Vetëvendosje: Djemtë e Kryeministrit Mustafa bëjnë biznes me serbët

VetevendosjePartia opozitare kërkoi dorëheqjen dhe procedimin penal të kreut të qeverisë

Partia opozitare Vetëvendosje ka kërkuar që Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, të japë dorëheqjen. Ata dokumentuan se djali i kreut të qeverisë kosovare po bën tregti me serbët, ndërkohë që ka nepotizëm brenda qeverisë, sepse atij i është dhënë leje për të ndërtuar një terminal doganor. Zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi, shkroi në llogarinë e tij në “Facebook”, se LDK-ja nuk e ka mohuar lidhjen e  biznesit të Isa Mustafës me Mishkoviçin. “LDK-ja në reagimin dëshpërues të saj, nuk e paska mohuar lidhjen biznesore të Isa Mustafës me Mishkoviçin. Djemtë e tij sjellin në Kosovë mallra të Serbisë, të cilat i marrin nga kompania e Mishkoviçit, ish-zv.kryeministër i Millosheviçit. Për këtë sot(dje) treguam fakte.

Isës i doli sheshit edhe skandali tjetër i licencimit për terminal të kompanisë së djalit të tij. Për këtë aferë korruptive, Isa Mustafa duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe të ndiqet penalisht! Sa i përket akuzës qesharake për Albin Kurtin, populli i Kosovës e di që Albini nuk i është nënshtruar e as lëshuar pe Serbisë, as para as gjatë dhe as pas burgut. Kurse Isa Mustafa ka qenë vartës dhe u ka shërbyer politikave të Serbisë prej fillimit të karrierës së tij politike e deri sot. Politikisht duke ia kriju ‘Zajednicën’ kurse ekonomikisht duke i angazhu djemtë që të bëjnë biznes me Mishkoviçin”, shkroi Krasniqi. Reagimi i tij erdhi pasi LDK-ja nëpërmjet një komunikate akuzoi se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë lidhje me shtetin serb. Edhe kryetari i Prishtinës, që është pjesë e VV-së, Shpend Ahmeti akuzoi Kryeministrin Isa Mustafa se Serbisë është duke ia dhënë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa, djemve terminale.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.