Lunaçek lavdëron Jahjagën, konfirmon mbështetjen e PE-së për Thaçin

jahjagaJahjaga i thotë lamtumirë detyrës si Presidente, takimin e fundit në detyrë e bëri me të rinjtë

Një ditë para betimit të Presidentit të ri, raportuesja për Kosovën e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, ka theksuar se Parlamenti Europian dhe ajo personalisht do të mbështesin presidentin në ardhje, Hashim Thaçin, në mandatin e tij. Sipas saj, Thaçi në rolin e tij si presidenti i ri i Kosovës, duhet të ndërtojë ura të bashkëpunimit ndërmjet grupeve dhe komuniteteve të ndryshme shoqërore. Ajo ka shtuar se Thaçi si president i Kosovës, duhet të ketë një rol aktiv në tejkalimin e hendekut ndërmjet qeverisë dhe partive opozitare. “Kjo duhet të jetë një nga prioritetet e politikës kosovare dhe posaçërisht edhe e presidentit të ri”, u shpreh Lunaçek. Ajo theksoi se dialogu ndërmjet spektrit politik i nisur nga presidentja në ikje, Atifete Jahjaga duhet të vazhdohet. “Kosova dhe presidenti i ri i saj, mund të llogarisin në mbështetjen time dhe Parlamentit Europian për të zgjidhur këto detyra”, shtoi ajo. Lunaçek-u lavdëroi edhe presidenten në ikje, e cila sipas saj ka ndikuar pozitivisht në imazhin e Kosovës në botë. Ajo shtoi se gjatë mandatit të Jahjagës, ka përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe në perspektivën europiane të Kosovës. Ndërkohë sot, Hashim Thaçi do të marrë detyrën e presidentit të Kosovës. Ceremonia solemne e betimit do të mbahet rreth orës 11:00 në Kuvend. Një ditë më pas Thaçi do marrë detyrën me inaugurim ceremonial të organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Thaçi merr detyrën si presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori i vitit 1999. Pas përfundimit të mandatit të parë 5-vjeçar, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat. Në këtë ceremoni janë ftuar 1 mijë personalitete nga Kosova, përfaqësues të institucioneve qeveritare, të institucioneve shtetërore, nga bota e akademisë, artit, kulturës, sportit. Por ftesë kanë marrë edhe personalitete nga rajoni dhe bota. Kurse Jahjaga ditën e fundit si presidente dje e kaloi me një axhendë të ngjeshur aktivitetesh. Fjalimin e fundit e mbajti para studentëve të Fakultetit Juridik, ku edhe vetë ka mbaruar studimet. “Nuk ka përmbyllje më të mirë sesa me studentët, me ju, me rininë e Kosovës, që unë pa marrë parasysh kudo ku kam shkuar jam krenuar me 60% të popullatës sonë, që është përfaqësimi më i mirë që e kemi”, tha ajo. Jahjaga, shtoi se javën e ardhshme do të nisë një pushim, për të menduar më pas për të ardhmen e saj. Ajo u zgjodh Presidente e Kosovës më 7 prill 2011, si kandidate e propozuar nga Ambasada Amerikane, pas një krize të thellë politike, ku Gjykata Kushtuese kishte vlerësuar se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me formën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit President.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.