Mustafa: Gjermania të na përkrahë për liberalizimin e vizave

mustafaKryeministri thekson se vendi po i drejtohet një rritjeje të qëndrueshme ekonomike 

Kryeministri Isa Mustafa mendon se për Kosovën është momenti ideal që të nisë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai informoi se qeveria është e fokusuar tërësisht në reformimin e vendit. Ditën e djeshme, ai zhvilloi një takim me delegacionin e grupit parlamentar të miqësisë, për marrëdhëniet me shtetet e Europës Juglindore në Bundestagun gjerman. Kreu i ekzekutivit nuk harroi pa përmendur edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke kërkuar kështu përkrahjen e Gjermanisë në këtë çështje. “Tani është momenti i duhur për zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik. Prandaj, qeveria e Kosovës është e fokusuar tërësisht në reformimin e mëtejshëm të ambientit ekonomik, si dhe ofrimin e përkrahjes së plotë për bizneset që të shfrytëzojnë MSA-në për shtrirjen e veprimtarisë dhe depërtimin e prodhimeve të tyre në tregun europian”, u shpreh Mustafa. Duke vlerësuar se për qytetarët e Kosovës është shumë e rëndësishme lëvizja e lirë, Kryeministri kërkoi mbështetjen e Bundestagut, lidhur me liberalizimin e vizave. “Liberalizimi i vizave do të mundësojë efekte dhe rezultate më të mëdha nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, pasi do të lehtësojë qarkullimin e ndërmarrësve kosovarë në vendet e BE-së”, shtoi ai. Gjatë takimit, kreu i qeverisë njoftoi parlamentarët gjermanë edhe për proceset dhe zhvillimet e tjera politike në Kosovë e më gjerë. Anëtarët e delegacionit të Bundestagut Gjerman, Peter Weiss, Andreas G. Lammel,s i dhe Josip Juratovic, vlerësuan ecurinë pozitive që po arrihet në Kosovë në shumë fusha, duke theksuar përkrahjen e tyre për Kosovën në proceset euro-integruese dhe liberalizimin e vizave. Gjithashtu, ata u interesuan për zhvillimet në vend, objektivat e qeverisë për zhvillimin ekonomik, situatën politike dhe për marrëdhëniet me fqinjët. Ata u zotuan se do të ndihmojnë që Kosova të njihet ndërkombëtarisht edhe nga pesë shtete të tjera.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.