Netanyahu akuzon shefin e OKB-së: Po nxit terrorizmin

Izrael

Ministri i Mbrojtjes ka akuzuar Turqinë për blerje të naftës nga grupi militant IS

netanjahu dhe ban ki munKryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kaloi në akuza të ashpra ndaj sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar pa doreza se Ban Ki-moon po nxit terrorizmin. Shkak i zemërimit të shefit të ekzekutivit hebraik u bënë komentet e numrit një të OKB-së përpara Këshillit të Sigurimit, lidhur me pakënaqësinë gjithmonë në rritje të palestinezëve ndaj pushtimit izraelit. Për popujt e shtypur, është brenda natyrës njerëzore të reagojnë ndaj okupatorit, deklaroi Ban Ki-moon. Kritika e tij nuk ishte e rastësishme. Ministria izraelite e Mbrojtjes aprovoi ndërtimin e 153 shtëpive për kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor. Reagimi i ashpër i “Pallatit të qelqtë” erdhi pak orë pas vendimit të saj polemizues. Për të disatën herë, shefi i OKB-së kujtoi se aktivitetet e kolonizimit janë një dorashkë e hedhur në fytyrën e popullit palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar, edhe për faktin se me të tilla veprime, mundësia e dy shteteve që bashkëjetojnë krah njëra-tjetrës do të venitet përgjithmonë. Argumentet e tij, megjithatë, nuk e bindin Netanyah-un. “Pohimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së inkurajojnë terrorin. Dhe terrorin, nuk ka asgjë që e justifikon. Vrasësit palestinezë nuk duan të ndërtojnë një komb: ata duan të shkatërrojnë një komb dhe këtë e deklarojnë hapur. Nuk vrasin për paqen e nuk vrasin për të drejtat njerëzore”, tha Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit. Që nga muaji tetor, episodet e dhunës u kanë kushtuar jetën më shumë se 155 palestinezëve, 28 izraelitëve dhe një amerikani. Sipas autoriteteve izraelite, pjesa dërrmuese e palestinezëve të vrarë kanë qenë agresorë, të tjerët kanë gjetur vdekjen gjatë përleshjeve të armatosura me forcat e sigurisë.

Ndërkohë, një deklaratë tjetër nga zyrtarë të Izraelit është bërë mbi çështjen e naftës që Turqia ia blen grupit militant IS. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Moshe Yaalon, duke folur në Athinë, ka thënë se IS “ka gëzuar paratë e Turqisë për një kohë shumë të gjatë”. Turqia mohon se lejon kontrabandën e naftës. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë hedhur poshtë akuzat e Rusisë se zyrtarë të qeverisë turke janë në lidhje me militantët. I ashtuquajturi Shtet Islamik ka pushtuar territore të mëdha të Sirisë dhe Irakut, përfshirë fusha operacionale të naftës. “Varet nga Turqia, qeveria turke, udhëheqja turke që të vendosë nëse do të jetë pjesë e ndonjë bashkëpunimi për të luftuar terrorizmin”, ka thënë Yaalon për gazetarët në Athinë, pas takimit me homologun e tij grek. Përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Turqisë janë dëmtuar këtë muaj, pas kërkesave për kompensim për vdekjen e 10 aktivistëve turq në një anije me ndihma në vitin 2010.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.