Mustafa: S’ka më kosovarë që ikin tek ISIS

mustafaKosova dhe SHBA-ja nënshkruan dje një marrëveshje dypalëshe ekstradimi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e quan sukses që qeveria dhe policia vendase kanë arritur që të bllokojnë udhëtimin e të rinjve të radikalizuar drejt Sirisë dhe Irakut për të luftuar me IS-in. Dje, ai vizitoi Policinë dhe Ministrinë e Brendshme, për t’u njohur nga afër me luftën kundër terrorizmit. Sipas Mustafës, nxjerrja e legjislacionit që parashikon dënime të ashpra ndaj kosovarëve, të cilët luftojnë përkrah organizatës terroriste ISIS, ka ulur interesimin e kosovarëve për të udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut. “Është një punë shumë konkrete në koordinim me të gjitha subjektet e tjera, ndaj dhe është arritur që të ndalet vajtja e njerëzve tanë atje. Sipas raportimeve, në 8 muajt e fundit nuk kemi pasur asnjë udhëtim të njerëzve tanë në frontet e jashtme, qoftë në Siri apo në Irak”, tha kreu i ekzekutivit. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Skëndër Hyseni, tregoi për numrin aktual të kosovarëve që luftojnë përkrah IS-it. “Në vatrat e krizës mund të ketë rreth 70 qytetarë të Kosovës. Ndonjëherë, për fat të keq, ata marrin me vete edhe anëtarë të familjes, sidomos gra dhe fëmijë, e në të shumtën e rasteve kjo bëhet kundër vullnetit të tyre”, tha ai. Që nga viti 2012 e deri më tani, numri i shqiptarëve nga Kosova që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak është mbi 300. Dje, Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan një marrëveshje dypalëshe ekstradimi, e cila shfuqizon marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar nga SHBA dhe qeveria e Mbretërisë së Serbisë në vitin 1901. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se, marrëveshja e ekstradimit forcon Kosovën si shtet në arenën ndërkombëtare. “Rëndësia e kësaj do të jetë tepër e madhe në parandalimin e terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar. Marrëveshja ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është gjithashtu një mekanizëm, që do të rrisë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Besueshmëria e Kosovës rritet gjithashtu edhe kur vendi lufton me sukses korrupsionin e brendshëm. Jam krenar, që SHBA bashkëpunojnë ngushtë me Kosovën për këtë gjë”, tha Delawie. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, kjo marrëveshje vjen pas ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.