Lunaçek: Serbia nuk futet në BE, po nuk njohu Kosovën

lunacekZyrtarët europianë i tremben faktit se nëse shteti serb bëhet pjesë e unionit, do të bllokojë hyrjen e Kosovës

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, ua ka bërë edhe një herë të qartë drejtuesve serbë se nëse Kosova nuk njihet, atëherë Serbia nuk do të bëhet kurrë pjesë e Bashkimit Europian. “Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqeu kjo dikujt apo jo”, tha ajo gjatë një diskutimi në Berlin, me temën “Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Zyrtarja e PE-së shtoi se ajo vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Njohja e Kosovës nga të gjitha vendet e unionit është diçka që duhet të ndodhë”. Në diskutimin e djeshëm morën pjesë edhe Bodo Veber-i, pjesëtar i Këshillit për Politika Demokratike, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. “Nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE”, argumentoi Veber-i. Kurse kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u shpreh se lëvizja ku ai bën pjesë, Vetëvendosje, nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime. “Serbia nuk po e trajton Kosovën si partner të barabartë në bisedime dhe se deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për krimet që ka kryer gjatë vitit 1999 në Kosovë”, deklaroi kreu i Prishtinës. Ndërkohë, mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon që të jetë në fuqi bllokada e produkteve të naftës dhe gazit. Shteti kosovar reagoi duke vendosur masë reciprociteti, pas politikës së aplikuar nga autoritetet serbe. Gjithsesi, u deshën muaj të tërë për të bindur institucionet e vendit që përfundimisht të bllokojnë maunat me derivate të naftës apo gaz që importoheshin nga Serbia. Drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve thonë të kenë kërkuar shumë më herët nga qeveria që të ndërmarrë masa për të mbrojtur bizneset vendëse. Nga 22 marsi, kur u vu në zbatim vendimi e deri tani, janë kthyer mbrapsht 5 maune. Mendohet se Kosova ka pësuar një humbje prej 500 mijë eurosh nga këto masa, ndërkohë që shteti serb humb 21 mijë euro çdo ditë. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, u shpreh se po punon që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.