Hashim Thaçi, President i Kosovës me 71 vota pas tri raunde votimesh  

Kosovë – Ish-kryeministri dhe lideri i PDK-së, deri dje ministër i Jashtëm, do të jetë në krye të shtetit me një mandat 5-vjeçar. Votat në tri raundet dhe përplasja me opozitën

1. Raundi i parë – 80 vota i duheshin Thaçit të shpallej president në raundin e parë. Nga 81 votues, ai mori 50 vota pro

2. Raundi i dytë – Në raundin e dytë, kreu i PDK-së mori 64 vota pro nga 81 votues. Atij i duheshin 80 vota për t’u shpallur president

3. Raundi i tretë – 71 vota mori Thaçi në votimin e tretë nga 61 që i duheshin. Ai u shpall President. 10 vota rezultuan të pavlefshme

Hashim Thaçi u zgjodh dje Presidenti i ri i Kosovës. Ai do ta ushtrojë këtë detyrë me një mandat 5-vjeçar, deri në vitin 2021. Zyrtarisht, detyrën në Presidencë, lideri i PDK-së do ta marrë më 7 prill, një ditë pasi t’i mbarojë mandati Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga. Pas dy raundeve të sikletshme, ai ia doli që në të tretin të marrë 71 vota nga 61 që duheshin për t’u shpallur Presidenti i ri. Rivali i tij, Rafet Rama, këtë herë nuk mori asnjë votë, kurse 10 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Opozita kishte të dërguarit e saj në këtë votim të tretë, dy deputetët e Vetëvendosjes, Ilir Deda dhe Fisnik Ismajli. Ata rihynë në sallën e Parlamentit vetëm për të “shmangur” një manipulim votash, siç e konsideruan partitë e opozitës rezultatin e raundit të dytë. Nëse Thaçi nuk do të merrte dot 61 vota në raundin e tretë, atëherë Kosova brenda 45 ditëve do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. “Ju falënderoj të nderuar ambasadorë për qëndrimin e deritanishëm me ne. Natyrisht, falënderoj PDK-në, LDK-në, Listën Srpska, 6+ dhe deputetët e pavarur. Ju siguroj që do të punoj gjithmonë në shërbim të vendit, në shërbim të të gjithë qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke punuar për rend e ligj, duke iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallime, për të ndërtuar Kosovën europiane. Dëshiroj edhe njëherë të falënderoj qytetarë e Kosovës që për një dekade më kanë besuar duke më votuar. Sot në këtë moment madhështor dëshiroj të përkujtoj heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, ishin fjalët e para të Thaçit si kreu i ri i shtetit.

 


Tensionet në sallë

Para nisjes së votimit, pas kritikave nga foltorja, salla e Kuvendit u mbush me gaz lotsjellës. Opozita bllokoi dy herë punimet. Në fillim, gaz lotsjellës gjatë fjalimit të deputetit të LDK-së, Sabri Hamiti. U dyshua se ky veprim u bë nga Teuta Haxhiu (AAK) dhe Faton Topalli (VV), por deputeti Bali Muharremaj mori përsipër hedhjen e gazit. Deputeti i Vetëvendosjes, Smajl Kurteshi, u shoqërua jashtë sallës, pasi u ndie keq. Me nisjen e seancës, 6 deputetë të opozitës u përjashtuan. Gjithsesi, gaz lotsjellës u hodh prapë dhe seanca u ndërpre edhe për 10 minuta të tjera. Në total, numri i deputetëve të përjashtuar ishte 11 në seancën e jashtëzakonshme të djeshme. Duke qenë se punonjësit e sigurimit nuk i lanë të përjashtuarit të futeshin, seanca u braktis nga e gjithë opozita. Deputetja e VV-së, Shqipe Pantina, nuk ia doli që ta hedhë gazin lotsjellës në seancën për zgjedhjen e Presidentit. Ajo u kap nga Policia e Kosovës dhe u largua me forcë.

 

Raundi i parë

Përfundimi i raundit të parë të votimeve ka qenë i sikletshëm për Hashim Thaçin. Nga 82 deputetë të pranishëm në sallën e votimit, vetëm 50 persona votuan pro liderit të PDK-së për të qenë pasuesi i Atifete Jahjagës. Kandidati i tij formal, Rafet Rama, po nga e njëjta parti mori 4 vota pro, ndërkohë që 27 deputetë i bënë votat të pavlefshme. Që Thaçi të shpallej president duhet të merrte 80 vota pro.

 

Raundi i dytë

Lideri i PDK-së dështoi edhe në raundin e dytë të votimeve për postin e Presidentit. Këtë herë për liderin e PDK-së, votuan 64 deputetë, kurse për rivalin e tij, Rafet Ramën vetëm dy. Votat e 15 deputetëve të tjerë rezultuan të pavlefshme. Përfundimi i votimit i solli qetësi Thaçit, pasi këtë herë 14 deputetë kishin ndërruar mendje dhe ia dhanë votën atij. Edhe pse që të merrte mandatin atij i duheshin 80 vota, prapë votimi i dytë tregoi se në raundin e tretë, ai 61 vota i arrinte. Në sallë gjatë momentit të votimit ishin 81 deputetë. Anëtari i VV-së, Ilir Deda, u largua nga komisioni i votimit pas kërkesës së bërë nga opozita. Tri partitë opozitare i kërkuan atij që të dilte nga Parlamenti për shkak të “dhunës nga ana e policisë”.

Reagimet

Greg Delawie – “SHBA përshëndet vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Kosovës. Ne do të vazhdojmë lidhjen e fortë me njerëzit e Kosovës. Njerëzit që kanë gjuajtur gaz lotsjellës në Kuvend dhe koktej molotovi në rrugë, nuk i bëjnë nder askujt”

Atifete Jahjaga – “Urime z. Hashim Thaçi zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Jam e gatshme të ofroj bashkëpunimin e plotë për një tranzicion të suksesshëm mes dy presidentëve”

Kadri Veseli – “Dëshiroj t’i uroj në rend të parë të gjithë qytetarët për zgjedhjen në mënyrë demokratike të Presidenti të ri të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Kosova ka treguar se ka një stabilitet dhe kulturë demokratike për arsye se ka sot ka funksionuar edhe debati në Kuvendin e Kosovës”

Edi Rama – “Urime Zoti President! Kam bindjen se do të jesh në lartësinë e detyrës e uroj suksesi i parë të jetë tejkalimi i krizës ‪#‎KosovësiDuhenTëGjithë”

Ali Ahmeti – “I nderuari bashkëluftëtar i imi. Kam nderin e veçantë t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i ardhshëm i Republikës së Kosovës”

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.