BERZH: Si mund t’i joshni investitorët

BERZHINTERVISTA

Flet Denk, drejtori i Zyrës për Shqipërinë. Strategjia e re, situatë ekonomike, parashikimet dhe sfidat për vitet e ardhshme 

RUDINA HOXHA

Gjermani Christoph Denk, i cili drejton zyrën e BERZH-it në Shqipëri prej 15 muajsh, gjatë një interviste për “Shqip”, ka shpjeguar strategjinë e re të institucionit të tij për Shqipërinë (2016-2019), situatën ekonomike të vendit, investimet e huaja, si dhe sfidat me të cilat BERZH ballafaqohet në Shqipëri.

Së fundmi, u miratua strategjia e BERZH-it (2016-2019) për Shqipërinë. Si e shikoni këtë strategji kundrejt korrupsionit? Sipas jush, sa i rëndësishëm është ky moment për të dyja palët?

Me anë të strategjisë sonë të re, ne duam të mbështesim qeverinë në objektivat e saj ambiciozë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Çka është e veçantë dhe e re lidhur me strategjinë e BERZH-it është se ne nuk ofrojmë vetëm financim për zhvillim ekonomik, por edhe shërbime këshillimore për bizneset, si dhe mbështesim reformat strukturore nëpërmjet dialogut për politikat. Pra, ne do të zbatojmë një përqasje të kombinuar: do të ofrojmë financim, por edhe do të ndihmojmë kompanitë të rrisin njohuritë dhe qeverinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar klimën e investimeve.

Lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit është pjesë e kësaj strategjie. Shumë biznese janë të shqetësuara nga ky fenomen dhe ne do të donim ta mbështesnim qeverinë në përpjekjet e saj për një qeverisje të mirë dhe krijimin e një fushe ku të gjitha bizneset mund të luajnë nën të njëjtat rregulla.

Cilat janë pritshmëritë e BERZH-it në fund të kësaj strategjie? Çfarë rezultatesh prisni nga qeveria shqiptare?

Ne do ta konsideronim këtë strategji një sukses nëse do të përparonim në arritjen e rezultateve sa më poshtë deri në vitin 2020:

Së pari, sektori privat të ketë përmirësuar konkurrueshmërinë e tij nëpërmjet investimit të kujdesshëm dhe zhvillimit të njohurive.

Së dyti, Shqipëria të ketë forcuar lidhjet e saj me vendet e tjera të rajonit dhe me BE, për shembull, në sektorët e transportit, energjisë, por edhe nëpërmjet tregtisë dhe investimeve

Së treti, shërbimet publike në Shqipëri, veçanërisht në energji dhe në sektorin e infrastrukturës bashkiake, të jenë bërë të qëndrueshme financiarisht dhe më efikase në operacionet e tyre dhe ofrimin e shërbimeve.

Kështu do ta përkufizonim ne suksesin e kësaj strategjie. Këto tri fusha – konkurrueshmëria e sektorit privat, lidhjet rajonale dhe komercializimi i shërbimeve publike janë gjithashtu tri fushat ku ne do të fokusohemi në punën tonë.

Pikat e kësaj strategjie janë të rëndësishme por sipas mendimit tuaj,cila prej tyre është më e rëndësishmja e duhet të merret në konsideratë nga qeveria shqiptare në veçanti?

Mendoj se më e rëndësishmja është forcimi i konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Cilin nga sektorët në Shqipëri mund ta përmendni si më interesanti i momentit për të investuar? Cilët sektorë do të promovonit ose të shtynit drejt investitorëve?

Një sektor të cilin ne po e shikojmë në veçanti është agrobiznesi ku Shqipëria ka një potencial të madh të pashfrytëzuar. Me agrobiznes, ne nënkuptojmë të gjithë zinxhirin e vlerës që “nga fusha deri në tavolinë”. Tashmë agrobiznesi është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë, rreth 20 për qind e PBB mbulohet nga bujqësia. Dhe afërsisht gjysma e popullsisë shqiptare në zonat rurale punon në këtë sektor. Ende agrobiznesi vuan nga një sërë problemesh. Një nga këto është mungesa e aksesit në financime. Ky është një aspekt që ne duam ta adresojmë fort. Së bashku me qeverinë, bankat dhe institucionet mikro-financiare, ne po punojmë fort për të prezantuar Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i cili do të përmirësojnë ndjeshëm aksesin në financime në këtë sektor të rëndësishëm. Ky është një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për bizneset shqiptare, por edhe për investitorët e huaj. Gjithashtu, është një sektor tjetër, i cili aktualisht merr më pak vëmendje sesa duhet: Industria e lehtë, që përfshin pjesët me punë intensive të zinxhir të prodhimit të pajisjeve automobilistike. Këtu Shqipëria ka avantazhin e të pasurit një kosto të ulët të punës. Gjithashtu, vendndodhja e Shqipërisë nuk është larg nga qendrat e rrjeteve zinxhir të prodhimeve automobilistike në Europë. Mendoj se ka shumë më tepër potencial për t’u shfrytëzuar.

Fusha e tretë, ku ne shohim një interes të konsiderueshëm nga ana e investitorëve, është sektori i energjisë, sidomos ai i energjisë së rinovueshme, përfshirë hidrocentralet. Në mënyrë që këto investime të materializohen, qeveria ka bërë tashmë progres të madh në reformimin e këtij sektori. Këto reforma kanë nevojë të përfundojnë për ta bërë të dukshëm kuadrin rregullator në të cilin investitorët potencialë operojnë. Në përgjithësi, ky është një sektor tërheqës duke marrë parasysh se Shqipëria ka burime shumë të mira të energjisë së rinovueshme.

A ja keni shfaqur këtë interes tashmë qeverisë shqiptare dhe a është përgjigjur ajo?

Po. Kjo është në linjë me prioritetet e qeverisë dhe agrobiznesi, në veçanti, është me prioritet në axhendën e qeverisë. Ne jemi të kënaqur dhe të nderuar që qeveria po punon ngushtas me BERZH-in për ta ndihmuar këtë sektor të zhvillohet.

A është BERZH-i i interesuar të marrë pjesë në privatizime të ndryshme në Shqipëri me qëllim, për shembull, ecjen përpara të disa projekteve?

Mandati i BERZH-it është të ndihmojë vendet të bëhen ekonomi tregu konkurruese, stabël, të qëndrueshme, dhe të mirëqeverisura. Që nga krijimi i BERZH-it 25 vite më parë, privatizimet kanë qenë në qendër të procesit të tranzicionit. Ka disa mënyra se si ne mund të mbështesim privatizimet. Për shembull, ne mund të punojmë me kompani shtetërore për t’i përgatitur ato për privatizim duke i përmirësuar qeverisjen korporative, duke komercializuar operacionet e saj ose duke i financuar të dyja këto procese nëpërmjet borxhit ose kapitalit, me qëllim përgatitjen e tyre për privatizim.

Për më tepër, nëse një kompani shtetërore është nxjerrë për shitje, domethënë për privatizim, ne mund të bashkëinvestojmë me një blerës strategjik. Ne mund të marrim një kuotë të vogël në kompaninë e privatizuar. Shpesh investitorët strategjikë pëlqejnë të na përfshijnë edhe ne për t’i mbështetur ata, për t’i dhënë komfort dhe për t’i ofruar ekspertizë. Ne jemi të hapur ndaj bizneseve në këtë aspekt dhe investitorët janë të mirëpritur për t’u afruar.

Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm sa i takon situatës ekonomike të shqiptarëve dhe të vendit?

Nëse shohim pamjen e përgjithshme, besoj se Shqipëria ka arritur shumë në 25 vite dhe shqiptarët munden dhe duhet të jenë vërtet krenarë për këto arritje. Kjo është pika më thelbësore. A mund të ishte situata ekonomike edhe më e mirë sot? Po. Por për të qenë të ndershëm me ju, mund të ishte edhe shumë më keq. Kështu, është e rëndësishme ta mbajmë këtë fakt parasysh. Duke e “zmadhuar” pak më tepër të shkuarën e afërt, është e vërtetë se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është goditur nga një shok strukturor që ndodhi në kohën e krizës financiare globale. Para krizës, zhvillimi ishte më i fortë se sa në të shkuarën e afërt. Së fundmi, procesi i konvergimit të Shqipërisë me ekonomitë e zhvilluara të Europës është ulur në mënyrë të konsiderueshme. Rezultoi se modeli i zhvillimit para krizës financiare nuk ishte i qëndrueshëm. Ishte shumë i bazuar në zhvillimin e nxitur nga kreditë sidomos në sektorin e ndërtimit duke përfshirë shumë ndërtime pa plan dhe të paligjshme. Tani, ekonomia është duke e marrë veten duke punuar me çështjet e trashëguara. Këtë mund ta shikoni në bilancet e bankave në formën e kredive të këqija. Këto kredi të këqija i kanë ekuivalentët e tyre në sektorin e korporatave ku ende disa kompani po luftojnë me efektet e investimeve të drejtuara gabim në të shkuarën. Kështu, sistemi po punon me çështjet e trashëguara dhe ka përparim.

Gjithashtu është e rëndësishme për të parë kontekstin rajonal. Italia, për shembull, është partneri tregtar më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe ka kaluar një recesion të dyfishtë shumë serioz. Ekonomia italiane është duke u ngritur tani nga këto kohëra shumë të vështira. Nëse gjithçka shkon mirë, ky rikuperim do të ndihmojë edhe në përshpejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Gjithashtu ka edhe një faktor të veçantë këtë vit: Ne do të shikojmë fillimin e punimeve të gazsjellësit Trans-Adriatik. Ky do të mbështesë zhvillimin në Shqipëri. Në përgjithësi, BERZH-i pret një përshpejtim të lehtë të zhvillimit në Shqipëri në 3.3 për qind këtë vit.

Cila është pikëpamja juaj për trendin e investimeve direkte të huaja në Shqipëri?

Ne shikojmë interes nga investitorët direktë të huaj në Shqipëri. Në fakt, kam vënë re më shumë interes në muajt e parë të vitit sesa në të gjithë vitin e shkuar të marrë së bashku. Ky është lajm i mirë. Më duhet të shtoj se secili që vjen këtu bën përgjithësisht dy pyetje. E para: Çfarë ndodh nëse kam një konflikt ose një problem me qeverinë? Kështu investitorët janë të shqetësuar se si problemet e tyre potenciale dhe shpesh të pashmangshme mund të zgjidhen. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim jo vetëm për zhvillimin e Shqipërisë si një shoqëri dhe për përafrimin e saj me BE-në, por gjithashtu edhe për tërheqjen e investimeve. Pra, kjo është pyetja e parë që bën çdo investitor, sistemi ligjor shtetëror dhe zgjidhja e konflikteve me qeverinë. Dhe pyetja e dytë është gjithashtu shumë praktike: Si duken investitorët ekzistues në vend? A janë ata të lumtur? Mendoj se kjo është diçka shumë e rëndësishme për qeverinë për t’u pasur parasysh. Nëse arrini t’i mbani investitorët ekzistues të lumtur, ata do të jenë ambasadorët tuaj më të mirë për tërheqjen e investimeve të ardhshme.

Cili është investimi total i BERZH-it në Shqipëri?

BERZH ka investuar në mënyrë kumulative pothuajse një miliardë euro në Shqipëri. Kjo është një shumë e madhe dhe ambicia jonë është të bëjmë edhe më tepër. Ajo që është e rëndësishme për t’u kuptuar në këtë kontekst është se investimi ynë nxitet shumë nga kërkesa. Pra, nuk është se ne kemi një sasi fikse të investimit vjetor të cilin ne e alokojmë midis 36 vendeve ku ne operojmë. Ne jemi elastikë. Kështu, sa më e mirë klima e investimeve, aq më i lartë interesi nga investitori i huaj dhe vendas, dhe aq më shumë ne mund të realizojmë në një vend si Shqipëria.

Cilat shikoni si sfidat kryesore me të cilat BERZH-i po përballet ende në Shqipëri?

Në Shqipëri, sfida jonë si një bankë është e trefishtë: Ne kemi një sektor privat këtu që është ende në një fazë relativisht të hershme të zhvillimit të tij, përgjithësisht me një krijim vlere të kufizuar në vend. Ju shihni shumë kompani, për shembull, të cilat përqendrohen në import dhe shpërndarje mallrash me një krijim vlere relativisht të vogël në vend. Çështja e dytë është se sektori bankar, i cili është për ne një mënyrë e rëndësishme për të arritur bizneset e vogla, është jashtëzakonisht likuid. Ata kanë shumë depozita, pra nuk kanë nevojë për financim nga institucione si ne. Sfida e tretë është se shteti i cili është i rëndësishëm për ndërtimin e infrastrukturës për shembull, ka tashmë një nivel borxhi mjaft të lartë. Pra, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm borxhi shtesë. Pra, këto janë kryesisht tri sfidat me të cilat ne po ballafaqohemi si bankë në bërjen e biznesit në Shqipëri. Dhe në strategjinë tonë, ne kemi punuar rreth këtyre sfidave. Për shembull, duke ofruar produkte te bankat, që nuk përfshijnë financime por ku ne ndajmë riskun e një projekti të dhënë apo të një portofoli projektesh. Kjo është më tepër tërheqëse për bankat dhe kjo është përqasja që ne kemi ndërmarrë me Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri

Së fundmi, vëmendja është përqendruar edhe tek inovacioni dhe teknologjia në Shqipëri. A ka BERZH-i ndonjë projekt në këtë fushë dhe cila është përshtypja juaj e përgjithshme rreth zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë?

Me të vërtetë, inovacioni po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm si një shtytës për zhvillimin ekonomik. Raporti i Tranzicionit të vitit të shkuar të BERZH-it u përqendrua në këtë çështje. Dhe ne bëjmë atë që mundemi për të mbështetur kompanitë që përqafojnë inovacionin. Ka dy mënyra për këtë të cilat dua t’i evidentoj. Njëra është ofrimi i shërbimeve këshillimore për kompani të vogla dhe dinamike të cilat mund ti ndihmojnë ato të bëjnë inovacion. Mënyra tjetër është veçanërisht për kompanitë me zhvillim të shpejtë, të cilat kanë një historik rezultatesh të suksesshme dhe duan të kalojnë në një nivel tjetër zhvillimi. Ne mund t’i financojmë ato nëpërmjet Fondit për Zgjerim Ndërmarrjesh (Enterprise Expansion Fund) – ENEF. Ne mund të investojmë kapital apo borxh të varur në këto kompani. Në këtë mënyrë ne mbështesim kompanitë inovative në rritje në Ballkanin Perëndimor përshirë Shqipërinë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.