Zbogar: Dita e lëvizjes pa viza në Europë është afër

ZbogarKosovë

Arritja e madhe mes Kosovës dhe BE-së: MSA hyn në fuqi më 1 prill

Shefi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, theksoi se BE-ja është partneri më i madh i Kosovës. Këtë ai e mbështeti në fondin prej 650 milionë eurosh që do t’i jepet Kosovës në shtatë vitet e ardhshme

“Janë bërë shumë lojëra politike, por tashmë është momenti që udhëheqësit e Kosovës ta shohin Kosovën si interesin kryesor.” Kjo ka qenë porosia e Samuel Zbogar, shef i zyrës së BE-së në Prishtinë, i cili, gjatë një diskutimi në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, tha se partitë e koalicionit dhe opozita duhet ta kenë primare Kosovën dhe duhet të pranohet që koalicioni e ka shumicën. “Opozita luan një rol shumë të rëndësishëm. Liderët e vendit duhet të vendosin se çfarë është më e mira për Kosovën dhe qytetarët, që ata ta shohin të ardhmen në Kosovë. Kjo arrihet përmes dialogut mes partive”, ka thënë Zbogar. Sipas tij, ajo çka i duhet Kosovës është ekonomia dhe vendet e reja të punës. “MSA-ja, e cila hyn në fuqi më 1 prill, është arritja më e madhe dhe kontrata e parë mes Kosovës e BE-së. Kjo marrëveshje do të fuqizojë ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit. Varet nga Kosova që ta bëjë këtë marrëveshje të funksionojë për qytetarët e saj”, deklaroi shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë. Më tej, ai tha se është i vetëdijshëm që qytetarët e Kosovës presin me padurim lëvizjen pa viza në vendet e BE-së. “Mezi prisni dhe e meritoni të udhëtoni të lirë në BE … dhe kjo ditë është afër”, u shpreh Zbogar, duke theksuar se në rrugën e liberalizimit të vizave, “Kosova ka kryer shumë reforma dhe qëndron në një pozitë të mirë, për shkak të këtij procesi, i cili ka qenë i gjatë”. Shefi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, theksoi se BE-ja është partneri më i madh i Kosovës. Këtë ai e mbështeti në fondin prej 650 milionë eurosh që do t’i jepet Kosovës në shtatë vitet e ardhshme. “Kjo është dëshmia që BE-ja kujdeset për Kosovën”, tha Zbogar. Më tej, Zbogar foli edhe për sfidat e përbashkëta të Kosovës dhe të BE-së, të cilat, sipas tij, nisin nga migrimi e shkojnë deri te terrorizmi. “Kemi parë shumë të rinj që kanë shkuar në Siri dhe Irak. Pas tragjedive nëpër Europë është e qartë që kjo luftë kundër ekstremizmit fetar është e përbashkët”, tha shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.