpejt në rrugët dhe tërë ambientet publike e bizneset private në Shqipëri, e jo vetëm në Tiranë, Durrës e Shkodër, por mundësisht në një mbulim sa më maksimal që të jetë e mundur, nëpër nyjet e rrugët qytetëse e ndërurbane, madje të përshpejtohet edhe instalimi i sistemit të leximit automatik të targave nëpër autostradat shqiptare, i ngjashëm me atë që operon nëpër rrugët britanike.

Përfitimet dhe kapacitetet krim-zbuluese do të jenë marramendëse.

Privatësia, siç e kemi njohur dekada më parë, pa e quajtur a ditur të tillë si term, në kushtet e sotme, është praktikisht inekzistente dhe realisht e pamundur për ta shmangur asgjësimin e saj. Të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, kemi deleguar këtë privatësi në momentin e parë që kemi nënshkruar një kontratë shitblerje të një telefoni smart apo pasjen e broadband-it e wi-fi-it.

Të gjithë, të vobektë e të kamur, jetojmë në epokën e “Panama Papers”.

Pretendimi për privatësi dhe shkelje të të drejtave të njeriut, edhe pse sexy, bëhet më qesharak, kur vjen nga një vend si Shqipëria, kur ndoshta jemi të vetmit në Ballkan që japim shenjat e gishtave kur marrim pasaportën biometrike, ndryshe nga Britania për hir të argumentit krahasues, ku publikut nuk i kërkohet një gjë e tillë, veçse në polici, kur një individ arrestohet për një vepër penale.

Në atë kohë kur është aprovuar një gjë e tillë, në Shqipëri askush nuk përmendi privatësinë dhe shqetësimet e sotme për liritë dhe të drejtat qytetare dhe Presidenti i sotëm ka qenë në një pozicion kryepolici në mos gaboj, siç është Tahiri sot, që me të drejtë e kërkon me ngulm këtë ligj. Humbja e kohës me pingpongun Parlament-Presidencë është papërgjegjshmëria shqiptare e radhës, dhe mungesë ndjeshmërie, andaj miratimi i ligjit është po aq jetik sa konsumimi i miellit të dezinfektuar dhe bukës së lepurushit te filmi “Përballimi”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.