Leskaj, letër Metës: Mandati im të shkojë në Kushtetuese

Valentina LeskajDeputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, njëkohësisht nënkryetare e Kuvendit, i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku i kërkon që çështja e mandatit të saj të shkojë për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.

Këtë  vendim Leskaj e ka marrë pas kërkesës së opozitës, e cila ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në parlament me dërgimin në Kushtetuese të mandateve të deputetëve të mazhorancës Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, të cilët i akuzon se janë në konflikt interesi, duke përfituar fonde nga shteti.

Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, tha se letra që i dërgoi sot kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që mandati i saj të dërgohet në Kushtetuese nuk është një sakrificë në emër të dialogut mes mazhorancës dhe opozitës. Një veprim të tillë, Leskaj pretendon se e ka bërë pasi kjo është pjesë e filozofisë së saj.

“Në radhë të parë mos kini asnjë merak, se nuk ka asnjë sakrificë. Përkundrazi, kjo është pjesë e filozofisë time, e moralit, e integritetit tim. Letra është publike. I kam bërë një letër Kryetarit të Parlamentit ku i kam kërkuar që pretendimet e Partisë Demokratike të çohen në Gjykatën Kushtetuese.

Dua të sqaroj, që nuk është hera e parë që e bëj këtë kërkesë, por natyrisht jo Kryetarit të Parlamentit. Partisë Demokratike i‘a kam thënë disa herë. Madje që në momentin e parë që PD ka ngritur këtë pretendim, unë i kam thënë: keni nisur një çështje, unë ju inkurajoj ta çoni deri në fund. Iu kam thënë ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Natyrisht ata nuk kanë patur kurajën ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk kanë të drejtë. Siç është i qartë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili bën fjalë për dy raste komplet të ndryshme. Meqenëse ata nuk patën kurajë ta çonin unë i jam drejtuar me një letër publike Kryetarit të Parlamentit. Ja kam çuar që dje paradite dhe i kam kërkuar që të nisi në Gjykatën Kushtetuese pretendimin e PD, për të cilin jam e sigurt që Gjykata Kushtetuese do marrë vendimin në përputhje me ligjet dhe standardet që ka”, tha Leskaj.

31 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.