Shengen, shtetet: Kufijtë do të kontrollohen për dy vjet

Shkak i këtij vendimi është bërë fluksi i paprecedentë i azilkërkuesve

shengen_1Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë të Bashkimit Europian treguan një angazhim të madh për të mos e lënë traktatin e Shengenit të dështojë. Por në fund triumfoi ideja e domosdoshmërisë për zgjatjen e kontrolleve kufitare me të paktën dy vjet. “Aktualisht, masat për mbylljen e përkohshme të kufijve mund të merren për një periudhë të kufizuar gjashtëmujore. Megjithatë, fluksi i paprecedentë i azilkërkuesve, ai që po i shtrëngon vendet anëtare të marrin masa të tilla në nivel kombëtar, nuk jep ende asnjë shenjë tkurrjeje. Për këtë arsye, anëtarët e bllokut e kanë ftuar Komisionin Europian të përgatisë bazën ligjore e praktike për vazhdimin e kontrolleve të përkohshme kufitare mbështetur në nenin 26 të kodit të Shengenit për kufijtë”, deklaroi Klaas Dijkohoff, ministri holandez i Emigracionit. Nëse situata nuk ndryshon dhe rendit publik e sigurisë së brendshme do të vazhdojnë t’i kanosen rreziqe serioze, atëherë disa shtete anëtare, nuk po i përmend me emra, mund ta kenë të nevojshëm vazhdimin e kontrolleve kufitare përtej periudhës së parashikuar kohore. Aktualisht jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë e veprimit, gjithmonë në bazë të rregullave të BE-së dhe po shohim si do të ishte më e udhës të procedohej në këtë rast”, tha komisioneri për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos. “Ne duam të ruajmë Shengenin, por koha po na ikën”, deklaroi ndërkohë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere. 2016-a pritet të sjellë dhe një valë të madhe emigrantësh dhe Gjermania, vendi që pranoi vitin e kaluar 1.1 milionë të tillë, tani kërkon “ulje të vazhdueshme, të ndjeshme dhe të qëndrueshme të numrit të azilkërkuesve”, e sipas De Maizierie, ky rezultat duhet të ndihet që në javët e ardhshme. Ministri gjerman gjeti mbështetjen e vendeve të tjera të bllokut, pikërisht ato që kërkuan përgatitjen e bazës konkrete për shtyrjen e kontrolleve deri në dy vjet. Verifikimet e vendosura në kufi nga vende si Gjermania, Austria e disa të tjera, mbi bazën e tanishme të marrëveshjes, duhet të zgjasin deri në muajin maj. Vendimi për zgjatjen e tyre nuk është marrë ende, por sipas De Maiziere, Komisioni Europian është i hapur ndaj një lëvizjeje të tillë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.