BB: Arbitrazhi, kosto e lartë për Shqipërinë  

gjykataMiliarda lekë studiove

Banka Botërore: Krahasuar me rajonin, keni numrin më të lartë të gjyqeve me kompanitë e huaja

Asistenca – BB është duke punuar me qeverinë në lidhje me ankimimin ndërkombëtar pranë Gjykatave të Arbitrazhit

Çështja “Rapicscan” – Kompania koncesionare e skanimit në dogana kërkoi 359 milionë euro dëmshpërblim nga shteti shqiptar

Çështja CEZ – Çekët e Kompanisë së Shpërndarjes CEZ, paditën shtetin në Arbitrazh dhe kërkuan dëmshpërblim 103 milionë euro

Zamir Alushi

Banka BoteroreBanka Botërore (BB) i rekomandon qeverisë të bëjë kujdes me kompanitë e huaja, sepse gjyqet e Arbitrazhit po i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë. Kostot nuk janë vetëm financiare. Në takimet e fundit të ekspertëve të BB me një grup ndërministror, kjo është një nga çështjet që është shtruar për të rregulluar imazhin e vendit tek investitorët ndërkombëtarë. Znj. Sagita Muço, përgjegjëse për operacionet pranë Bankës Botërore, sipas procesverbalit të mbledhjes së fundit të Këshillit të Investimeve, ka nxjerrë në pah diskutimet midis grupit ndërministror për raportin “Doing Business”, veçanërisht në lidhje me zbatueshmërinë e kontratave si një nga treguesit më problematikë. Ajo shprehu gatishmërinë e BB për të asistuar Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me këtë çështje. Një tjetër aspekt që BB është duke punuar ka lidhje me ankimimin ndërkombëtar pranë Gjykatave të Arbitrazhit. “Shqipëria ka numrin më të madh të ankimeve, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, nga investitorë të huaj, gjë që e cila po i shkakton një kosto të lartë shtetit dhe investitorëve si edhe ndikon në perceptimin e sipërmarrësve të huaj mbi klimën e investimeve në vend”, ka deklaruar ekspertja e BB. Ndërkaq, eksperti i BERZH, Juraj Strasser, ka prezantuar idenë konceptuale të BERZH-it për ngritjen në Shqipëri të institucionit të “Ombudsman”-it të biznesit (avokati i Biznesit), i cili është diskutuar tashmë edhe me Qeverinë Shqiptare dhe Bankën Botërore. Qëllimi i Avokatit të Biznesit si një institucion i pavarur, do të jetë të rishikojë çështje individuale për t’u investiguar dhe trajtuar si edhe të ofrojë rekomandime mbi ndryshime sistematike. Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, parashtroi një propozim konkret në lidhje me ngritjen e institucionit të “Ombudsman”-it për Biznesin. Sipas Jakës, ky institucion duhet të zgjidhet nga komuniteti i biznesit (dhomat e tregtisë) dhe të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet një ligji të veçantë. Ndërsa, Elira Sakiqi, përfaqësuese nga IFC (Korporata Financiare BB), mbështeti rekomandimet e Këshillit të Investimeve dhe Dhomës së Tregtisë, madje kërkoi që plotësimi i kërkesave nga institucionet dhe qeveria të ndiqen me afate.

Miliarda lekë për studiot

Me ardhjen në pushtet të së majtës në 2013, lindën përplasjet me kompanitë e huaja koncesionare të kontraktuara nga qeveria e mëparshme. Karakteristikë e zgjidhjes së këtyre çështjeve ka qenë zgjidhja me pajtim, të argumentuara si zvogëlim i pasojave të mundshme financiare. Kështu, çekët e Kompanisë së Shpërndarjes CEZ, paditën shtetin në Arbitrazh dhe kërkuan 103 milionë euro dëmshpërblim. Në këto kushte, duke llogaritur se bllokoheshin rreth 200 milionë dollarë investime në energjetikë nga BB dhe duke pasur parasysh se gjyqi vazhdonte me vite, por edhe shanset e pakta për të fituar, qeveria “Rama” vendosi t’u shlyejë çekëve 95 milionë euro me këste në këmbim të kalimit të 75 për qind të aksioneve të blera. KLSH e konsideroi se marrëveshjen e pajtimit me CEZ i shkaktoi shtetit një dëm rreth 500 milionë euro dhe bëri kallëzim në prokurori për grupin negociator. Qeveria shqiptare harxhoi mbi 300 mijë euro për të paguar zyrat avokatore për çështjen CEZ. Një çështje tjetër, që u mbyll me pajtim ishte koncesioni i skanerit në dogana dhënë kompanive “Rapiscan” dhe “S2Albania”. Koncesionari i huaj i kërkoi qeverisë shqiptare 359 milionë euro dëmshpërblim në bazë të kontratës së miratuar në Parlament nga të djathtët dhe qeveria “Berisha”. Pas shumë negociatave çështja u mbyll me pajtim me ndryshimin e tarifave të kontratës. Këshilltare e qeverisë për këtë çështje ishte studioja ligjore e Blair, që u pagua rreth 500 mijë euro për këtë kontratë.  Mosmarrëveshje i zgjidhur me pajtim në Arbitrazh është edhe me kompaninë kroate “Dalekovod”, por qeveria ka marrë përsipër t’i paguajë 6.8 milionë euro. Vendimi i OST dhe qeverisë u argumentua si mbyllje e konfliktit që zë fill me tenderin e ndërtimit të linjës së transmetimit të energjisë me Malin e Zi. Një konflikt ku qeveria, përveç hetimeve për pastrim të parave të paligjshme, ka investuar jo pak, por rreth 2 milionë euro për studiot ligjore, është me biznesmenin italian, Becheti. “Albaniabeg ambient”, e përfaqësuar nga Angelo Novelli and “Costruzioni S.R.L.” (të dyja në pronësi të Francesko Becchetti-t)kanë hedhur në gjyq qeverinë shqiptare, duke i kërkuar 150 milionë euro dëmshpërblim për mosrespektim të kontratës për djegien e plehrave të sjella nga Italia, duke prodhuar energji nga impianti termovalorizator. Ndërsa gjyqi tjetër ka të bëjë me (mos) ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi Vjosë nga kompania “Hydro Srl” (në pronësi të Becchett-it). Shtetit shqiptar i kërkohet të paguajë një shumë prej 10 milionë eurosh për TVSH-në e paguar lidhur me këtë projekt.

 

Nafta

Kompanitë hidrokarbure, qindra milionë dollarë në gjyqe

Sektori më problematik për zbatimin e kontratave është kërkimi dhe prodhimi i naftës. Padia më e madhe e bërë në Arbitrazh ndaj Shqipërisë është bërë nga kompania ndërkombëtare e prodhimit të naftës “Sky Petroleum”, e cila ka kërkuar një dëmshpërblim prej 800 milionë dollarësh. Angazhimi i saj ishte kërkimi i naftës në tre blloqe, përfshirë Dumrenë, por u ndërpre nga AKBN për shkak të mosplotësimit të kushteve të kontratës. Në këtë fushë qeveria operon me kontrata afatgjata të quajtura “kontrata hidrokarbure”, ku si pasojë e formulimit të keq, vazhdon që shteti të marrë fitime të pakta nga pasuria natyrore. Në vitin 2014, Ministria e Industrisë dhe Agjencia e hidrokarbureve morën për asistencë studio ligjore ndërkombëtare për prishjen e një kontrate me një kompani të huaj e cila nuk kishte plotësuar kushtet. Në vitin 2015, u ashpërsua konflikti me kompaninë kanadeze “Bankers Petroleum”, e cila nuk ishte dakord me rreth 50 milionë dollarë taksa që Tatimet kërkonin të paguheshin. Çështja përfundoi në arbitrazh dhe më pas u zgjidh me një marrëveshje pajtimi duke zgjedhur një auditues ndërkombëtar. Para disa ditësh, “Bankers Petroleum” deklaroi shitjen te një kompani kineze, e cila ka marrë përsipër edhe detyrimet ndaj shtetit shqiptar.

 

Konfliktet

“General Eletric”, Berisha prishi kontratën e Nanos

Shumë pak raste të padive në Arbitrazh kanë përfunduar në favor të shtetit shqiptar. Një nga rastet emblematike është humbja e gjyqit me kompaninë amerikane “General Eletric” nga qeveria “Berisha”, pas zgjidhjes së kontratës me vlerë rreth 80 milionë dollarë, të lidhur nga qeveria “Nano” për ndërtimin e linjës hekurudhore elektrike Tiranë-Rinas-Durrës. Në Arbitrazh kompania kërkoi 20 milionë dollarë dëmshpërblim si fitim i munguar dhe fitoi 17 milionë dollarë. Ky ishte një nga gjyqet që mund të ishte shmangur, madje përfitimet do të ishin më të mëdha, nëse hekurudha do të ndërtohej. Qysh nga ajo kohë, hekurudhat vetëm janë shkatërruar dhe janë lënë pa investime. Një gjyq tjetër i humbur është me kompaninë “Rhode Nielsen” (2.5 milionë dollarë). “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Produsts S.A.” ka zhvilluar një gjyq të gjatë ku pretendon 23 milionë dollarë nga qeveria shqiptare. Çështja është në proces, pas një aplikimi për anulim vendimi nga pala greke. Lidhur me këtë çështje Avokatura e Shtetit ka pajtuar në nëntor 2015 një studio ligjore për të mbrojtur interesat e shtetit. Po ashtu, një çështje tjetër, për të cilën është marrë studio ndërkombëtare ka qenë padia e kompanisë Iliria SRL për prishje të kontratës.





Comments are closed.