Basha: Reformë në drejtësi jo pa vendimet e gjykatës. Ky është kushti ynë

Kryetari i PD Lulzim Basha, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama, gjate nje konference me teme, "Reformimi i Sistemit Gjyqesor ne Shqiperi", organizuar ne hotel Tirana./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, Parliament Speaker Ilir Meta, Albanian President Bujar Nishani and Prime Minister Edi Rama, at the “Reforming the Judicial system in Albania” Conference.Opozita

Kryedemokrati thekson se dialogu nuk vijon pa ‘dorëzuar’ mandatet e Sulit e Leskajt

Për negociatat – “Skenari është fare i qartë. Nuk ka kushte shtesë për reformën në drejtësi, por t’i kërkosh opozitës dhe PD-së të negociojë me terroristët kushtetues, është e tepërt. Është e papranueshme”

Kundërbatuta – Na e përktheni njëherë, sepse kaq shumë ka filluar t’i hyjë në qejf vetja, sa i duket se mund të flasë me paragrafët e Duçes. Çfarë do të thotë do, s’do?! Do, s’do, Byroja Kombëtare u bë siç thashë unë.

Rama, Al Kapone – Qeveria u vjedh qytetarëve kacidhen e fundit nga xhepi, përmes bashkëqeverisjes me krimin dhe diktimin nga krimi të qeverisjes, pra “Al Kapones” të ulur në karrigen e kryeministrit

BLEDAR HOTI

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se opozita nuk ka kushte për reformën në drejtësi, por pa u zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese për mandatet e dy deputetëve Rakip Suli nuk ka negociata me mazhorancën. “Pa zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dialogu me Edi Ramën është baras me dialog me terroristët. PD nuk negocion me terroristë dhe PD nuk dialogon me terroristët, qofshin këta edhe terroristë kushtetues”, deklaroi Lulzim Basha në konferencën për shtyp. Ndërsa bëri të qartë se është ndier i tradhtuar nga mazhoranca, e cila nuk pranoi t’i drejtohej Kushtetueses për dy mandatet e deputetëve socialistë. “PD dhe unë kemi operuar në këto 4–5 ditë nën presupozimin që këtë të enjte, mazhoranca do të ndryshonte qëndrim për herë të dytë. Sepse ju e dini, Rakip Suli fillimisht kërkoi vetë ta çonte çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Ndaj vendimi i së enjtes ishte një surprizë besoj edhe për Rakip Sulin. Duke e kujtuar këtë një lajthitje të radhës, një lajthitje të Edi Ramës e duke pritur që të enjten e radhës, ditën e djeshme, të kishte një reflektim nga shumica. Mosreflektimi i shumicës, mosreflektimi i Edi Ramës, tallja ashiqare me një çështje kaq të rëndësishme për stabilitetin politik dhe shoqëror të shoqërisë ka çuar në reflektimin dhe vendimin me të cilin tanimë jeni të informuar”, theksoi Basha. Ndërsa shtoi se përpara votimit të së enjtes ka pasur ‘bisedime’ me mazhorancën nëpërmjet kanaleve diplomatike. “Jo. Nuk kemi negociuar, se nuk mund të negocionim. Ne bëmë të qartë se do të kemi përshkallëzim të situatës përmes kanaleve dhe përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë, u presupozua që këtë të enjte ne do të kishim një vendimmarrje konform Kushtetutës për mandatin e Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt”, tha Basha. Ndërsa u jep përgjigje dhe qëndrimeve të mazhoracnës se opozita nuk mund të vendosë kushte. “Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Detyra e PD nuk është të edukojë as zotin Vasili, as LSI, as Ilir Metën, as Edi Ramën. Nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë atentatin terrorist që i kanë bërë Republikës së Shqipërisë përmes moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo tregon se sa thellë janë zhytur në llumin oligarkik, sesa i ka verbuar lakmia për pushtet, sesa i ka verbuar korrupsioni dhe bashkëqeverisja me krimin dhe sesa urgjent është largimi i tyre nga pushteti. Por negociata për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka dhe nuk do të ketë. Do të ketë vetëm përshkallëzim të qëndrimeve tona, të cilat janë të pandryshueshme për sa i përket kësaj norme elementare të demokracisë. Ajo që mbetet të vendoset dhe do të vendosim është sesi do t’i përshkallëzojmë veprimet e aksionit tonë politik”, shtoi Basha.

Për Byronë e Hetimit

Sa i përket procesit të Reformës në Drejtësi dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, kryedemokrati u shpreh i vendosur se ajo do të zbatohet sipas rekomandimeve të Venecias, e për këtë ai ka marrë garanci dhe në takimet që ka pasur me zyrtarët amerikanë në Uashington. Duke huazuar shprehjen e ambasadorit Lu, Basha theksoi se kjo do t’i japë fund “Al Kaponëve” shqiptarë. “Reforma në Drejtësi nuk është abstrakte, Reforma në Drejtësi nuk është një qëllim në vetvete, qëllimi i Reformës në Drejtësi është t’i japë fund krekosjes, arrogancës, pështyrjes në fytyrë të qytetarëve shqiptarë, pasi qeveria u vjedh kacidhen e fundit nga xhepi, përmes bashkëqeverisjes me krimin dhe diktimin nga krimi të qeverisjes, pra ‘Al Kapones’ të ulur në karrigen e kryeministrit, i cili, natyrisht pastaj përkthehet e përthyhet në dhjetëra ‘Al Kapone’ të tjerë që vendosin sot se kush merr tenderët, se kush emërohet në dogana, se kush emërohet në komisariatet e policisë, se kush do të marrë e do të përfitojë frytet e privatizimit, se kanabisi i kujt do të kultivohet e do të kalojë përmes pikave kufitare të kapura nga mafia dhe kanabisi i kujt nuk duhet të kalojë, e kështu me radhë”, shtoi lideri i opozitës. Për PD-në, byroja e hetimit do të krijohet sipas asaj që kërkohet nga Venecia, e cila përkon me qëndrimin e opozitës. “Reforma bëhet për qytetarin shqiptar, nuk bëhet as që të shpëtojë Edi Rama nga ndjekja penale, as që të futet Edi Rama me zor nën hetim… Prandaj insistojmë në një balancë, një formulë të balancuar, mundësisht jopartizane, në vend që të jetë bipartizane, mundësisht jo partizane, por profesionale që të mbikëqyrë të gjitha këto hallka të rëndësishme, të mbikëqyrë po kështu kualifikimet e gjyqtarëve dhe po kështu performancën e gjyqtarëve. Kjo është reforma në drejtësi”, theksoi Basha. Lider i opozitës i është përgjigjur dhe ironisë së Ramës se reagimi i tij është si shprehja ‘kërcen prifti nga belaja”.

“Na e përktheni njëherë, sepse kaq shumë ka filluar t’i hyjë në qejf vetja sa i duket se mund të flasë me paragrafët e Duçes. Çfarë do të thotë do, s’do?! Do, s’do, Byroja Kombëtare u bë siç thashë unë. Do, s’do, Byroja Kombëtare do të hetojë dhe ashtu siç ka hetuar edhe ata që ke takuar para disa javësh. Ja do t’i shohim hap pas hapi. Dhe të jesh e sigurt që hetimi parlamentar për CEZ-in do të çojë në një hetim të plotë përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit. Herët a vonë, ai që cicëroi sot do ta marrë atë që meriton për zhdukjen e 500 milionë euro të shqiptarëve. Janë shumë e nuk i fsheh dot. Nuk janë 500 mijë lekë por 500 milionë euro. S’ka as Qipro dhe as Caymen Island që t’ia fshehë. Pra kjo do të bëhet. Nuk e shmang dot këtë proces Edi Rama. Nuk i ikën dot Byrosë Kombëtare të Hetimit Edi Rama. I premtova në shtator të 2014-s që do të bëhet ligji për dekriminalizimin. E mbani mend se si tallej atëherë. Ka nevojë t’ia kujtoj njeriu?! E ka sot ligjin. Kërcen Koçoja nga belaja se ‘do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese’. Por ligji për dekriminalizimin sot është realitet ligjor e shumë shpejt do të jetë një realitet me emra dhe mbiemra që do të largohen nga Parlamenti, nga bashkitë e vendit dhe nga zyrat e pushtetit. Dhe është vetëm fillimi”, shtoi Basha. Të martën është afati i radhës për arritjen e një konsensusi dhe se ky shihet dhe shansi i zhbllokimit të ngërçit. Ndërsa në skenë do të vihen sërish kanalet diplomatike, siç janë SHBA dhe BE. “Ka mbështetje të faktorit ndërkombëtar për të shkuar drejt një zgjidhje. Është qesharake dhe poshtëruese për Shqipërinë të negociosh zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por opozita ime dhe unë do t’i japim një shans zgjidhjes dhe sigurisht pa kompromentuar këtë vlerë elementare të demokracisë që është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Basha.

 

Deputetja

Doda: Politikanë të lartë si laca lagjesh

Mesila-dodaDeputetja Mesila Doda akuzon klasën politike për zvarritjen e procesit të reformës në drejtësi, duke shtuar se dy kampet e politikës po bëjnë pazare për emërimet në sistemin e drejtësisë. “Pak nga pak, klasa politike po ia arrin të shkëputet krejtësisht nga realiteti dhe po e transferon nevojën për ndryshim real në betejë bajlozësh mes vetes. Është dialog në distancë, i përçudnuar e fals, ajo që po ndodh mes liderëve të sotëm politikë. Reforma në drejtësi nuk mund të jetë peng i pazarit se cili emëron më shumë gjyqtarë, prokurorë e drejtues prej partive tuaja. Sistemi ynë po dështon nga kjo etja juaj dhe gara e marrë për pushtet, duke thyer çdo rregull demokratik në vend dhe duke harruar se pushteti raportohet me njerëzit, me popullin, jo thjesht në raport sherresh me kundërshtarin. Ky vend zhytet përditë e më shumë në korrupsion, sepse secili prej jush i gjendet në krah ushtarëve respektive që kanë kapur për fyti drejtësinë dhe qytetarin pa përkrahje. Nëse reformë në drejtësi do të thotë prapë betejë bajlozësh dhe zëvendësim i disa të korruptuarve me disa të tjerë, atëherë kjo është tradhtia e fundit që po i bëni këtij vendi. Kasta nuk ka asnjë qëllim të vetëdorëzohet, thjesht nuk bien dakord në pazar dhe flasin gjoja në emër të parimeve. Reforma në drejtësi dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të dalë urgjentisht nga duart e atyre që kërcënojnë dhe që sillen si laca lagjesh”, shkruan Doda në “Facebook”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. albi says

    keta jane si macet e egra nuk beet shtet as me pd e as ps keta duan nje kamikaz ne palament…

Comments are closed.