Samiti i Londrës: Tirana fiton korridorin, Beogradi bursën

Samiti i BERZH 1BE: 12 mln euro për linjën me Maqedoninë. Rivaliteti, Rama: Vuçiç fluturon në Rusi, merr hapjen e negociatave

Korridori – Korridori Lindje-Perëndim i transmetimit të energjisë elektrike kalon midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, duke përfshirë kabllon nënujore nga Mali i Zi në Itali

Granti – BE ka konfirmuar synimin e tij për të siguruar një grant prej 12 milionë eurosh për të mbështetur ndërtimin e interkonjeksionit të parë të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë

Tregu – Ndërtimi i linjës do të ndihmojë zhvillimin e një tregu rajonal të energjisë elektrike në të cilin prodhimi dhe kapaciteti i transmetimit mund të menaxhohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Zamir Alushi

Rivalitet shqiptaro-serb në Samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor. Serbia bëhet themeluese e bursës rajonale bashkë me Slloveninë, ndërsa Shqipëria e Maqedonia përfitojnë fonde për projektin e linjës së interkonjesionit të energjisë elektrike. Gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve në Samitin e BERZH në Londër, Kryeministri Edi Rama pati një shkëmbim batutash me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ndër të tjera Kryeministri Rama tha: “BE është më e kujdesshme ndaj tyre, sesa ndaj nesh, sepse ne nuk kemi Rusinë. Kështu, ata ende nuk liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës, neve na thonë ju jeni duke ecur shumë mirë, por keni ende për të bërë. Ndërsa ai fluturon në Rusi dhe merr hapjen e negociatave”. Megjithatë, Rama konfirmoi se është për bashkëpunim me Serbinë, madje për projekte të përbashkëta. “Ne presim me padurim që të kemi mbështetjen tuaj në zhvillimin e idesë së Bankës për Zhvillim Rajonal, të cilën e kemi paraqitur tashmë në Vjenë, me kolegun tim të dashur, Aleksandër Vuçiç”, tha Rama. Duke folur për rëndësinë e integrimit rajonal përmes korridoreve rrugore, gazsjellësve, Kryeministri Rama tha se “Projekte si Korridori i Kaltër, TAP dhe IAP, kanë një rëndësi të madhe gjeostrategjike, por më e rëndësishmja është se ata i sjellin vendet tona më pranë njëri-tjetrit”. Sipas Ramës, tani duhet që të mbështetet rritja e prodhimit përmes bashkëpunimit rajonal. “Tregjet në zhvillim, përfshirë ne, nuk e kanë më luksin që të mbështeten në çmimet e larta të lëndëve të para dhe zgjerimit të lehtë fiskal dhe të kreditit të dekadës së fundit. Opsioni i vetëm për ne, që të kemi rritje ekonomike që të çon në punësim dhe mirëqenie të qëndrueshme, është që ne të përshtatemi me një model më konkurrues”, deklaroi Rama.

Kreditimi

Strategjia e re e BERZH-it për Shqipërinë po u përgjigjet sfidave të financimit, tha Rama, duke nënvizuar tri përparësi të mëdha për vitet e ardhshme si: Mbështetje për sektorin privat, konkurrueshmërinë dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme; Zgjerimi i tregut, duke fuqizuar lidhjet rajonale për të përmirësuar transportin dhe infrastrukturën energjetike; Promovimi i qëndrueshmërisë së aseteve publike, nëpërmjet privatizimit dhe pjesëmarrjes së sektorit privat. “Ne jemi shumë të kënaqur që do të nisim të punojmë që këtë vit me një mekanizëm inovator si Skema e Garancisë në Bujqësi, që kemi krijuar së bashku me BERZH-in dhe falë asistencës së BERZH-it. Kjo është një linjë e dedikuar kreditimi për bankat shqiptare dhe institutet e mikrokredisë, për të financuar bujqësinë”, tha Rama. Gjithashtu, njoftoi Rama, krijimi i Fondit të Garancisë për Eksportuesit krijon linja të reja kreditimi për ndërmarrjet eksportuese.

Korridori Lindje-Perëndim

Dje në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në prani të të gjithë kryeministrave rajonalë, Bashkimi Europian ka konfirmuar synimin e tij për të siguruar një grant prej 12 milionë eurosh për të mbështetur ndërtimin e interkonjeksionit të parë të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe përmirësimin e rrjetit në infrastrukturën e MEPSO (operatori i sistemit të transmesionit të energjisë elektrike të Maqedonisë). Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për shtyp të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti është pjesë e axhendës së ndërlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me fonde të siguruara nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). BERZH ka akorduar tashmë një kredi 37 milionë eurosh për projektin për të rritur integrimin rajonal të tregjeve të energjisë në Ballkanin Perëndimor. Presidenti i BERZH, Sir Suma Chakrabarti, tha se mbështetja e projekteve të rëndësishme infrastrukturore rajonale dhe krijimi i tregjeve të integruara të energjisë rrit sigurinë energjetike. “Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë elektrike. Ne jemi të kënaqur që do të ketë një kontribut nga BE në këtë projekt shumë të rëndësishëm”, tha Chakrabarti. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, shtoi se ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Komisionit Europian për të mbështetur axhendën e ndërlidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Ndërtimi i kësaj linje të transmetimit do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e sistemeve të energjisë të të dy vendeve. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e një tregu rajonal të energjisë elektrike në të cilin prodhimi dhe kapaciteti i transmetimit mund të menaxhohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai. Ky projekt është pjesë e iniciativës së Komisionit Europian për të krijuar një korridor Lindje-Perëndim të transmetimit të energjisë elektrike midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, duke përfshirë kabllon e planifikuar nënujor nga Mali i Zi në Itali, një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë elektrike. Përmirësimi i efikasitetit të rrjetit të MEPSO do të sigurojnë gjithashtu që transmetimi i energjisë të jetë eficient dhe të përdoren teknologjitë më të mira në dispozicion. Projekti ka marrë asistencë teknike nga WBIF për të financuar studimin e fizibilitetit, vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social dhe përgatitjen për hartimin e projektit. Bashkimi Europian është donatori më i madh i vetëm i BERZH-it. Në vitin 2015, BE vuri në dispozicion 179 milionë euro, rreth gjysmën e totalit të fondeve të donatorëve të BERZH.

Bursa

Beogradi dhe Ljubljana konfirmuan dje synimin për bashkimin e bursave, mbështetur në një platformë inovative rajonale për letrat me vlerë tregtare të listuara edhe në bursat bullgare, kroate dhe maqedonase. Në të njëjtën kohë, një indeks i quajtur “blu chip” do të përdoret për të rritur transparencën e tregjeve rajonale. Pritet që rreth 8 anëtarët e bursës së Bullgarisë, 10 nga Kroacia dhe 10 anëtarë të Maqedonisë të listohen në këtë platformë nga dita e parë e operacioneve, që do të nisin në mars. BERZH mbështeti fazën fillestare të projektit “SEE Link” me një grant 540,000 euro për të futur një sistem elektronik për kursin në korrik 2014. Paralelisht, me zgjerimin e pjesëmarrësve në këtë bursë BERZH do të japë edhe 80,000 euro për projektin “SEE Link”.

 

Autoriteti

Rama: Biznesi së shpejti do të ketë një “Ombudsman”

Kryeministri Rama pohoi se në Shqipëri po punohet në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit me qëllim tërheqjen e investimeve. “Po përmend dy iniciativa të mira të mbështetura nga BERZH: Këshilli Investimeve, i cili tashmë është duke punuar dhe Business Ombudsman, që ministri i Ekonomisë dhe BERZH po planifikojnë të krijojnë. Ne besojmë shumë në këtë autoritet të ri, që do të shkurtojë shumë kohën për biznesin dhe do të krijojë një urë shumë të rëndësishme midis qeverisë dhe biznesit, për të bërë zgjidhje të shpejtë në rast keqkuptimesh, apo problemesh që mund të lindin”, njoftoi Rama.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.