Vlorë, Rama: Ta kthejmë turizmin në zhvillim ekonomik

 

rama“Program rrjetëzimi që përfshin Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër”

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje në Vuno të Vlorës projektin e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës për zhvillimin nëpërmjet restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale të fshatrave të bregut, “Trashëgimia, motor zhvillimi”. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se ky program i ri që përfshin Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër, është një program rijetëzimi, duke ndërhyrë në mënyrë kapilare qelizë më qelizë në të gjitha muret, dritaret, çatitë, për t’u kthyer këtyre dy perlave të Jonit, por edhe të gjithë bregut të Shqipërisë, rrezatimin e humbur në kaq shumë vite braktisjeje nga ana e shtetit, por edhe largimi i familjeve. Rama u ndal në këtë fshat për të prezantuar projektin e qeverisë, që synon rritjen e turizmit dhe zhvillimit në zonën e bregdetit. “Po përpiqemi përditë që jo vetëm të shpëtojmë atë që kemi trashëguar, por edhe ta kthejmë në element zhvillimi ekonomik dhe social”, u shpreh ai. Projekti do të nisë nga kisha e Vunoit, një monument i rëndësisë së veçantë për vlerat historike dhe kulturore që mbart. Por ai garantoi se qeveria që ai drejton nuk do të ndalet vetëm këtu, por do të vazhdojë në gjithë fshatrat e bregdetit për të ndryshuar imazhin e tyre, sipas Kryeministrit, të lënë në harresë në 25 vjet. “Synojmë që t’i japim gjithë kësaj zone turistike një forcë të re zhvilluese dhe të kthejmë këto mjedise në motor zhvillimi ekonomik”, u shpreh ai. Realizimi i këtij objektivi, shefi i qeverisë tha se do të nisë nga pastrimi i xhunglës së titujve të rremë të pronësisë. “Janë 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie të zhvendosur nga pronarët legjitimë te pronarë të supozuar, që do t’i rikthehen qoftë shtetit qoftë njerëzve legjitimë, ashtu sikundër do t’u rikthejmë të gjithëve një territor të zaptuar nga çibanët”, tha Kryeministri. Turizmi, deklaroi Rama, është pika kyçe e rritjes ekonomike. Fjalimin e tij para banorëve të Vunoit, Rama do ta përfundonte me një batutë nostalgjike, duke lënë të kuptohet se ai ka nisur të mendojë për pensionin e tij. “Si nip nga Vunoi jam i kënaqur që kësaj toke i krijohet mundësia që të rilulëzohet dhe në pleqërinë që po afrohet edhe mua, edhe Koços na krijohet mundësia që të kalojmë kohë më të gjatë në sheshin e vogël para lapidarit, ku pleqtë mblidhen dhe flasin për problemet e botës”, u shpreh Rama.




Comments are closed.