Mazhoranca ka rënë pranuar për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Rregullores lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike, por dhe atë individuale të dy deputetëve Suli dhe Leskaj për t’i çuar mandatet e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, mazhoranca dhe opozita janë përplasur sërish për çështjen e mandatit të deputetëve Velentina Leskaj dhe Rakip Suli.
Deputetja e PS-së, Leskaj, gjatë fjalës së saj ka kërkuar që Kuvendi të votojë sot kërkesën për dërgimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese pas akuzave të opozitës se djali i saj ka përfituar fonde të paligjshme në kundërshtim me ligjin.
“Kërkesa ime dhe ajo e PD-së për mandatin tim të shkojë dhe të vlerësohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua, duke zbatuar rregulloren, që kjo kërkesë të votohet në seancën e sotme plenare në Kuvend”, – tha ajo.
Në replikë nga vendi, deputeti Sali Berisha tha: “Leskaj bëri detyrën e vet por pasagjerët nuk zbresin nga treni. Shoferi dorëzoi patentën. Kërkon votim”
Më pas ka reaguar deputeti i PD-së, Halimi, i cili ka thënë se “ne kemi kohë që e kemi bërë këtë kërkesë dhe nuk ka nevojë që zonja Leskaj të bëjë viktimën. Viktimë në këtë mes është populli që është grabitur, janë qytetarët”.
Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, ka thënë se mazhoranca hoqi dorë nga krimi kushtetues.
Në fund, kreu i Kuvendit shtoi se ditën e hënë do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores për Leskajn dhe Sulin, ndërsa të enjten e ardhshme ai do të votohet në Parlament me qëllim që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Rakip Suli: Maxhoranca ta çojë mandatin tim në Kushtetuese
Më herët, deputeti i Partisë Socialiste Rakip Suli do i kërkojë sot mazhorancës që ta çojë mandatin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Ai deklaroi se PD nuk do ta çojë mandatin e tij, pasi qëllimi i tyre është të bllokojnë reformën në drejtësi.
“Mund ta çonin mandatin tim në kushtetuese, por PD nuk ka dëshirë. PD kërkon të bllokojë reformën në drejtësi, i trembet hetimeve për reformën në drejtës. Drejtuesit e PD-së duhet të shkojnë në burg. PD i trembet burgut për abuzimet që ka bërë”, tha ai.
7 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)
Comments are closed.