Spanjë, qeverisja në dilemë pas fitores së konservatorëve

Vendi duket i përçarë, ndërsa tradita dypartiake është thyer  

rajoyRezultati i zgjedhjeve të së dielës ka shembur sistemin dypartiak në Spanjë dhe për herë të parë në më shumë se tri dekada, si të djathtët popullorë, ashtu edhe të majtët socialistë, nuk mund të formojnë qeverinë. Partia Popullore e Mariano Rajoy fitoi shumicën e vendeve në Parlament, por pa mundur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e vetme. Po ashtu, edhe socialistët, që dolën të dytët. Surpriza e Podemos, një lëvizje e majtë radikale e ngjashme me Syriza-n në Greqi, renditet e treta, ndërsa të katërtit janë radhitur të djathtët liberalë “Cuidadanos”, (Qytetarët). Socialistët dhe Podemos kanë mohuar kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Popullorët dhe një aleancë mes këtyre të fundit dhe “Cuidadanos” nuk siguron shumicën e nevojshme për formimin e kabinetit. Kjo ka futur politikën vendase në bisedime të ethshme për ngritjen e kabinetit të ri. Udhëheqësi i socialistëve, Pedor Sanchez, deklaroi se i njeh të drejtën Mariano Rajoy për përpjekjen e parë për formimin e kabinetit qeveritar. Analistët ndërkombëtarë dhe vendas thonë se ashtu siç duken gjërat, deri më tani të paktën, kryeministri në detyrë e ka thuajse të pamundur ngritjen e kabinetit të ri qeveritar. Po aq të vështirë e kanë edhe socialistët, edhe këta të refuzuar nga Podemos, që në program ka “çrrënjosjen” e dy partive të mëdha tradicionale që i fajëson për gjendjen aktuale ekonomike të vendit. Ndërkohë, një aleancë mes socialistëve dhe “Cuidadanos” nuk siguron shumicën e nevojshme. Sipas analistëve ndërkombëtarë, Spanja ndodhet në një udhëkryq të madh dhe dy janë zgjidhjet; ose vendi do t’i drejtohet sërish zgjedhjeve, ose dy partitë e mëdha do të lëshojnë shumë terren ndaj kërkesave të dy partive të reja, që kanë siguruar elektorat, duke shpalosur një program agresiv kundër masave shtrënguese ekonomike. Socialistët dhe Popullorët dominuan politikën spanjolle prej vitit 1970 të pashqetësuar, duke ndryshuar rolet pushtet-opozitë. Pas vdekjes së ish-diktatorit, Francisko Franko, vendi u rikurorëzua sërish si mbretëri kushtetuese, duke i çelur rrugën ndryshimeve demokratike, por tashmë, pas katër dekadash, duket se sfidat janë tërësisht të ndryshme dhe sipas analistëve, klasa politike aktuale, do të duhet të rikonceptojë qëndrimet e veta e të përshtatet për të mos pasur fatin e asaj në Greqi, çka do ta bënte Spanjën vendin e dytë që do t’i nënshtrohej procesit domino të katapultimit të radikalëve të majtë apo atyre të djathtë, sikurse ka ndodhur në Europën Qendrore.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.