Lejet e ndërtimit online, hapat për të aplikuar në sistemin e ri

Gjermeni lejetPas 31 marsit, “e-lejet” jepen pa praninë fizike të zyrtarëve

Dokumentet – Dokumentacioni për kërkesën do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar me firmë elektronike

Shqyrtimi – Pas aplikimit, sistemi njofton nëpunësit e bashkisë ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, për shqyrtim

Vendimi – Kërkesa dhe raporti teknik i shkojnë kreut të bashkisë. Pas miratimit dhe pagimit të taksës, publikohet vendimi

Zamir Alushi

Shtyhet për në prill vendosja në punë e sistemit online për dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas 31 marsit, deklaroi dje ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, çdo aplikim për leje ndërtimi në të gjitha bashkitë e vendit do të bëhet vetëm online. Në deklarimet e mëparshme, për hapjen e sportelit online ishte caktuar si afat muaji mars. Sistem elektronik për “e–lejet” është prezantuar dje në një tryezë të organizuar nga ministria, në bashkëpunim me projektin “Përhapja e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit (e-lejeve) në Europën Juglindore” zbatuar nga GIZ. “Procesi i dhënies së lejeve nuk është as i bllokuar dhe as i pezulluar. Eshët detyrim ligjor i secilës bashki të pranojë dhe shqyrtojë aplikimet e qytetarëve. Bazuar në vendimin nr. 1, datë 30 korrik 2015, të Këshillit Kombëtar të Territorit: në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamzë, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore”, deklaroi Gjermeni. Në të gjitha zonat e tjera të vendit, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, bashkitë mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit për objekte me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik, banesa familjare etj. Jashtë zonave të urbanizuara lejohen ndërtime me funksion bujqësor ose blegtoral, si dhe ndërtime në toka të kategorisë truall. “Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi gjashtë kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare ose vendore të planifikimit në proces”, deklaroi ministrja. “Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, ndërtimet e reja do të jenë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, bëri të ditur ministrja. Sipas zv.kryeministrit Peleshi, që ishte i pranishëm, sistemi online për aplikimet për lejet e ndërtimit lehtëson praktikat për qytetarët dhe njëkohësisht shmang korrupsionin. Që prej 24 shkurtit e deri më 31 mars do të testohet sistemi online për lejet e ndërtimit nga aplikantët, qofshin këta qytetarë apo biznese. Sistemi do të monitorohet sa u përket vonesave, do të informojë në kohë reale qytetarin se në cilin institucion ka mbetur praktika e tij dhe mbi të gjitha do të gjenerojë automatikisht vendimet e miratimit, në rast heshtjeje nga institucionet përgjegjëse. Ministria është duke bashkëpunuar gjithashtu edhe me IFC (International Finance Corporation) për përmirësimin e indikatorit të lejeve të ndërtimit në kuadrin e raportit “Doing Business”. Në këtë kontekst, përfaqësues të IFC dhe Bankës Botërore kanë hartuar një listë rekomandimesh.

 

Procesi

Hapat, si bëhet aplikimi online

Sistemi elektronik për lejet e ndërtimit do të realizojë njëkohësisht parimin e shërbimit me një ndalesë përmes ndërveprimit elektronik të të gjitha institucioneve të përfshira, si dhe do të evitojë vonesat në vendimmarrje. Hapi i parë është se aplikimi për leje do të kryhet online në portalin “e-Albania”. Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj.); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet. Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile, QKR dhe QKL dhe, më vonë nga ZRPP (hipoteka).

 

Shembulli

Për sistemin u ndoq modeli serb

Platforma online e dhënies së lejeve të ndërtimit bazohet në modelin e vendeve të tjera, si Maqedoni dhe Serbi, ku sistemi është implementuar dhe është aktualisht në funksionim. Në Maqedoni sistemi është në zbatim prej vitit 2013 dhe përmes tij janë marrë në shqyrtim më shumë se 90 000 aplikime, ndërsa në Serbi sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është në zbatim prej muajit janar të këtij viti. “Bashkëpunimi me GIZ ka qenë pikërisht në kuadrin e ndarjes së eksperiencës së suksesshme të Maqedonisë me vendet e tjera të rajonit, përmes projektit për ‘Përhapjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit (e-lejeve) në Europën Juglindore’, zbatuar nga GIZ dhe financuar nga qeveria gjermane dhe ajo zvicerane”, njofton dje ministrja e Zhvillimit Urban.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Vladimir Sadik Shehu says

    Kërkojë renovim leje ndertimi pasi janë shkelur data e përfundimit të objektit për arsye objektive, për ndareje pasurie familjare me vendim gjyqësor.

Comments are closed.