MARINZA, një vit pas fontanës. Banorët, frikë nga rreziqet

REPORTAZH

Reagim me frikën nga boshllëqet e nëntokës. Flasin banorët e zonës që rrezikoi dhe rrezikohet

LAURETA ROSHI

Marinëz…

Një vit pas fontanës, aty ku mbi vrimat e hapura nga shpërthimi harlisen bimë të egra dhe thatësira djeg oborre të braktisura banorët ndalen të flasin për frikën nga lëkundjet e palajmëruara të tokës, si dhe nga rreziku i shembjeve, aty ku vrimat e “urithëve” tregojnë nëntokë të pasigurt. Mungesa e ujit të rrjedhshëm, paqartësia e shfrytëzimit të nëntokës me marrëveshje zyrtare e ku interesi i komunitetit diskutohet i fundit, por ilustrohet me shifra kompesuese të pabëra publike si përdoren, kjo është Marinza sot.

Fatmir Cjapi është fermeri i parë që takuam mes ullishtave në faqen e kodrës mbi një shesh-pusi të rinj. Ai tregon se fusha është kaq e pasur, por kjo pasuri nuk është për ta. Ai nuk i njeh pronarët e tokës së puseve që shtrihet në rrëzën e kodrës ku ka ai parcelën.

Edhe pse ligji 7501 copëzoi tokat e ish-NNN Marinëz dhe fermës bujqësore të Roskovecit askush nuk është i qartë për ndarjen e tokës së naftës dhe tokës bujqësore, madje kontratat e nënshkruara si marrëveshje konfidenciale mes firmës dhe pushtetit lokal (ish-komuna) ka deklaruar kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, në një takim me disa banorë. Ajo rikonfirmoi se i ka kërkuar KLSH-së të verifikojë veprimtaritë e ish-komunarëve. Ndërkaq, ajo po punon për krijimin e një harte të re, të azhornuar, ku do të dalin qartë pronarët në kufijtë e rregullt dhe tokat me shtetin pronarë. Por banorët pak besojnë në deklarata. Pasi atyre 415 familjeve u mungon uji i rrjedhshëm, e madje pas fontanës së një prillit 2015 edhe puset që hapin në oborr rezultojnë të papërdorshëm për larje, vetëm për pastrimin e banjave mund të përdoren…naftë dhe pikëllim nxjerrin.

Kompania i furnizoi me bote me ujë të rrjedhshëm deri në shtator banorët, pastaj furnizimi u ndërpre dhe banorëve iu deklarua një marrëveshje për një ujësjellës të ri që do ta financojnë gjysmë përgjysmë, kompania dhe qeveria shqiptare, por…pasi pushteti lokal të ketë paraqitur një projekt!!! Projekti nuk dihet mbi ç’toka do të kalojë dhe ç’financa do të përdoren, ndërsa banorët kanë nevojën e përditshme për ujë.

Ajri, rreziku i parë

Në rrugën kombëtare Fier-Berat, aty ku ajri nis dhe rëndohet nga gazi, një tabelë shënon Marinëz 250 metër, e më pas një kthesë e fortë pas depozitave dhe shfaqet fusha e arit të zi. Nikollaq Deliu, një nga banorët e hershëm të zonës, tregon se pas shpërthimit të fontanës frika e shembjeve u rikthye, dhe jo vetëm te familjet e zonës së prekur me çarje dhe argjil. Një studim i fundit i Institutit të Gjeologjisë e skicon zonën e Marinzës si zonë të rrezikshme dhe ndan banesat në tri kategori: zona a, b, c, edhe pse dy shtëpi të zonave të ndryshme i ndan një mur. Ajo që mbeti pas fontanës së gazit është dhe frika nga ajri i ndotur. Studimi i institutit të Shëndetit Publik, i përshkruan puset publike nga furnizohen banorët të pasigurt për furnizimin e popullatës. Prania e fenolit në ujin e matur nga specialistët rezulton nga norma 80 në shkallën 120 deri në 175mg/gr., ndërsa 84 për qind e familjeve rezultojnë të kenë pasur problem me djegie dhe skuqje të syve, më dendur në këta 12 muaj më të fundit.

Ankesat e banorëve dhe padija e së nesërmes…

Banorët shprehen se kanë dëgjuar që kompania do kalojë te disa sipërmarrës kinezë… Ku i dihet, thotë Endrit Ruko, një i ri që punon me traktorin e tij në parcelat bujqësore. “Nuk kam përfituar dëmshpërblim nga kompania, se shtëpitë tona janë larg fontanës. Ne kemi më shumë rrezik ndotjen dhe mungesën e ujit, si dhe atë fushën e plehrave që zgjerohet e zgjerohet dhe njerëzit e djegin e askush nuk e mbulon”, shton ai. Tani vend-shpërthimi i fontanës është një shesh i mirëndërtuar pusesh aktivë me një kabinë roje të firmës. Një tabelë të kujton rregullat e emergjencës në rast rreziku. Pak më tutje gazi digjet në ajër nga flaka në tymnajë dhe trazohet me zërat e fëmijëve që luajnë në një fushë, rrethuar me kanale me naftë. Dy shtëpitë afër fontanës, ajo e Pandi Nikollit dhe Marie Prokos, u shpërblyen të parat mes 44 familjeve të zonës A. Maria, një e moshuar, tregon se fëmijët i ka në emigracion, se ka marrë ca lekë nga firma, por thotë se si plakë që është nuk ka ku të shkojë. Siç duket nuk e kupton mirë rrezikun e të jetuarit aty. Krejt ndryshe, fqinjët e saj, Pandi e Donika Nikolli, e lanë shtëpinë dhe kopshtin dhe kanë shkuar në qytet. Pandi vjen dhe kujdeset për banesën e tyre dhe lulet dhe ndjek vijat e mureve, plasaritjet e tokës që zgjerohen çdo ditë. “Kjo tregon që toka zien nën të”, thotë ai dhe tregon një kallam që zhytet në një vrimë “urithi”. “Me humor themi, vrime vdekjeje e heshtur”, tregon Pandi.

Pandi sqaron se shtëpitë nuk janë blerë nga firma, thjesht firma ka kompensuar dëmet si dhe mosjetesën aty për dy vjet, rrezik ky i shënuar në kontratë dhe i paguar në mënyrë korrekte, sipas tij.

Pusin dikur e kishim në derën e shtëpisë dhe nuk ishim kaq të pasigurt, tregon Maria, linda djalin e madh atje dhe kur isha në punë djali mbeti në një gropë serre e u detyruam të iknim nga aty e u zhvendosëm këtu. Po edhe këtu njëjtë, më keq.

Disa nga shtëpitë me mure të çarë, edhe pse të reja, janë më grila të mbyllura. Aty nuk jeton njëri… Kompania ka shpërblyer banorët dhe po merr për dy vjet në ruajtje shtëpitë e tyre. Kjo për një pjesë të fshatit. Pjesa tjetër… asgjë. Madje, edhe shkurtimet e fundit nga puna i kanë mërzitur të rinjtë e fshatit.

Marrëveshje të papublikuara

Detyrimet e kompanisë ndaj komunitetit nuk ndryshojnë, dhe pse një pjesë e aksioneve i kalon një firme kineze, – thotë kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, një nga firmëtaret e marrëveshjes së dhënë për shfrytëzim zonën naftëmbajtëse kompanisë kanadeze për 25 vjet, marrëveshje e nënshkruar në cilësinë e kryebashkiakes, bashkë me 17 zyrtarë, të majtë e të djathtë. Eleni Dafa, një nga gratë e reja të zonës, e sapodiplomuar në shkencat e biologjisë, pohon se jetojnë me rrezikun, po ky është fati i tyre, po mbase më mirë do të ishte nëse ata vetë vendosnin marrëveshjet me kompaninë, sipas zonave, dhe se më mirë do të ishte që komuniteti të informohej për çdo rrezik apo investim. Në qendër të Marinzës, pak metra larg vendit ku shpërtheu fontana, dhe shtëpitë janë të heshtura. Aty mund të takosh njerëz me historitë e tyre, të jetës pranë rrezikut dhe padijes…









Comments are closed.