KARAFILI DHE “GJEMBAÇI” I PS

ARBEN MANAJ

Arben ManajMesa duket, kopshti botanik i PS-së, deri në Kongres, do ketë vetëm një karafil dhe një gjembaç, e më pas, të gjithë do të jenë të destinuar për fatin e tyre të keq dhe të vetëprogramuar t’i marrin erë vetëm një karafili, siç vetëquhet Edi Rama.

Absurdi i teatralitetit socialist bëhet më i pakuptimtë kur shikon qasjen e ofiqarëve të kësaj force politike në qendër, sidomos, por edhe të përkrahësve anonimë në median sociale, që i ka kapur një panik i pashpjegueshëm nga ky zhvillim, që herë e trumbetojnë paradoksalisht si shprehje të demokracisë së brendshme në PS, që ka qenë gjithmonë me sherrnaja, e herë si armagedonin e qeverisjes së Rilindjes, për shkak të silurimit që po i bën Blushi, i cili etiketohet si berishist.

Sa për naivitet apo për partishmëri ekstreme politike, aq edhe për vetofrim shërbimi në funksion të mbijetesës së çfarëdollojshme në atë shoqëri, si ajo moderne shqiptare, ku do duhet të jesh medoemos, në një skalion të caktuar për të mbijetuar, ajo që nuk llogaritet apo refuzohet të pranohet është monizmi faktik dhe mungesa e një qëndrimi ndryshe apo edhe kundër.

Në çdo entitet apo qelizë qoftë shoqërore apo edhe politike, me përjashtim të Koresë së Veriut dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës, logjikisht do të duhet të ketë të paktën një kundërpedal, dhe kur ky mungon, ose nuk instalohet, s’ka shollë këpuce të të mbajë e frenojë në të tatëpjetë.

Edhe te laburistët britanikë, meqë medemek i kanë përzemër dhe u referohen shumë, partitokracia kozmopolitane socialiste, me nga një vizë britanike vetëm dyvjeçare nëpër pasaporta, ka fraksione dhe grupime, siç janë bleristët me corbynistët.

Edhe tek konservatorët e Cameron ka proeuropianë dhe euroskeptikë.

Tekembramja, edhe te Ciprasi trockist ka pro-cipristë e pro-varufaqistë, që edhe përkundër paragjykimeve ndaj tyre si formacion politik ekstrem në dogmën ideologjike, sërish patën kurajë dhe dinjitet të dilnin nga ajo parti e ta kundërshtonin kryetarin e partisë, kryeministër.

Tek socialistët, të gjithë janë bërë pula që kërkojnë të mbijetojnë, jo duke çukitur qoftë edhe në ndonjë copë jashtëqitje, por duke i marrë erë me kundërgaz, karafilit të partisë.

Kam muaj që shkruaj se Rama do jetë Berisha i PS-së, sepse bashkë me të ashtu e bën rolin dhe atributet e kryetarit të partive.

Po kaq muaj shkruaj se Blushi do duhet ta harrojë PS-në, se edhe pse kisha shkruar në janar se do ta zënë me gurë e me shkelma nga Kongresi, faktikisht dështova të parashikoj se do t’i ndodhte më herët, si në Elbasan.

Blushi nuk është Tom Doshi dhe as “kauboji” trap-tallës, e ndonjë deputet tjetër i përfolur, dhe çdo paralelizëm mes tij dhe atyre që ai anatemon është banalitet dhe këpucë-lëpirje e vjetër për motive financiare dhe okulte, që datojnë nga koha e Berishës.

Fati i përbashkët i gjithë deputetëve në PS dhe në PD, dhe jo vetëm i Blushit, është se janë në dorën e kryetarëve dhe kjo shpjegon heshtjen dhe estradën deri në palaçollëk të dinjitarëve partiakë pa dinjitet.

Veçantia e Blushit është se, ndryshe nga të tjerët të paktën po flet – më mirë vonë se kurrë – për gjëra që i ka ditur më herët, ndërsa të tjerët heshtin ende, po për të njëjtat gjëra, që edhe mund të mos i kenë ditur, por që tashmë janë sheshit, duke e kritikuar Blushin se përse flet, kur ata sërish nuk pipëtijnë.

Thënë kjo, në këtë histori, i fituar është Rama, ndërkohë Berisha dhe Meta fërkojnë duart dhe barkun.

Berisha sepse po shikon se partia e kundërshtarit mori dhe adoptoi modelin e tij, që nuk kanë më argument ta atakojnë si dukur, sepse koha vërtetoi që të gjithë njësoj janë, derrat dhe kokëderrat.

E padyshim, Meta, që kam parandjenjën se në momentin adekuat politik për të dhe forcën e tij, si një Karpov politik, nëse do ta shikojë të leverdishme, do të investojë politikisht dhe jo vetëm, në sipërfaqe e nëndheshëm, për një shizëm në PS, e cila do ta dobësojë elektoralisht partinë në pushtet dhe Ramën, në zgjedhje dhe në pazarllëqet post-zgjedhore.

Por po të shikosh se si është formuluar statuti që do të paraqitet në Kongres, Rama sërish mund të jetë kryetar partie, edhe nëse kryetari nuk do të jetë kryeministër në një qeveri koalicioni.

Pas Kongresit, PS do të mbesë fatkeqësisht një kopsht botanik i shkretuar dhe pa diversitet, madje pa gjembaç, por me një karafil të përjetshëm, të cilët përgjithësisht janë karafila kauçuku që rëndom gjenden në vende ku përkujtohen të vdekurit!

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Klinton says

    Jane gjithe karafila tek partija socialiste. Duan partine pastaj shqiperine. Pika pikaaaaa

Comments are closed.