BLUSH, HARROJE PS-në!

ARBEN MANAJ

Arben ManajSpektakolare dhe trishtuese duket kohëhumbja e Ben Blushit, në pritshmëritë e tij nga Kongresi i ardhshëm i Partisë më të madhe të shqiptarëve. Ideja e mundësisë së paraqitjes së një platforme alternative në atë aktivitet partiak, nëse do të ketë proces zgjedhjesh, dëshmon edhe një herë atë perceptim që ekziston për Blushin, si njeriun më të aftë për të zëvendësuar Ramën, por që nuk ka këllqe për të hyrë dhe për të qëndruar seriozisht në majë të politikës.

Blushi do të duhet ta harrojë Partinë Socialiste, pasi në të, siç është ndërtuar sot, dhe sesi funksionon, ai ka aq shanse për të zëvendësuar Ramën, sa ka Fatos Nano për të lënë bixhozin apo Rama vizat në piktura.

Në atë Kongres, i cili do të mbushet nga përkrahës të Ramës dhe të përzgjedhur në detaje nga Rama dhe përkrahësit e tij, Blushi do të mund të shkaktojë një heshtje sikletosëse për aq minuta, sa do t’i zgjasë fjalimi, i cili do të bëjë me turp ata që i japin në heshtje mbështetje, por në publik mendojnë për llogarinë bankare dhe rehatinë e vendit të punës që të ofron pushteti. Kjo nuk besoj se do të duhet të ishte targeti i Blushit, në skanerin politik që do t’i bëjë Rilindjes dhe Partisë së tij që prej ‘97-s. Kjo nuk besoj se do të ishte çmimi që ai do të merrte, nëse do t’i ofrohej një post në qeverisje, si valvulë e shfryrë. Kjo nuk besoj kurrsesi se do të ishte as roli që mund të pranonte të luante Blushi, i ngjashëm me atë të Luan Ramës “në garë” me Ilir Metën. Do të ishte fatkeqësi personale dhe politike për të në radhë të parë, nëse do të vetëmjaftohej me kaq.

Edhe pse po trumbetohet pacipërisht dhe pasinqerisht për adoptimin e Partisë Socialiste në funksionimin e saj, sipas modelit të laburistëve britanikë (një parti që është shkëputur frikshëm nga lidhja me realitetin), gjasat janë që në PS të mbizotërojë modeli i udhëheqësit të fortë, që vendos për gjithçka dhe ku askush nuk ka prapanicë të flasë. Në atë parti, si në çdo parti shqiptare, askush nuk flet, madje përpara se të dalë iPhone 7, 8, apo 9, ajo parti, siç e njohim, mbase nuk do të ekzistojë.

Partia Socialiste nuk është më parti e majtë. Ajo është më e djathtë se ajo e Toni Blerit, dhe shumë më e djathtë se ajo e Sali Berishës. Ajo nuk është fatkeqësisht as partia e socialistëve bio, por e kozmopoliteve të Tiranës dhe ekselentëve të parisë financiare shqiptare, që nuk dinë as ku bie dhe ku e ka selinë kjo parti, madje ca prej tyre as nuk kishin shkelur në atë ndërtesë kur u bënë ministra.

Në atë Kongres do të mbizotërojë “shkërdhatokracia” politike, pasi pushteti është i fortë dhe ndjellës dhe ka në dorë edhe gurin edhe arrën, edhe tenderin edhe koncesionet, e shumë prej atyre socialistëve klasikë, pushteti i Rilindjes ua ka zënë kokën me derë e nuk duhet pritur që ata të bëjnë rebelin. Parakushtet që ekzistonin kur Rama mori partinë nga Fatos Nano nuk ekzistojnë, pasi Blushi nuk është kryetar bashkie, dhe shumë vetë nuk kanë interesa të mirëfillta afariste te Blushi, i cili nuk ka çfarë t’u ofrojë, kryesisht të pakënaqurve, veçse në perspektivë, e në rrethana te tjera. Pa përmendur, që Rama ka marrë nën kontroll tërë strukturat dhe forumet e partisë, çka pamundëson çdo “putch” partiak.

Partia për të cilën flet Blushi, do rilindur, pasi ka nevojë një seksion i shoqërisë shqiptare që të përfaqësohet dhe të mbrohet politikisht prej një partie të atillë, përfaqësim që nuk e sheh më tek PS-ja apo LSI-ja. Do të ishte e rëndë, nëse Blushi nuk e kupton një gjë të tillë dhe humb kohën ekzistencialisht mjaft të vlefshme deri në zgjedhjet e tjera. Më pak e rëndë do të ishte pasja ose kërkimi i një shkaku për shkëputje nga ajo parti edhe formalisht, kur ta zënë me shkelma e gurë nga Kongresi.

Blushi, e kam shkruar edhe më parë, do duhet të jetë silur i tripolaritetit politik shqiptar, që siç po tregon edhe përpjekja për reformë në drejtësi, po i merr frymën demokracisë në vend. Blushi është shumë më i pasur intelektualisht sesa Ilir Meta, edhe pse më i varfër materialisht dhe në eksperiencë politike se ai. Blushi nuk është se do ta ketë të lehtë, por ka premisa po aq të mëdha, sa edhe Meta për të krijuar një forcë që do të ekuilibronte dhe nxirrte politikën shqiptare nga bataku e kënetëzimi. E ndërsa ky i fundit e krijoi dhe po e mban me shumë sukses, falë miopisë fatale dhe babëzisë së dy të mëdhenjve, partinë e tij të Punës (vendeve të punës më saktë), Blushi ka një elektorat të madh të pakënaqurish, që nuk dinë nga të mbyten.

Partia e ankimtarëve në Shqipëri është shumë e madhe. Thjesht, ata duan një njeri që t’i frymëzojë dhe orientojë se ku ta hedhin votën për t’u ndier të përfaqësuar.

Koha deri në zgjedhjet e ardhshme nuk është e madhe për një formacion të ri politik, nëse do të ketë njerëz realisht të motivuar për të vepruar e jo për t’u qaravitur se fajin për gjendjen në PS-së e ka Rama. Për këtë arsye dhe disa më madhore për të ardhmen e funksionimit normal të demokracisë hibride në Shqipëri, Blushi & Co do të duhet ta harrojnë Partinë Socialiste. Ajo tashmë prej kohësh, është e Edi Ramës, i cili ua ka dhënë atë me koncesion beniaminëve të tij.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

3 Comments
  1. TJ says

    Really Arben?! Eshte Blushi i zoti te krijoje Parti! Blushi di vetem te shkruaje libra dhe ti llape goja! Blushi eshte nje pertac i pashem! Nje kryeminister qe ka fituar zgjedhjet eshte automatikisht kryetar i partise deri ne zgjedhjet e reja!

  2. Albi says

    Rregullat e lojes nuk e kishin keshtu, dhe rregullat nuk ndryshohen ne mes te lojes. Nga ana tjeter po ky kryetar edhe kur humbet zgjedhjet ngelet kryetar. Kur fiton zgjedhjet, eshte kryetar, kur humbet zgjedhjet nuk u lejohet ta heqin nga kryetar. Kollaj fare e ka ky.

  3. Emanuel says

    Pergezoj z Manaj per artikullin,prek vertet realitetin e sotem. Bessoj se Blushi do ishte politikan i mire ne Austri, Zvicer,Kanada por jo ne Shqiperi,jo me kte klas (te degjeneruar) politike.

Comments are closed.