BERZH krijon fond garancie 75 mln euro për bujqësinë

Marrëveshja

Do të ofrohen linja kreditimi dhe ndarja e riskut me bankat

bujqesiBERZH vendos 75 milionë euro si fond garancie për kreditimin e bujqësisë nga bankat e nivelit të dytë. Marrëveshja u nënshkrua dje, në Ministrinë e Financave, me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që do të krijojë një fond garantimi. “Ne besojmë se ky është hapi i duhur për t’u ndërmarrë për arritjen e objektivave të qeverisë për rritje domethënëse të huadhënies në sektorin e agrobiznesit, e cila është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori” tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Programi për mbështetjen e agrobiznesit nga BERZH synon të përmirësojë mundësitë e financimit për agrobizneset vendase duke ofruar linja të dedikuara kredie për bankat shqiptare dhe institucionet mikrofinanciare apo duke ndarë me ata riskun e huadhënies në sektorin e agrobiznesit. Ky program do të përfshijë gjithashtu asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve dhe trajnime nga programi i BERZH për Mbështetjen e Bizneseve të Vogla. “Shqipëria ka një potencial të madh e të pashfrytëzuar në sektorin e agrobiznesit. Fragmentimi, informaliteti dhe mundësitë e kufizuara për financime përbëjnë pengesë për zhvillimin e këtij potenciali. Bashkë me autoritetet shqiptare, ne kemi kënaqësinë të prezantojnë sot, Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri”, deklaroi Christoph Denk, Drejtori i BERZH në Shqipëri. Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë në Shqipëri, ajo siguron punësim për rreth 50% të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20% të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet i nënshërbyer nga institucionet financiare, kreditë në këtë sektor përbëjnë vetëm 2% të totalit të huave për ekonominë. “Ne jemi shumë krenarë për prezantimin e këtij programi ambicioz dhe inovativ që do të rrisë mbështetjen ndaj agrobiznesit shqiptar. Ai do të inkurajojë institucionet financiare vendase të rrisin huadhënien ndaj fermerëve dhe shoqërive të tjera të agrobiznesit në Shqipëri. Reduktimi i riskut do ta bëjë sektorin më tërheqës ndaj investitorëve” shtoi Henry Russell, Drejtor për Institucionet Financiare për Ballkanin Perëndimor, Bjellorusinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar 1 miliard euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.