Dokumenti në APP, afër këndit të lojërave, edhe një “Grand Kafe”

Relacioni arkitektonik. Inxhinierët: Këndi është paralel dhe ka lidhje me “Grand Kafe”, hapësirë e rezervuar për prindërit për të pirë kafe apo të lexojnë gazeta. Kontrollojnë fëmijët 

Sokol Çobo

Këndi i lojërave që pritet të ngrihet në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ka nisur të marrë “jetë” një muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit 2015. Sipas disa dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, në maj të vitit të kaluar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontraktuar si konsulent disa operatorë privatë, me qëllim që të përgatisnin masterplanin e parkut të liqenit dhe pesë projekteve pilot. Në relacionin arkitektonik, që ndodhet në Agjencinë e Prokurimeve Publike, është i detajuar ngritja e këtij këndi, që është publikuar edhe nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, në këtë dokument që disponon gazeta, ndodhet edhe një “njollë e zezë”, e cila shpjegohet në relacion se është “Grand Kafe”. Ky vend për të rriturit, shkruajnë inxhinierët, është një hapësirë e rezervuar për prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta.

Dokumenti - Në rreth, “njolla e zezë” ku është parashikuar të ngrihet edhe “Grand Kafe”. Sipas relacionit arkitektonik, në të do të qëndrojnë prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta
Dokumenti – Në rreth, “njolla e zezë” ku është parashikuar të ngrihet edhe “Grand Kafe”. Sipas relacionit arkitektonik, në të do të qëndrojnë prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta

Dokumenti i shtatorit

Gazeta ka bërë një hulumtim të dokumenteve të paraqitura për ngritjen e këtij këndi lojërash, i cili është kontestuar së fundmi nga shoqëria civile dhe opozita. Madje janë bërë edhe protesta dhe ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë. Gazeta “Shqip” ka siguruar një dokument që mban datën 25 shtator 2015. Shoqëria private “Bolles + Wilson”, ka bërë edhe një relacion arkitektonik, i cili u është bashkëlidhur dokumenteve të lidhjes së kontratës me firmat që po e ndërtojnë këndin apo të dhënave të tjera. Me interes është ngritja e këndit të lojërave për fëmijë. “Është menduar të jetë një hapësirë pothuajse për të gjitha moshat duke shfrytëzuar në maksimum pjerrësinë e terrenit”, shkruhet në relacion, që më pas jep detaje të tjera. “Zona e këndit të lojërave, sipas masterplanit, është paralel dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me një hapësirë tjetër të quajtur ‘Grand Kafe’, një hapësirë kjo e rezervuar për prindërit, të cilët duke pirë një kafe ose duke lexuar një gazetë kanë në kontroll fëmijët e tyre”, vijon dokumenti. Sipas saj, në majën e kodrës, tarraca e “Grand Kafe” është e pajisur me kioskë akulloreje, gazete, platformë vallëzimi, pikë informacioni në lidhje me parkun, si dhe një zonë për ndihmën e shpejtë. Zona e përzgjedhur për këndin e lojërave, në vazhdimësi të propozimeve në master plan lidhet me një shëtitore, e cila zgjatet drejt liqenit, ku është vendosur klubi i vozitjes dhe një pishinë publike lundruese brenda në liqen, të cilat mbulohen nga një platformë dritash e quajtur “Tufa e xixëllonjave”.

Si do të jetë këndi

Në dokument, këndi i lojërave është menduar të jetë si një platformë lojërash dhe aktivitetesh për të gjitha grupmoshat e fëmijëve, nga mosha 1 vjeç deri në moshën 14 vjeç, pse jo edhe më të rritur. Në këtë platformë aktivitetesh, lojërat e përzgjedhura për çdo moshë përcaktojnë edhe zonat e grupmoshave të ndryshme të kësaj platforme. Sipas relacionit arkitektonik, një platformë e vetme është e ndarë në disa zona, të ndara nga njëra-tjetra, me shkallë, rampa dhe nëpërmjet materialeve. Çdo zonë duhet të jetë e pajisur me tabela druri që tregojnë grupmoshën të cilës kjo zonë i përket. “Këndi i lojërave është konceptuar të jetë një teatër, një skenë e vërtetë ku vetë fëmijët janë aktorët. Nuk ka skenarë dhe regjisorë. Performanca quhet ‘LOJË’ dhe përbërësit përcaktohen nga imagjinata e fëmijëve. Këndi i lojërave është konceptuar si një aventurë, një udhëtim në kohë, një udhëtim drejt fëmijërisë”, thuhet në dokument. Sipas tij, këndi është konceptuar me një shëtitore, e cila rritet dhe zvogëlohet në kuotë duke ndjekur pjerrësinë e kodrës. Nga kjo shëtitore ushqehen të gjitha zonat e ndara për fëmijët sipas grupmoshave të ndryshme.

Sa do të kushtojë

Më 5 janar të këtij viti, bashkia ka shpallur fitues për ndërtimin e këndit të lojërave bashkimin e operatorëve ekonomikë “Star Tek” shpk & “Riviera” shpk & “Kaleshi” shpk. Fondi limit për këtë ndërtim ka qenë rreth 680 milionë lekë të vjetra. Burimi i financimit është në mbështetje të vendimit të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë gjashtë muaj kalendarike, duke nisur nga data e lidhjes së kontratës. Ndërkohë, fituesit kanë ofruar 652 milionë lekë për ndërtimin e këtij këndi. Një firmë tjetër është skualifikuar, ndërsa një tjetër nuk ka dhënë asnjë ofertë. Sipas bashkisë, asnjë operator ekonomik që mori pjesë në tender nuk është skualifikuar nga gara.

 

Arkitekti: Do të ketë edhe një urë përmes liqenit

Peter Wilson, një nga arkitektët gjermanë, që ka ideuar këndin e lojërave, ka shpjeguar se parku do të jetë 50 për qind më i madh, ndërsa do të ketë edhe një urë përmes liqenit. “Vendndodhja e tij është zgjedhja ime dhe unë jam ai që e ka zhvilluar panoramën e zgjeruar të këtij parku. Parku i Tiranës do të jetë më fantastiku që mund të imagjinoni. Ai do të jetë 50% më i madh se aktuali, do të ketë pjesë me ujë të freskët për njerëzit që do të ecin aty, do të ketë ambiente sportive dhe një urë përmes liqenit për njerëzit që duan të shkojnë tek ambientet sportive. Ashtu siç kemi bërë edhe në Korçë, korsi për të vrapuar dhe korsi për biçikleta”, shpjegon Wilson për një televizion privat.

Më tej ai thotë se ky park do t’i japë Tiranës një aset të jashtëzakonshëm. “Po unë jam arkitekti i këtij projekti skandaloz, por nuk është një projekt skandaloz. Është një projekt që i jep Tiranës një aset të jashtëzakonshëm”, u shpreh arkitekti gjerman. Për debatet e fundit, ai thotë se nuk mund ta imagjinoj se banorët e ndonjë qyteti mund të protestojnë kundër një këndi lojërash për fëmijë. Fëmijët janë e ardhmja. “Nëse nuk mund të bëjmë gjë për fëmijët, për kë duhet të bëjmë gjëra? Dhe ka një çështje rreth vendndodhjes së këndit të lojërave. Këndi i lojërave për fëmijët është në mes të parkut. Ne nuk duam t’i vendosim fëmijët në një anë të parkut dhe t’i çojmë ata aty, a thua se ata janë të parëndësishëm. Fëmijët duhet të jenë qendra e ambicies sonë dhe qendra e jetës sonë”, thotë ai. Arkitekti thotë së është frymëzuar për ta bërë këtu parkun pikërisht prej asaj çfarë ofron aktualisht Liqeni Artificial, panoramë e mrekullueshme dhe një numër i madh njerëzish që zgjedhin atë për aktivitetet e tyre sportive.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.